1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Raportimi rreth çështjeve kurde çon pas hekurave gazetarët turq

Teksa gjyqi i 44 gazetarëve të akuzuar si anëtarë të një grupi guerilas kurd ka marrë udhë në Turqi, në vend është rihapur debati rreth lirisë së shtypit dhe politikës.

Gjykimi i 44 gazetarëve prokurdë, të akuzuar se i përkasin një rebelimi të armatosur, ka nxjerrë në qendër të vëmendjes në Turqi çështjen e lirive të shtypit dhe politikës.

Gazetarët akuzohen se i përkasin Shoqatës së Komunitetit Kurd (KCK), e konsideruar nga shteti turk si fraksioni urban i PKK-së, një grup gueril, i cili prej afro 30 vitesh lufton për një Kurdistan autonom. Turqia e konsideron këtë parti si një grup terrorist, siç e quajnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Gjyqi, më i madhi ndonjëherë në Turqi që përfshin median, nisi të hënën (10.09.2012) me prokurorët të cilët kërkojnë dënimin e tyre nga 6 deri në 20 vite burgim. Tridhjetë e gjashtë nga 40 të pandehurit qëndrojnë pas hekurave që nga dhjetori, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor.

Sipas Platformës së Solidaritetit për gazetarët e arrestuar, 46 gazetarë të tjerë të burgosur janë në pritje të gjykimit. Seanca e së hënës është e fundit në serinë e seancave gjyqësore në të cilin dhjetëra njerëz, duke përfshirë politikanë dhe avokatë, janë përballur me akuza të ngjashme.

Mijëra politikanë pro-kurdë, gazetarë dhe akademikë të akuzuar për lidhje me Partinë Punëtore të Kurdistanit (PKK) janë burgosur përgjatë tre viteve të fundit.

Liria e shtypit nën presion

"Fatkeqësisht, liria e shtypit është nën një presion domethënës në Turqi," thotë Oktay Eksi, ish-kryetar i Këshillit turk të Shtypit dhe anëtar i Partisë Popullore Republikane opozitare CHP: "Janë më shumë se 100 gazetarë në burg."

Eksi thotë se gazetarët e burgosur janë akuzuar se janë terroristë, edhe pse nuk është provuar ende që ata janë anëtarë të KCK-së.

Kurdët protestojnë për më shumë të drejta në Turqi

Kurdët protestojnë për më shumë të drejta në Turqi

"Të gjithë të akuzuarit punojnë për mediat kurde. Prandaj, liria e të shprehurit është një ndër shqetësimet kryesore," thotë Antonia von der Behrens, një avokate gjermane e caktuar nga Reporterët Pa Kufinj (RWB) për të përfaqësuar një nga gazetarët e akuzuar, Huseyin Deniz.

"Besoj se gjyqi nuk do të jetë i ndershëm. Sipas mendimit tim, të pandehurit janë aty jo sepse bëjnë pjesë në ndonjë organizatë terroriste, por sepse shkruajnë rreth çështjes kurde," thotë ajo.

"Goditja e shtypit kurd ngre shqetësime madhore rreth trajtimit të minoriteteve dhe mendimit të pakicës," thotë Emma Sinclair-Webb, eksperte turke për të Drejtat e Njeriut (HRW). "Edhe kur këto pikëpamje janë fyese, ato duhen mbrojtur."

Konflikt 30-vjeçar

Kurdët, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë turke prej 74 milion banorësh, janë pakica më e madhe etnike në vend. Luftimet midis palëve janë shtuar që nga korriku i 2011-ës, ku sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizës raportohen se të paktën 800 njerëz, duke përfshirë edhe 85 civilë, janë vrarë si pasojë e kësaj dhune. Më shumë se 40 mijë persona, shumica e të cilëve kurdë, kanë humbur jetën që kur PKK-ja nisi luftën e saj në vitin 1984.

"Prej afro 30 vitesh, Turqia është në luftë me terrorizmin," thotë Deniz Ergurel, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Mediave, një organizatë jo-fitimprurëse turke.

"Gazetarët, të cilët shkruajnë rreth këtyre çështjeve përballen me shumë probleme. Edhe kur dikush ka vetëm një lidhje të largët me terrorizmin, si për shembull gazetarët që shkruajnë rreth tij, qeveria mund të jetë shumë e ashpër me ta, në mënyrë që të mbrojë pjesën tjetër të popullatës."

Por, thekson ai, fakti që këta gazetarë kanë raportuar mbi çështjet kurde dhe terrorizmin në Turqi nuk do të thotë se ata kanë bërë një krim. "Të gjitha idetë duhet të shprehen lirshëm. Kjo është baza e një shoqërie demokratike," thotë Ergurel.

Luftë aktive

Shoqatat mediatike turke janë bashkuar në tentativën e paparë për të arritur një rezultat pozitiv në gjyqin e gazetarëve të burgosur.

"Në gusht të vitit 2010, 13 shoqata u bashkuan dhe vendosën të formonin Platformën e Lirisë së Gazetarëve", thotë Eksi, duke shtuar se numri i shoqatave përfundimisht arriti në 94. Që atëherë, thotë ai, platforma ka qenë shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, dhe ai beson se përpjekjet e tyre nuk do të jenë të kota.

Autor: Reyhan Baysan, Selcuk Oktay/ Elona Elezi

Redaktoi: Auron Dodi