1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Raport i posaçëm për të drejtat e njeriut në luftë kundër terrorizmit

Nevoja e vendeve për siguri dhe të drejtat e njeriut shpesh janë në kundërshtim mes tyre. Shumë lehtë ndodh që prej ndonjë kërcënimi të supozuar apo dhe të vërtetë të përdoren masa të jashtëzakonshme mbrojtjeje.

Martin Sheinin, raportues special i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe luftën kundër terrorizmit

Martin Sheinin, vëzhgues special i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe luftën kundër terrorizmit

Martin Scheinin nuk ka një punë për ta lakmuar. Ai mbikqyr respektimin e të drejtave të njeriut, gjatë luftës së qeverive dhe vendeve kundër terrorizmit. Prej vitit 2005, 54-vjeçari nga Finlanda është raportues i posaçëm i OKB-së për të drejtat e njeriut. Profesori i drejtësisë do të paraqesë të martën (10 mars), raportin e tij për vitin e kaluar.

Lufta kundër terrorizmit është ashpërsuar në veçanti pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Luftës i janë bashkangjitur gati të gjitha 192 shtetet anëtare të OKB-së. Për shkak të kësaj lufte, Scheinini ka më shumë konflikte me qeveritë dhe shtetet anëtare të organizatës botërore, se sa të gjithë 23 raportuesit e tjerë të posaçëm.

I ndërgjegjshëm për sfidat që ka përpara

Raportuesit e tjerë janë të ngarkuar me çështje konkrete të të drejtave të njeriut, si e drejta për ushqimin, arsimimin, lirinë e fesë, ose vëzhgojnë gjendjen e të drejtave të njeriut në vende të posaçme si Kongo apo Sudani.

Kur Scheinini e mori postin në vjeshtën e vitit 2005, ai e kishte shumë qartë se sa të mëdha do të jenë sfidat që ka përpara.

"Mandati im ka një dimension specifik të vendeve anëtare, por edhe dimensionin e temave specifike. Përsa i përket dimensinonit të gjendjes në vendet anëtare, duhet udhëtuar atje për të shikuar gjendjen. Atje duhet shikuar nëse masat e ndërmarra në luftën kundër terrorizmit përputhen me normat për të drejtat e njeriut."

Respektimi i të drejtave të njeriut në luftë kundër terrorizmit ka rëndësi që të dyshuarit të mos bëhen terroristë

Në raportin e parë të paraqitur në fillim të vitit 2007, raportuesi i posaçëm nënvizoi se ka vizituar 35 vende anëtare të OKB-së. Scheinini tha se problemi kryesor ishte trajtimi i të dyshuarve për vepra terrorizmi, sepse në këto raste shpesh nuk respektohen bazat e shtetit juridik.

"Në qoftë se tek personat e dyshuar për vepra terroriste nuk respektohen normat elementare të shtetit juridik, me të vërtetë mund të ndodhë që personat e dyshuar, të afërmit apo miqtë e tyre të bëhen terroristë."

Scheinin-i ka kërkuar me kohë mbylljen e Guantanamos

Që në vitin 2006, Scheinin-i ka kritikuar SHBA-në për shkak të trajtimit të të burgosurve në burgun e Guantanamos. Për këtë shkak ai u kritikua ashpër nga administrata e Bushit. Por raportuesi i posaçëm i OKB-së nuk u dorëzua. Në nëntor të vitit të kaluar bëri të ditur në prag të zgjedhjeve presidenciale se nga presidenti i ardhshëm amerikan pret:

"Nga qeveria e ardhshme amerikane pres që së shpejti të paraqesë një plan për mbylljen e kampit të Guantanamos."

Këto pritje të raportuesit të posaçëm janë realizuar ndërkohë nga presidenti i ri Barack Obama, por jo edhe dy kërkesat e tjera: që qeveria amerikane t'i lirojë të burgosurit kundër të cilëve nuk ka dëshmi dhe që të akuzuarit të nxirren para gjykatave civile amerikane. Juristi finlandez është i njohur për qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e tij kundrejt qeverive të ndryshme. Prandaj është e sigurt se këto kërkesa do t'i paraqesë sërish.

Autor: Andreas Zumach

Përshtati: Bahri Cani

Redaktor: Auron Dodi

  • Data 10.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H93a
  • Data 10.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H93a