1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rast precedent, po apo jo ? - Ndikimi i luftës së Kosovës mbi të drejtën ndërkombëtare

Çfarë pasojash ka patur përvoja e luftës së Kosovës për të drejtën ndërkombëtare civile dhe raste të tjera shkëputjeje në vitet e fundit.

Tel me gjemba në Rahovec, Kosovë

Tel me gjemba në Rahovec, Kosovë

Para dhjetë vitesh Evropa e pa veten të konfrontuar nga një katastrofë kërcënuese humanitare. Mbi 30 000 njerëz kishin braktisur shtëpitë e tyre brenda Kosovës, si dhe mijëra të tjerë ishin larguar për në Maqedoni dhe Shqipëri. Bisedimet për paqe me Beogradin në Rambuje të Francës, kishin dështuar dhe vëzhguesit ndërkombëtarë njoftonin për dëbime të qëllimshme dhe vrasje të civilëve.

Marsi i vitit 1999: E senzibilizuar prej përvojave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, pas dështimit të negociatave paqësore Nato ishte e vendosur që të pengonte një fushatë tjetër të mundshme të 'spastrimit etnik'. Për herë të parë në historinë e Nato-s, Sekretari i Përgjithshëm Javier Solana autorizon kryekomandantin Wesley Clark, që të veprojë ushtarakisht. Kjo 'ndërhyrje e parë humanitare' e Aleancës Veriatlantike përbënte risi në fushën e të drejtës ndërkombëtare. Kritikët akuzuan Nato-n, se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare sepse ka sulmuar pa ndonjë mandat të qartë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Veç kësaj, Nato u angazhua jashtë territorit të Aleancës dhe cënoi integritetin territorial të Jugosllavisë.

Ushtria jugosllave në Kosovë, 1999

Para dhjetë vitesh Evropa e pa veten të konfrontuar nga një katastrofë kërcënuese humanitare. Mbi 30 000 njerëz braktisën shtëpitë e tyre brenda Kosovës, mijëra të tjerë u larguan për në Maqedoni dhe Shqipëri.

Për dallim, përkrahësit e sulmeve i shihnin ato si legjitime dhe i justifikonin me një numër rezolutash të KS të OKB-së si dhe në paaftësinë për të ndikuar në përmbushjen e kërkesave të tyre. Kombet e Bashkuara kishin kërkuar nga Beogradi tërheqjen e trupave dhe ndërprejen e luftimeve në Kosovë. Qeveria e drejtuar nga presidenti Millosheviq nuk plotësoi këto kërkesa. Si rrjedhim ishte një ndërhyrje humanitare në kuadër të ndihmnës emergjente dhe ruajtjes së paqës botërore. Pas fillimit të luftës, përkrahësit e ndërhyrjes ushtarake e panë veten të konfirmuar në qëndrimin e tyre për shkak se vetëm brenda disa javësh u dëbuan apo u larguan nga shtëpitë e tyre rreth 800 000 civilë. Shumica e tyre u kthyen sërish në muajin qershor, menjëherë pas përfundimit të luftës.

Joseph Marko, jurist i së drejtës ndërkombëtare në Grac, beson se edhe pse ndërhyrja në Kosovë nxorri në pah dobësitë e të drejtës ndërkombëtare, ajo i dha një impuls të rëndësishëm zhvillimit të saj. "Kosova përbente me siguri një pikë kthese, e cila çoi më tej të drejtën ndërkombëtare. Është e qartë se Këshilli i Sigurimit, për shkak të mundësisë së vetos të anëtarve të përhershëm në kriza të tilla ashtu si më parë nuk është në të vërtetë funksional. Ndërhyrja humanitare e Nato-s ka dhënë një shtytje të re vendimtare, që doktrina e sovranitetit apo mospërzierja në çështjet e brendshme të ridiskutohet dhe rishqyrtohet".

Flamuri i Kosovës.

E drejta ndërkombëtare është ende larg dhënies së përgjigjes së qartë se kur shtetet i humbasin të drejtën e sovranitetit.

Megjithatë ai beson që e drejta ndërkombëtare është ende larg për të ofruar qartësi: "Në vitin 1999 bëhej fjalë për çështjen se a është legale një ndërhyrje humanitare në aspektin e të drejtës ndërkombëtare. Dhe në këtë pikë unë shoh ende një problem, sepse kjo çështje ende nuk është sqaruar përfundimisht".

Të paktën tani po diskutohet në mënyrë intensive, në lidhje më çështjen nëse shtetet mund t`i gëzojnë të drejtat e tyre të sovranitetit, vetëm nëqoftëse ato përfaqësojnë të gjithë popullsinë e tyre civile dhe e mbrojnë atë. Si rrjedhojë, përndjekja e ndonjë minoriteti etnik apo fetar mund të çojë në atë që këto shtete t`i humbasin këto të drejta. Por, realiteti është ende larg kësaj teorie: "E drejta ndërkombëtare civile vazhdon të bazohet në parimin e të njëjtit sovranitet të shteteve, sikurse i përgjigjet gjendjes së konfliktit që mbrohet edhe prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.“

Franz-Lothar Altmann, ekspert për Ballkanin në Mynih, ka gjithashtu rezerva në lidhje me faktin nëse anëtarë të veçantë të Këshillit të Sigurimit në rastin e Osetisë Jugore, përdorën standarde të dyfishta në argumentimin e tyre të parimeve të së drejtës ndërkombëtare civile: "Rusia është deklaruar gjithmonë si mbrojtëse e parimit të paprekshmërisë së kufinjve dhe moslejimit të ndarjeve territoriale. Dhe tani papritur, bën pikërisht të kundërtën e atyre që ka kërkuar vazhdimisht.“

Pra në praktikë nuk ka arritur të sundojë as mendimi i asaj pale, që thotë se ndarja territoriale është krejtësisht e palejueshme dhe as i asaj, që mendon se ndërhyrja humanitare është e mundshme. Sipas Josef Markos, poblemet e këtij debatit kanë të bëjnë me detajet: „A është gjenocidi justifikim për ndarjen? Çfarë do të thotë gjenocid? A duhet ta përcaktojmë atë vetëm nga këndvështrimi i përgjegjësisë individiale ndërkombëtare në kuptimin e kodit penal, apo mund ta përcaktojmë edhe nga e drejta e grupit? Gjëra të tilla mund të diskutohen deri në pyetjen cinike, se sa njerëz duhet të vriten çdo ditë për të thënë, se kemi të bëjmë me gjenocid, a mjaftojnë 20 të vrarë në ditë apo na duhen 300 të vdekur në ditë?"

Rastet e ndryshme të ndarjeve territoriale, të ndodhura që prej precedentit të Kosovës, nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, mendon Altmanni. Paralelet e Kosovës me rajonet e tjera janë, sipas mendimit të tij, të papajtueshme: „Qeveria në Kosovë u detyrua që të përmbushte standarte të domosdoshme, kryesisht në lidhje me respektimin e të drejtave themelore dhe të minoriteteve. Të gjitha këto nuk ndodhën në Osetinë Jugore dhe në Abkazi.“

Autor : Fabian Schmidt / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama








DW.COM

  • Data 10.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I6iX
  • Data 10.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I6iX