1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Raporti i Tillersonit me Rusinë: I shkëlqyer

Shefi i ExxonMobil Rex Tillerson do të bëhet ministër i Jashtëm i SHBA. Ai ka kontakte të ngushta me Kremlinin.

Presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump e paraqiti të martën Tillersonin si kandidatin e tij të dëshiruar për postin me ndikim të ministrit të Jashtëm të SHBA. Emërimin e tij duhet ta konfirmojë edhe senati.

Si gjithmonë në raste të tilla, Moska reagoi e përmbajtur dhe nuk u tregua shumë e gëzuar. "Përfaqësues rusë, jo vetëm Presidenti, kanë marrëdhënie të mira biznesi me këtë burrë", tha një bashkëpunëtor i Kremlinit në një pozicionim të parë. Tillersoni vlerësohet prej të gjithëve si figurë solide me pikëpamje të vetat, tha zëdhënësi. Konstantin Kossaçev, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Këshillin e Federatës Ruse u shpreh në mënyrë shumë më optimiste.

Raporti me Rusinë ka qenë vendimtar në zgjedhjen e kandidaturës së Tillersonit si ministër i Jashtëm, shkroi ai në Facebook. "Trumpi është konsekuent dhe deklaratat e tij për Rusinë nuk ishin thjesht fushatë elektorale". Vendimi për Tillersonin qe një sinjal ndaj elitave të SHBA, por edhe ndaj gjithë botës, duke përfshirë Rusinë."Po vijnë kohë të reja", kështu u shpreh politikani rus.

Në fakt në Moskë atmosfera duhet të jetë euforike. Diplomacia e SHBA do të përcaktohet në të ardhmen nga një burrë, i cili e njeh Rusinë që prej gati 20 vjetësh dhe i cili ka lidhje të shkëlqyera me qarqet më të larta drejtuese të Kremlinit. Presidenti rus, Vladimir Putin e dekoroi atë në 2013 me një urdhër miqësie. "Për një kontribut të konsiderueshëm për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë", shkruhej në argumentim.

Një shok i Putinit nga rrethi drejtues më i ngushtë

Kontaktet e Tillersonit me Rusinë e kanë fillesën që në fund të viteve '90, kur Presidenti i Rusisë ende quhej Boris Jelzin dhe kur Moska ndodhej në një kurs properëndimor. Menaxheri i naftës nga Teksasi ishte përgjegjës për projektet e Exxonit në Rusinë e pasur me lëndë të para, fillimisht që nga ishulli Sachalin në Lindjen e Largët të Rusisë. Edhe në fushat e naftës në Siberi firma amerikane dhe ruse bashkëpunojnë ngushtë. Tillersoni 64 vjeçar është takuar disa herë me Putinin dhe është i ftuar i përhershëm në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, një projekt prestigjoz i Kremlinit.

Edhe më të ngushta duken marrëdhëniet e Tillersonit me shokun e tij Seçin të Rosneftit. Në kohët sovjetike, shefi i sotëm i koncernit udhëheqës në tregun rus ka qenë njësoj si Putini punonjës i shërbimit të fshehtë. Mediet ruse e përshkruajnë Seçinin si një biznesmen veçanërisht të suksesshëm, i cili bën pjesë në rrethin drejtues më të ngushtë pranë Putinit.

A do të shkrijë partneriteti i ngrirë?

Në një intervistë me revistën ekonomike ruse, Wedomosti, në vitin 2005, Tillersoni tha se janë "aftësitë e tij menaxhuese" që e kanë bërë të suksesshme në Rusi firmën e tij. Si Seçini personalisht, ashtu edhe Rosnefti janë të prekura nga sanksionet e Perëndimit, të cilat janë vendosur për shkak të veprimeve ruse në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Sipërmarrja ruse ka nevojë për kredi perëndimore dhe për njohuri për shpime në zona të vështira. ExxonMobil i llogariti humbjet e tij për shkak të sanksioneve në vitin 2015 në një miliardë dollarë.