1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Raporti për integrimin zbulon paragjykime për migrantët

Kriza e refugjatëve e ka vështirësuar integrimin në Gjermani. Problemi më i vogël janë sirianët. Ata janë më të mirë nga ajo që flitet për ta, thotë e Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Aydan Özoguz.

Aydan Özoguz, e Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane

Aydan Özoguz, e Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane

Numri i njerëzve që kanë ardhur nga bota e jashtme në Gjermani është shtuar vitet e fundit. Më shumë se dy milionë vetë erdhën në vitin 2015 në Gjermani, më pak se një milion u larguan nga Gjermania. Gjithsej në Gjermani jetojnë 17 milionë vetë me histori migrantësh, siç i quan ata tani e Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Aydan Özoguz. Në raportin e saj të fundit ajo ende fliste për "gjendjen e të huajave dhe të huajve". Por meqenëse shumica e tyre ka marrë ndërkohë një pasaportë gjermane, Özuguz i quan tani ata ndryshe.

Ndërkohë nuk ka mësues për kurse gjermanishteje

Grupin më të madh të këtyre migrantëve e paraqesin para së gjithash qytetarë të BE (45%). Po ta hedhësh vështrimin në vendet e tjera të origjinës së migrantëve, grupi më i madh i atyre që erdhën gjatë vitit ishin nga Turqia (16%), nga Polonia (9,9 %) dhe nga Rusia (7,1 %). Në vitin 2015, në Gjermani erdhën para së gjithash sirianë dhe sipas Aydan Özoguz ata janë model për sa i përket integrimit.

Kur vjen puna për pjesëmarrje në kurset e integrimit, sirianët madje ua kalojnë edhe polakëve, e zënë vendin e parë. Refugjatët duan të mësojnë gjermanisht, të integrohen. Ndërkohë është bërë e vështirë që të gjesh mësues të gjermanishtes.

Atmosfera dhe realiteti nuk përputhen

Me gjithë këtë, shumë vetë i perceptojnë si kërcënim shumicën e 890.000 refugjatëve që erdhën vitin e kaluar, konstaton e ngarkuara për Integrimin. Atmosferën në Gjermani Aydan Özoguz e sheh si të ashpërsuar dhe të tensionuar. Një shkak: "Ka përpjekje për t'i nxitur njerëzit kundër migrantëve, por kjo nuk ka të bëjë shumë më të vërtetën për ta." Kështu për shembull, kriminaliteti te refugjatët mendohet se është shumë i lartë. Por kjo është e gabuar. Për raportin e integrimit ajo ka shfrytëzuar shifra të Zyrës së Policisë Kriminale Federale. Edhe këtu, pjesa më e madhe e migrantëve bie në sy pozitivisht.

Një emër i huaj është problem

E Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Aydan Özoguz, ka analizuar dy vitet e fundit. Megjithë përparimet, ka edhe probleme. Që tani në Gjermani janë 440.000 fëmijë, në shtëpitë e të cilëve nuk flitet gjermanisht - tendenca është në rritje. Prindërit me arsim të pakët vazhdojnë të jenë pengesa më e madhe për shkollën dhe profesionin; për integrimin. Kësaj i shtohet që "vetëm pasja e një emri të huaj mund të bëjë që të ftohesh rrallë në intervista për vende pune."

 

Nevojë për përmirësim në ministri

Disa vende pune vazhdojnë të arrihen me vështirësi nga migrantët. Kështu, sipas Özoguzit, në ministritë federale, numri i punonjësve me origjinë migrantësh është 14,8%. Këtu ka vend për përmirësime. Në drejtime të tjera, qeveria i ka bërë detyrat e saj, konstaton e Ngarkuara për Integrimin e Qeverisë gjermane, Aydan Özoguz. Kështu, rregullimet e reja ligjore, që imigrantëve duhet t'u mundësohet përfundimi i një shkollimi, janë një përparim. Prej kësaj mund të përfitojnë edhe refugjatët sirianë.