1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rasmussen: NATO do të ndërhyjë në Kosovë, nëse dikush tenton ta minojë progresin

Rasmussen vizitoi sot (03.07) trupat paqeruajtëse në Kosovë. Ai tha se KFOR-i do të ndërhyjë në çfarëdo situate apo çfarëdo përpjekje të dikujt për ta shkatërruar progresin e arritur deri tani.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha në Prishtinë se forcat paqeruajtëse të NATO-os janë të gatshme të ndërhyjnë në Kosovë në cfarëdo situatë dhe në cfarëdo përpjekje që dikush tenton të minojë progresin e arritur. Ai tha se “NATO-ja, vazhdon ta mirëpres arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi”, ndërsa, inkurajoi palët që ta zbatojnë atë.

“Unë e mirëpres marrëveshjen e arritur Kosovë-Serbi. Unë pres bashkepunimin që do të vendoset me qëllim që të implementohet kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje jep një shpresë më të mirë për njerëzit dhe popujt në këtë rajon. Është thelbësore që kjo marrëveshje të implementohet drejt. E ardhmja e këtij rajoni është përpara dhe e ardhmja është integrimi në Bashkimin Evropian."

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, takoi komandantin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneralin gjerman Walter Halbauer dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci. Vizita në Kosovë e Sekretarit të përgjithshëm i NATO-s, ndodhi vetëm një ditë pas vizitës që realizoi Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen

Shefi i NATO-s tha se “trupat paqerujtëse do të vazhdojnë bashkëpunimin me misionin e Bashkimit Evropian dhe Kombet e Bashkuara në Kosovë”.

”NATO-ja dhe partnerët tanë në KFOR, do të vazhdojnë të garantojnë siguri. Në do të mbetemi të përkushtuar që të përballemi me cfarëdo përpjekje që mund ta minojë progresin e arritur. Në do të vazhdojmë të punojmë ngusht me institucionet vendore, me Bashkimin Evropian me Kombete e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare për të ndihmuar zhvillimin e një shoqërie stabile, demokratike dhe paqësore”, tha Anders Fogh Rasmussen.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, nga ana e tij, marrëveshjen Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve vazhdon ta cilësojë historike.

“Me këtë marrëveshje ne kemi përmbyllur një shekull konfliktesh e dhune ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë marrëveshje e kemi përmbyllur kapitullin e së kaluarës së hidhur”, tha kryeministri Thaci. Sipas tij, Kosova është e përkushtuar dhe do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa, të njetën gjë tha ai duhet ta bëjë edhe Serbia.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha se ai inkurajon të gjithë liderët dhe njerëzit nga të gjitha komunitetet që të vazhdojnë shtegun e pajtimit dhe të dialogut, sepse sipas tij, dialogu dhe pajtimi është i vetmi shteg për një siguri afatgjate në rajonin e Ballkanit.