1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ramush Haradinaj mbetet në paraburgim në Francë

Ramush Haradinaj mbahet në paraburgim nga Franca pas arrestimit mbi bazën e një urdhër-arresti të Serbisë. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e e konsiderojnë të papranueshëm arrestimin dhe kërkojnë lirimin e tij.

Kosovo Ramush Haradinaj im Gericht (AP)

Një gjykatë në qytetin Colmar të Francës, vendosi të enjten (05.01) që lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij. Ramush Haradinaj u arrestua në mbrëmjen e së mërkurës (04.01) në Aeroportin Bazel/Mulhouse  nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Një zyrtare e gjykatës së Colmar, tha se "gjykata do të vendosë nëse zoti Hardainaj do të mbahet në paraburgim, apo do të lirohet nën mbikëqyrje", deri në shqyrtimin e urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritetet e Serbisë serbe, që e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.

Ndërkohë, partia që drejton Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një deklaratë për media thotë se "vendimi i autoriteteve gjyqësore të Francës, që ta mbajnë në paraburgim ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm”.

"Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një flet-arresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor. Për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t'i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks”, thuhet në një kumunikatë për medie të AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u ka bërë thirrje "autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish- regjimi i Millosheviqit dhe të heqë dorë nga fletë-arrestet e kohës së tij.

Avokati i Ramush Haradinajt beson që "Haradinaj shumë shpejt do të lirohet edhe pse, sipas tij, Serbia është aktivizuar duke dërguar argumente shtesë për ta zvarritur procesin”.

"Serbia po mundohet ta zvarrisë procesin duke dërguar argumente shtesë për Haradinajn, por kjo nuk do të ndodhë pasi pafajësia për të gjitha akuzat ndaj Haradinajt është vërtetuar dy herë në Gjykatën e Hagës”, u ka thënë medieve lokale Arianit Koci.

Mediet serbe shkruajnë se Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi, ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i prokurorisë serbe për krime lufte, Milan Petroviq, siç raportojnë mediet në Serbi, "është i kënaqur me faktin që fletë-arrestimet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian”.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë cilësuar të papranueshëm arrestimin e Ramush Haradinajt nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia në vitin 2004. Notat verbale përmes ambasadës së Kosovës në Paris tashmë u janë dorëzuar autoriteteve franceze, të cilave u kërkohet lirimi sa më i shpejtë Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, në reagimin e saj, thotë se "të gjitha ministritë kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë”.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se "ndalimi i zotit Haradinaj është i dënueshëm dhe i papranueshëm në çdo rrafsh dhe në cilindo shtet të botës, vetëm për shkak të një urdhër-arresti të shtetit të Serbisë” , shkroi Presidenti Thaçi në rrjetin social facebook.

Edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se "ndalimi i Ramush Haradinajt, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, është i papranueshëm”. Ramush Haradinaj sipas tij, duhet të lirohet sa më parë dhe raste të tilla thotë ai, nuk duhet të përsëriten më.

AAK-ja  i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të ndërmarë masa dhe të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë. Kosova dhe Serbia tash e pesë vjet zhvillojnë dialog për përmirësimin e marrëdhënieve.

"U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t'i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhër-arresteve të paligjshme të Serbisë. I kërkojmë Qeverisë së Kosovës, të ndërpres çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të mos i tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ministrja për Dialog ne qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha për mediet lokale, se "Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti me Serbinë dhe ato mund të zbatohen në Kosovë për personat e kërkuar nga Serbia, të cilët dyshohen për përfshirje dhe kryerje të krimeve të luftës në Kosovë”.

Kjo nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohet në bazë të fletë-arresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohet nga Interpoli. Në qershor të vitit 2015 Haradinaj, u arrestua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare nga Gjermania. Kosova nuk është pjesë e Interpolit, mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, vazhdimisht kanë kërkuar nga Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ramush Haradinaj, ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2005. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm. Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij po në Tribunalin e Hagës dhe në vitin 2012, Ramush Haradinaj serish u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte. Ramush Haradinaj ishte njëri nga komandantët e ish-UÇK-së për rajonin e Dokagjinit. Pas luftës ai ishte themelues i subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti të cilën ai e udhëheq edhe sot.