1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rasti Gurlitt: Të shlyhet padrejtësia

Arti i grabitur nga nazistët ndodhet në qendër të debatit politiko-kulturor në Gjermani. Hetimet nga pala amerikane bëjnë të ditur se ka pak përparime në rastin e njohur si rasti Gurlitt.

Ronald S.Lauder

Ronald S. Lauder

Nga rreth 6000 muzetë në Gjermani vetëm 350 e kanë lejuar kërkimin e artit të grabitur në depot e tyre. Një lëshim i rëndë, thotë Ronald S. Lauder, kryetar i Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Ronald S. Lauder është një njeri, që thotë fjalë të qarta. "Ne jemi këtu sonte, për të folur për veprat e artit”, e hapi presidenti i Kongresit Botëror Hebre me qendër në Nju Jork fjalën e tij në Topografinë e Terrorit në Berlin më datën 30 janar. "Më saktësisht në lidhje me artin, që u është grabitur hebrenjve nga nazistët." Këto vepra arti janë të burgosurit e fundit të Luftës së Dytë Botërore, tha ai.

Lëshime të rënda

Republika Federale Gjermane, tha Lauder, është sjellë në mënyrë shembullore ndaj viktimave të nazismit, si në çështjen e zhdëmtimit të punëtorëve me detyrim, apo në kërkimin e „llogarive pa zot“. Por lidhur me artin e grabitur ka patur mangësi të mëdha, kjo e ngarkon reputacionin përndryshe të mirë të Gjermanisë. "Rasti Gurlitt në Mynih është skena e fundit e kësaj drame, që nuk ka marrë fund ende dhe ngarkon ende kujtesën tonë kolektive." Plaçkitja e artit edhe gati 70 vjet pas fundit të Rajhut të tretë ndodh thuajse kudo: në zyrat e qeverisë, ne muze, në koleksionet private. Ata duhet t'u kthehen përfundimisht viktimave të holokaustit dhe trashëgimtarëve të tyre.

Nëna dhe fëmija- Vepra e vjedhur nga nazistët

Nëna dhe fëmija nga Erich Fraaß- Vepra e vjedhur nga nazistët

Topografí e terrorit: Projekt në Berlin për dokumentimin dhe zbardhjen e terrorit nazist

Që situata ligjore është shumë komplekse dhe që çdo rast duhet trajtuar në veçanti, këtë nuk e mohon presidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjve. Por ai flet edhe për ngurrimin e shumë zyrtarëve të qeverisë dhe muzeve, të cilat refuzojnë t'ia kthejnë pronarit të saj të ligjshëm një vepër të vjedhur arti nga nazistët. Kjo bëhet e mundur, për shkak se në Republikën Federale të Gjermanisë nuk ka ligj për kthimin e artit të plaçkitur.

Në fakt Gjermania e ka nënshkruar Deklaratën e Uashingtonit të vitit 1988 dhe ka marrë përsipër të kërkojë veprat e artit të vjedhura, të bëjë publike ekzistencën e tyre dhe të gjejë pronarin e parë. Por vendimet e Komisionit Limbach, që u vendosën këtu në vend, për të zgjidhur pretendimet e diskutueshme të pronës, nuk janë obligative. Dhe për muzetë shumë shpesh "edhe arsyeja më e vogël është e mjaftueshme për të parandaluar largimin e një vepre arti."

Çfarë do të duhej bërë

Disa ditë më parë ministrja e re e Kulturës Monika Grütters (CDU) foli për një qendër për kërkimin e artit të grabitur nga nazistët dhe bëri të ditur se mjetet përkatëse të financimit nga federata duhet të dyfishohen. Grütters tha se është thjesht e patolerueshme, që ende në muzeumet gjermane ndodhen vepra arti të grabitura nga nazistët.

Ronald S. Lauder propozon që qeveria dhe landet të ngrenë një komision bazuar në Deklaratën e Uashingtonit, anëtarët e të cilit të jenë të rangut ndërkombëtar dhe për të cilët të punojnë historianë të njohur arti dhe studjues të tjerë. Ky komision duhet të jetë i financuar mirë dhe të ushtrojë "pushtet të vërtetë vendimmarrës", "në mënyrë që muzetë, që deri tani kanë hezituar të krijojnë transparencë, të jenë të detyruara të kryejnë me të vërtetë kërkimet në përputhje me kërkesat ndërkombëtare."

Pamje burri nga Ludwig Godenschweg

"Pamje burri" nga Ludwig Godenschweg

Në hapin e parë ky komision duhet të qartësojë, se çfarë veprash arti të grabitura ndodhen në depot e muzeumeve gjermane. Fundja, nuk mund të pritet, që viktimat e holokaustit dhe pasardhësit e tyre të kontrollojnë vetë me mijëra koleksione në Gjermani, për të gjetur atë që u ështe vjedhur 70 vjet më parë. Në mënyrë që grabitja e artit e kryer gjatë periudhës naziste të mos vjetrohet para ligjit, duhet të ndryshohen afatet ekzistuese. "Afatet", tha Lauder, "nuk duhet të shërbejnë për të mbrojtur ata, që me vetëdije përfitojnë nga arti, që u përkiste njerëzve të përndjekur dhe që e dinë se është fjala për art të vjedhur.”

Transparencë e plotë

Çdo gjë duhej të zbulohet, kërkon Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjve. Sepse bëhet fjalë për të drejtën dhe të padrejtën. Eshtë vjedhur prona dhe ajo i duhet kthyer pronarit të saj të ligjshëm. Një Komision i themeluar dhe i pajisur sipas propozimeve të tij do të mund të thjeshtonte jashtëzakonisht procedurën dhe të shmangte qindra procese të veçanta juridike. Tani e ka rradhën Gjermania për të vepruar. "Pas 70 vjetësh ka ardhur koha, që të burgosurit e fundit të Luftës së Dytë Botërore të gjenden dhe të lirohen." Duhet zgjidhur përfundimisht kjo çështje, tha Lauder.