1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rasmussen: Reduktimi trupave në Kosovë varet nga përmirësimi i sigurisë

29 Prill 2010

Dëshira e NATO-s është t'i shohë vendet e Ballkanit si anëtare të saj, u shpreh në Tiranë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Shefi i Natos ka folur dhe për mundësitë e reduktimit të KFOR-it në Kosovë.

https://p.dw.com/p/N9Xz
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.Fotografi: AP

Një vit pas anëtarësimit në NATO Shqipëria ka marrë konsiderata pozitive për performancën e saj në reformat e forcave të armatosura, por dhe për kontributin në misionet paqeruajtëse. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen, në kontaktet me autoritetet më të larta zyrtare ka veçuar dhe kontributin e Shqipërisë në Afganistan. Udhëheqësit vendorë po i tregojnë kreut të NATO-s se do të shtojnë dhe rreth 85 trupa të tjera në këtë mision.

Por në larminë e çështjeve, që po diskuton në Tiranë, Rasmussen ka prekur dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit dhe sidomos zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Në mënyrë të veçantë ne u fokusuam në zhvillimet në Kosovë. Kemi parë një përparim të qartë në Kosovë nga pikëpamja e sigurisë”. Pasi e ka përshkruar si shembull suksesi këtë aspekt, Rasmussen është shprehur për një situatë “ende të brishtë”.

Sa i takon opcionit të reduktimit të trupave të KFOR-it, që janë aktive në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s la të nënkuptohet se kjo do të varet nga përmirësimi i sigurisë atje.

“Reduktimi i trupave do të bëhet vetëm pas përfundimit të një analize të hollësishme nga pikëpamja politike dhe ushtarake”, tha në Tiranë Anders Fogh Rasmussen.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica