1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ramms: "Është thjesht një aksion ndëshkimor kundër Sirisë"

Ish-gjenerali gjerman me katër yje, Egon Ramms e sheh në diskutim me DW me skepticizëm diskutimin për një goditje ushtarake kundër Sirisë. Për të është e paqartë, kush ndodhet pas sulmit me armë kimike në Siri.

General a.D. Egon Ramms in Bonn,

General a.D. Egon Ramms

DW: Presidenti i SHBA tha se duhen nxjerrë para përgjegjësisë vendet, që shkelin marrëveshjet ndërkombëtare për mospërdorimin e armëve kimike dhe që mund të kthehen në kërcënim për ne. Një sulm do të ishte i kufizuar dhe me precizion. Sa me kuptim ju duket kjo mënyrë veprimi?

Egon Ramms: Unë vetë e kam të vështirë të përfytyroj, që unë kryej një ndërhyrje ushtarake në Siri, që në fund të fundit i shërben vetëm ndëshkimit të një sjelljeje të gabuar. Por që nuk i shërben kërkesës për të mbështetur kryengritësit në Siri. Për mendimin tim kjo është një situatë thikë me dy presa.

Çfarë efekti mund të ketë një goditje ushtarake kundër Sirisë? A mund të jetë ajo fundi i regjimit të Bashar al Assadit?

Ramms: Unë nuk e shoh kështu. Edhe nëse për shembull do të sulmohej flota ajrore e Sirisë, pra aeroporte dhe gjëra të tilla të ngjashme, në këtë rast forcat ajrore të Sirisë do të bllokoheshin vetëm përkohësisht në aftësinë e tyre për të ndërhyrë. Në parim pra ajo mund të vazhdonte të vepronte edhe më tej si ka vepruar deri tani.

Më lejoni që të them edhe një fjali në lidhje me përdorimin e armëve kimike: për mua tani - pa pasur njohuri të brendshme nga Kombet e Bashkuar ose nga shërbime të fshehta - nuk ka asnjë dëshmi të fortë se regjimi i Assadit i ka përdorur vërtet këto armë. Kjo për mua është ende çështje e hapur. Shpresoj që kur të kthehen inspektorët e OKB-së nga angazhimi i tyre të vijnë përgjigje, të cilat e paraqesin të gjithën më qartë se sa është deri tani.

Por a ka pasur një përdorim të armëve kimike?

Ramms: Përdorimi i armëve kimike për mua, në bazë të asaj që kam dëgjuar dhe kam parë në medie, është vërtetuar me numrin e madh të të plagosurve dhe të të vrarëve.

A ju kujtohen situata paralele të kohëve më të fundit?

Ramms: Ne kishim një situatë të ngjashme në Libi. Fitimi i supremacisë ajrore në Libi, ndalim-fluturimi për forcat e armatosura libiane, mbështetja e kryengritësve në Libi - të gjitha këto ndodhën. Por përkujdesja civile, në kuptimin ekonomik dhe financiar që duhet të vinte pas kësaj, nuk ishte në atë masë që do të kishte qenë e nevojshme.

Edhe kur ne në plan afatgjatë kemi kohë, si për shembull në Afganistan, siguria dhe rindërtimi ekonomik ndjekin ritme krejtësisht të shkëputura nga njëra-tjetra.

A do të thotë kjo se ushtria mund të krijojë në parim një dritare kohore, brenda së cilës të lëvizë politika?

Ramms: Ky është objektivi i ushtrisë. Ne gjithmonë veprojmë me porosi të politikës. Ne veprojmë me aprovimin e politikës dhe të ngarkuar nga politika. Ne nuk ndërhyjmë që të fitojmë ushtarakisht, nuk e bëjmë as që të vrasim njerëz. Ne duam të hapim një dritare kohore, që nëpërmjet mbështetjes përkatëse ekonomike, në financa, në bujqësi, të krijohet baza e jetesës për popullin, dhe në këtë mënyrë për një proces afatgjatë të paqes.

Egon Ramms udhëhoqi deri në daljen në pension në vitin 2010 Allied Joint Force Command të NATO-s në Brunssum të Holandës. Nga ushtria gjermane ai doli në pension në rangun e një gjenerali.