1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rasmussen: nuk do të tolerohet rrezikimi i paqes dhe stabilitetit në Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi në Prishtinë se trupat e NATO-s nuk do të tolerojnë dhunë dhe ato janë të gatshme të veprojnë nëse rrezikohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Rasmussen tha, se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës treguan se paqja dhe stabiliteti për një moment mund të shkatërrohen, por ngjarje të tilla vetëm e kthejnë Kosovën prapa.

Këto komente, Sekretari i Përgjthshëm i NATO-os, Anders Fogh Rasmussen, i bëri në një konferencë për media gjatë një vizite në Prishtinë, një ditë para se qeveria e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i të zbatojnë planin për marrjen nën kontroll të dy pikave doganore me Serbinë në veri të Kosovës.

“NATO-ja ka shpenzuar 12 vjet për siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë. Ne nuk do të lejojmë që arritjet e deritashme të vihen në rrezik. Mandati i KFOR-it është që të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt dhe këtë KFOR-i do ta vazhdojë ta bëjë”, tha Anders Fogh Rasmussen.

Ftesë për dialog konstruktiv

Ai shtoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm dhe u bëri thirrje palëve të përfshira, që të konsultohen e jo të konfrontohen.

“NATO e ka mirëpritur marrëveshjen për vulat doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit me dy shtator. Kjo ka treguar se të dyja palët janë të përkushtuara në dialog dhe unë besojë se edhe në të ardhmën të gjithë aktorët e përfshirë në këtë marreveshje do tregojnë konstruktivitet që kjo marrëveshje të impelmentohet. Marrëveshja është një sinjal i mirë që vetëm nëpërmes dialogut mund të ecet përpara”, tha Rasmussen.

Banorët serb të veriut të Kosovës, tashmë kanë vënë barrikada në disa rrugë të veriut për të penguar forcat e rendit që të vendosin kontroll në dy pikat doganore me Serbinë. Mbrëmë ata ka zbrazur edhe disa kamionë me rërë mbi urën qëndrore të Lumit Ibër, që ndan pjesën veriore të Mitrovicës më atë Jugore. Sekretari i përgjithshmë i NATO-os, i pyetur se cili do të jetë reagimi i trupave të KFOR-it, deklaroi:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen dhe kryeministri kosovar Thaçi, në konferencë shtypi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen dhe kryeministri kosovar Thaçi, në konferencë shtypi.

“Trupat e KFOR-it mund të ndërmarrin aksion për vetëmbrojtje, nëse është e nevojshme të mbajnë një ambient të qetë dhe të sigurt. Po ashtu është në mandatin e KFOR-it, që të sigurojë qarkullim të lirë të njerëzve dhe qarkullim të lirë të trupave nëpër tërë rajonin e Kosovës."

Qeveria e Kosovës e vendosur të vendosë kontrollin mbi pikat kufitare

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, edhe njëherë e përsëriti sot se të premtën do të zbatohet plani i qeverisë së tij për të marr nën kontroll dy pikat kufitare me Serbinë në Bernjak dhe Jarinje. Ky plan është mbështetur edhe nga misioni EULEX dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini.

Në një deklaratë të përbashkët për media, të dy misionet evropiane në Kosovë, marrëveshjen e arritur në Bruksel më 2 shtator për vulat doganore e kanë cilësuar si një hap të rëndësishëm përpara drejt lirisë së tregtisë në rajon.

“Plani që ka rezultuar ka për synim përmirësimin e sundimit të ligjit në portat në veri të Kosovës. Plani do të operacionalizohet më 16 shtator. Në këto porta do të ketë ekipe të përziera. Puna operacionale do të bëhet nga EULEX-i, në përputhje me mandatin që ka”, thuhet në deklaratën e përbashkët të misionit EULEX dhe zyrës së përfaqësuesit të BE-së në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani

 

DW.COM