1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Raporti i progresit për vitin 2009

Ky raport tashmë është publikuar në mediat kosovare duke nxitur reagime nga më të ndryshmet.

default

Drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pier Mirel, qëndron në Kosovë për t'i dhënë zyrtarisht qeverisë së Kosovës raportin e progresit për vitin 2009. Qeveria e Kosovës thotë se do ta shqyrtojë me kujdes raportin, që sipas saj ka mjaft vlerësime pozitive, ndërsa opozita shprehet e shqetësuar me vlerësimet negative, sidomos lidhur me siç thuhet shkallën e lartë të korrupsionit dhe ndërhyrjet politike në ndërmarrje publike dhe në media.

Qeveria e Kosovës kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyçe

Raporti i BE-së për Kosovën, i cili tashmë është publikuar në mediat kosovare, ka paraqitur shumë aspekte negative, ngecje dhe keqësim të punës në disa institucione të Kosovës. Në raport Qeveria e Kosovës kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyçe në shërbimet civile, si emërimi i njerëzve në postet e larta civile nëpër ministri, në bordet e ndërmarrjeve publike, zyrën e Ombudspersonit si dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të Kosovës që të menaxhojnë procesin e emërimeve në mënyrë korrekte dhe transparente, thuhet në raport. Zëvëndëskryeminitri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë me kujdes raportin.

Qeveria do të reflektojë në përputhje me vlerësimet e raportit

“Do të reflektojmë në raportin e progresit. Ne do të reflektojmë në dy drejtime. E para do të reagojmë në përputhje me reagimet, që t'i plotësojmë sfidat, që kanë mbetur. Dhe e dyta do të reflektojmë në përputhje me përgjegjësitë e individëve, që kanë kryer veprime, ose nuk kanë kryer veprime, që është dashur të kryhen”, thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuci.

Opozita kosovare thotë se qeveria e Kosovës përfundimisht duhet ta japö një shpjegim mbi vlerësimet negative, që u bëhën institucioneve të Kosovës në raportin e progresit. Adrian Gjini është nga AAK.

“Tani pushteti në Kosovë duhet t'u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të tregojë se kush po e thotë të vërtetën, Komisioni Evropian, i cili thotë se ka përkeqësim dhe degradim të jetës në të gjitha aspektet, apo qeveria e Kosovës, e cila thotë se ka progress në të gjitha aspektet”, thotë Adrian Gjini.

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën thuhet se sa i përket korrupsionit ka një përparim "të kufizuar"

Mirëpo gjithsesi korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha në Kosovë dhe vazhdon të jetë çështje serioze shqetësuese. Thuhet po ashtu se krimi i organizuar, sidomos ai në veri, është identifikuar si problem serioz, sado që EULEX-i bën regjistrimin e hyrjes së mallrave nga Serbia në Kosovë.

Në këtë pikë, Ibrahim Gashi nga AKR-së, parti opozitare, thotë se në këtë rast përgjegjsia duhet të ndahet.

“Në një farë mënyre përgjegjësia për veriun e Kosovës duhet të ndahet, si për institucionet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, duke mos e harruar këtu edhe Beogradin zyrtar, i cili nëpërmes serbëve të Kosovës pengon shtrirjen e juridiksionit kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë Ibrahim Gashi. Sidoqoftë Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën nuk e ka kritikuar shumë parlamentin e Kosovës ashtu si vitet e shkuara. Si të arritura të qeverisë konsiderohet rritja e kapaciteteve të saj, krijimi i ministrive të reja dhe emërimi i disa zyrtarëve të lartë në pozitat kyçe dhe përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së pakicave.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 14.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K6Eb
  • Data 14.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K6Eb