1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300309 Türkei NATO

31 Mars 2009

Sinjale negative nga Turqia për kandidaturën e kryeministrit të Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, si pasardhës të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer.

https://p.dw.com/p/HNNL
Kryeministri danez, Anders Fogh RasmussenFotografi: AP

Në takimin jubilar të nivelit të lartë, i cili fillon të premten (03.04.) në Baden Baden dhe në Strasburg, shefat e shteteve dhe të qeverive të NATO-s nuk mund të kufizohen në urime të ndërsjella. Edhe në jubileun e saj të 60-të, aleanca ushtarake ndodhet para sfidave të mëdha. Në takim duhet të caktohet për shembull pasardhësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer. Si kandidati me shanse më të mëdha konsiderohet kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen. Por në një kohë që ai gjen mbështetje të gjerë në Perëndim, partneri i NATO-s, Turqia ka rezerva. Shkaku: shumë myslimanë vazhdojnë ta asociojnë Rasmussenin me karikaturat e Muhametit, të cilat u botuan më 2006 në një gazetë daneze. Gunnar Këhne për rolin e partnerit të NATO-s, Turqi.

A do ta bllokojë Turqia kandidaturën e Anders Fogh Rasmussenit?

Sinan Ülgeni ka këto ditë shumë telefonata nga gazetarë danezë. Ata duan të dinë nga specialisti i Stambollit për politikën e sigurisë, nëse do ta bllokojë Turqia kandidaturën e Anders Fogh Rasmussenit për postin e sekretarit të përgjishëm të NATO-s. Ankaraja ka rezerva për kryeministrin danez, sepse Rasmussen-i refuzoi të artikulojë kritika për karikaturat e Muhametit në gazetat daneze. Si, pyet Ülgeni, kërkon të arrijë NATO-ja me këtë politikë personeli simpati në vendet myslimane, p.sh. në Afganistan? Aleanca do t'i vinte pikëpyetje faktorit të krijimit të besimit, të rëndësishëm për shtetin mysliman anëtar, Turqinë:

"Për NATO-n është një plus i madh pasja me vete e Turqisë. Kjo del në pah aktualisht në Afganistan. Kjo bëhet e qartë po të krahasosh me njëra-tjetrën punën e ekipeve të rindërtimit të trupave ISAF në provincat e ndryshme. Ushtarët turq punojnë në një ambjent shumë më pak armiqësor, se sa të tjerët."

Türkei Abdullah Gül lehnt Anders Fogh Rasmussen als Nato Chef ab
Presidenti i Turqisë Gul tha të dielën, 29 mars, se Ankaraja nuk ka asgjë kundër Rasmussenit ndërsa kryeministri Erdogan tha se ka një kundërshtim të fortë nga kombet arabeFotografi: AP

Sipas Ülgenit, edhe në misionin në Kosovë për NATO-n është përparësi që ka në radhët e saj ushtarë turq në kuadër të KFOR-it, në fillim ata u pritën madje me brohori prej shqiptarëve. Turqia ka qenë gjithmonë një aleat i besueshëm. Orientimi drejt Perëndimit, i urdhëruar nga themeluesi i shtetit Atatürk, e çoi vendin që më 1952 në Aleancën Transatlantike. Deri në fund të Luftës së Ftohtë, forcat e armatosura turke qëndronin në kufirin më të gjatë direkt midis NATO-s dhe BS të atëhershëm. Sot Turqia ndodhet në prag të rajoneve të krizës Kaukaz dhe Lindje e Afërme dhe është pozicionuar mbi korridore të rëndësishme të gazit dhe të naftës, që shkojnë në Evropë. Me sy kritikë shihet në Perëndim megjithatë pozicioni i fortë i ushtrisë në Turqi. Shefi i shtabit të përgjithshëm është më i fuqishëm se ministri i mbrojtjes dhe në dekadat e shkuara gjeneralët u ndienë disa herë të thirrur që ta mbrojnë vendin me anë të puçeve ushtarake prej atyre, që konsideroheshin rreziqe. Por Sinan Ülgeni mendon se gjendja ka ndryshuar disi:

"Turqia është sot një shtet demokratik, në të cilin roli i ushtrisë nuk është kaq dominues. Rëndësia e çështjeve të sigurisë mbetet në publik hë për hë më e madhe se te shtetet e tjera anëtare të NATO-s, për shkak të pozitës gjeografike të vendit".

Meqenëse janë fuqia e dytë ushtarake në aleancë, turqit nuk duan që t'i nxjerrin pa e zgjatur jashtë, kur merren vendime.Vërtet që pas grindjeve nacionalistët turq bëjnë temë bisede alternativa ndaj BE dhe NATO-s, si për shembull një afrim më të madh me Rusinë. Por këto mendime janë në minoritet, thotë Sinan Ülgeni, anëtarësia në NATO mbetet një kolonë mbështetëse e politikës së jashtme turke.

Autor: Gunnar Köhne/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica