1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rasmussen u zgjodh sekretar i ri i përgjithshëm i NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia firmosën anëtarësimin në NATO

Samiti i NATO-s u hap të premten në Baden- Baden të Gjermanisë. Pas konsultimeve të shumta që vazhduan në Strasburg edhe Turqia mbështeti zgjedhjen e danezit Rasmussen në krye të NATO-s.

default

Anders Fogh Rasmussen

Konsultimet për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s filluan që mbrëmë,(03.04.09) në darkën e shtruar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në Kurhaus në Baden-Baden. Turqia kundërshtonte për një kohë të gjatë kandidaturën e danezit Anders Fogh Rasmussen, i cili kishte mbështetjen e të gjitha shteteve kryesore perëndimore, që të zgjedhet si pasardhës i holandezit Jaap de Hoop Scheffer, të cilit në qershor i përfundon mandati.

Telefonatat e Berlusconit

Vërejtja kryesore e Turqisë ndaj kandidaturës së Rasmunssenit ishte botimi para katër vitesh në Danimarkë i karikaturave të Profetit Muhamed.

Silvio Berlusconi am Telefon in Kehl Nato Gipfel

Silvio Berlusconi telefonon me Erdoganin

Kamerat televizive kapën kryeministrin italian Sivlio Berusconi të telefononte për një kohë të gjatë, përderisa kancelarja Merkel priste krerët e shteteve tjera, që mblidheshin në samit. Sipas agjensive italiane të lajmeve, Berlusconi tërë kohën ka bërë përpjekje që ta bindë homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan, që ta pranojë kandidaturën e Rasmussenit. Edhe krerët tjerë perëndimorë kanë kërkuar prej Turqisë që të pranonjë këtë kandidaturë, që në fund rezultoi me sukses.

Scheffer ishte ndër të parët që danezit publikisht, në konferencën përfundimtare së bashku me kancelaren Merkel dhe presidentin francez Nicolas Sarkozy, i uroi zgjedhjen si pasardhës të tij. Rasmussen në reagimin e parë u shpreh shumë i knaqur për zgjedhjen në këtë post dhe premtoi se do të bëjë të gjitha që janë në mundësinë e tij për suksesin e Aleancës.

Obama in Baden-Baden

Presidenti Barack Obama

Ndër çështjet tjera të rëndësishme në rend ishin edhe Afganistani, bashkëpunimi mes SHBA-së dhe Europës në lufën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe roli i NATO-s. Kancelarja gjermane Merkel u shpreh shumë e knaqur për unitetin e arritur në Baden-Baden dhe Strasburg. Gjermania mbështeti strategjinë e re amerikane për Afganistanin dhe premtoi shtimin e trupave për stërvitjen e ushtarëve afganë. Sipas kancelares Merkel, Afganistani është sot sprova më serioze e NATO-s.

Obama përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë

Presidenti amerikan Barack Obama i dorëzoi homoglout të tij shqiptar, Bamir Topi dhe atij kroat Stjepan Mesiq, dokumentin e anëtarësimit në NATO. Topi dhe Mesiq më pas nënshkruan anëtarësimin zyrtar në Aleancën e Atlantikut Verior. "Ju uroj për progresin ne reformat e vështira", theksoi Obama duke shtuar se "do t'i gëzohet ditës kur në NATO të anëtarësohet edhe Maqedonia."

04.04.2009 DW TV Journal Nato Merkel

Obama, Merkel, Sarkozy


Obama tha se dyert NATO-së janë të hapura edhe për vendet tjera të Ballkanit. SHBA-ja angazhohet që në këtë Aleancë të anëtarësohen edhe Gjeorgjia dhe Ukraina, por disa vende të tjera kanë rezerva. Anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë ka përshëndetur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Scheffer. Në përfundim të samitit ai tha se NATO në 60-vjetorin e themelimit duhet të përqendrohet tek sfidat e ardhme, me mbështetjen edhe të dy anëtareve të reja.

Kancelarja gjermane Angela Merkel po ashtu u shpreh se së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë, NATO-ja ka shansin që t'u përgjigjet sfidave të shekullit XXI.

Më parë presidenti Obama, kancelarja Mekel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy theksuan domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit si rrugën e vetme për të siguruar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik.

Presidenti Sarkozy tha se vendi i tij ka vendosur të kthehet në komandën e NATO-s si përgjigje ndaj sfidave të reja. Merkel dhe Sarkozy në veçanti theksuan politikën unike të SHBA dhe BE-së.

Kancelarja gjermane Merkel, Sarkozy dhe Obama vlerësuan se suksesi i NATO-s matet edhe me suksesin në Afganistan. Një prej sfidave më të mëdha në Afganistan të jenë zgjedhjet e reja, tha Sarkozy. Ndërsa presidenti amerikan, duke e zgjeruar rrethin e çështjeve që bashkojnë anëtarët e NATO-s, edhe përtej Afganistanit theksoi se ka shumë pika të nxehta dhe sfida ku duhet të përcaktojmë se cili është roli i NATO-s, cili është partneriteti mes SHBA-së dhe BE-së, në përballjen me ndryshimet e klimës, me varfërinë apo me përpjekjet për të sjellë paqe në zona ku ka konflikte. Në të gjitha këto fusha partneriteti do të jetë shumë i rëndësishëm, po kështu edhe bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe SHBA.

Në përfundim të samitit, presidenti Obama falënderoi kancelaren Merkel dhe presidentin Sarkozy për organizimin e takimit. Obama në veçanti falënderoi edhe Turqinë për ruajtjen e unitetit të NATO-s dhe zgjedhjen e sekretarit të ardhshëm të Aleancës.

"Amerika e vetmuar nuk mund t'i përballojë sfidat e sotme në botë. Këtë nuk mund ta bëjë as Evropa, prandaj është me rëndësi veprimi i përbashkët", theksoi Obama duke shtuar se "bashkëpunimi dhe konstruktiviteti janë të domosdoshme edhe në raport me Rusinë".

Demonstratat e kundërshtarëve të NATO-s

NATO-Gipfel Demonstration

Protesta kundër NATO-s

Përderisa krerët e shteteve anëtare të NATO-s theksojnë sukseset dhe unitetin e arritur, kundërshtarët e globalizimit shfrytëzuan edhe këtë rast për të theksuar paknaqësitë e tyre. Policia njofton se në Baden - Baden dhe Strasburg ishin mbledhur me mijëra demonstrues, ndonëse numri i tyre ishte më i vogël se sa që pritej. Më radikalët në mesin e tyre shfrytëzuan rastin për përleshje me policinë dhe kanë shkaktuar disa zjarre. Policia ka arrestuar dhjetëra demonstrantë, por deri tani nuk ka të dhëna për pasoja në njerëz.

Autor: Bahri Cani/DW/Agenturen

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 04.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HQ25
  • Data 04.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HQ25