1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ramazani në Prizren është festë e të gjitha komuniteteve

Prizreni shquhet për diversitetin kulturor, etnik dhe fetar, ku dallimet çmohen dhe ruhen. Ndërsa festa fetare e Ramazanit po shndërrohet në një ngjarje shoqërore, që bashkon rreth një sofre të gjitha komunitetet.

Prizreni historik rrëzë bjeshkëve të Sharrit, me Lumbardhin përgjatë tij dhe Kalanë e lashtë si kurorë përmbi, është i pasur me një diversitet kulturor, etnik dhe fetar. Në këtë qendër të vjetër kulturore dhe kryeqytet të dikurshem të Kosoves, katolikë, muslimanë, ortodoksë e hebrenj janë të vetëdijshëm se kahjet e ndryshme i shpien tek një Zot. Harmonia tradicionale ndërmjet besimeve ndjehet veçanërisht në Muajin e Ramazanit, që si festë fetare po merr ngjyrimin e një ngjarjeje shoqërore, rreth së cilës bashkohen të gjithë. Besnik Qekaj, shqiptar-musliman nga Prizreni, agjëron që nga mosha 14 vjeçare, sepse thotë ai: “Ramazani është muaji i shenjtë, muaj i mëshirës, të cilin besimtarët e presin me padurim. Dhe kur nga të gjitha xhamitë thërret ezani për një qëllim, një besimtar i devotshëm nxiton per t´iu falur e lutur Krijuesit të botëve. Edhe komunitetet e tjera respektojnë Ramazanin, na urojnë, dëshirojnë të dalin me ne, u interesojnë ritet tona, na bashkangjiten në iftar e në syfyr. Sepse ky është Prizreni, të cilin pranimi dhe respekti i tjetrit e dallon nga të gjitha qytetet e tjera!”

Njerëzit kategorizohen vetëm në të mirë dhe në të ligj

Në Prizrenin shumetnik komunikimi është i lehtë, meqë secili flet gjuhën e vet dhe njeh gjuhën e tjetrit. Romi musliman Refet Larosh, 60 vjeç, përgjigjet në 7 gjuhë pyetjeve, që i shtrojmë. Por mbi të gjitha ai mbetet agjërues, i cili e do besimin e tij: “Eselamumualejkum! Une jam rom-musliman dhe them fjalën e Zotit: “Njeriu i mirë, pa marrë parasysh çka është, mbetet i mirë, ndërsa i keqi mbetet i keq, themel e kulm. Prandaj, falë Zotit, ne nuk bëjmë dallime në komb, as në fe, se Bilalli, që ka këndu ezanin e parë “Allahu Ekber”, ka qene i zi-thëngjill, por e ka pas besimin ma t´pastër se të gjithe ne! Ndaj unë lus gjithë njerëzimin që ta besojnë Zotin, ta lusin t´ua falë mekatet dhe t´i udhëzojë, se Allahu na ka kriju dhe tek Allahu do të kthehemi!”, thotë ky poliglot, i cili pas 32 vitesh përvoje pune në fabrikë barërash mbijeton me zanatin e trashëguar, si lustraxhi.

Besimtarët: ”Të lindur nga dy prindër dhe të krijuar nga një Zot!”

Muaji i Ramazanit, apo Festa e Mëshirës, është njera ndër të pesë shtyllat e Islamit, në të cilin filloi zbritja e Kur´anit famëlartë. Prandaj, pjesa dërmuese e besimtarëve muslimanë këtë muaj kalojnë në agjërim e lutje. “Dhe, këtu në Lagjen Kurilla, zgjimi në syfyr, agjërimi, falja dhe të ushqyerit në familje dhe farefis është traditë e trashëguar nga brezat e parë. Natyrisht edhe komunitetet tjera mund të na bashkangjiten, meqë dallime të tilla s' kemi bërë, as nuk bëjmë", thotë Bejadin Bajrami, boshnjak-musliman, i cili pret te furra e lagjes simite të ngrohta për iftar. Traditë kjo 500 vjeçare e mbetur nga osmanllinjtë, shpjegon Abdyl Hadiu, turk-musliman, sipas të cilit lagja Kurilla është më fetarja në Prizren. “Prandaj tek ne iftari vazhdon deri në syfyr, kur edhe shkojmë të falim sabahun në xhami. Jemi ndër familjet më të vjetra prizrenase. Para disa vitesh kam rrënu shtëpinë rreth 500 vjeçare. Flas shqipen, turqishten dhe serbokroatishten dhe nuk bëj dallime në komb as në fe, meqë ai që ndan fenë e vet, i ndan edhe të tjerat. Unë rri me priftin katolik, si me priftin ortodoks, si me imamin dhe i respektoj njësoj. Harmonia me komunitetet e tjera vazhdon, meqë këtu as fqinjtë serbë nuk kanë prekur në popullatë. Ndërsa përqarja ndërmjet besimeve është gabimi më i madh, sepse kemi një Zot dhe të gjithë jemi prej dy prindërve: Ademit dhe Havasë”.

Askush i uritur në Muajin e Mëshirës

Nga minaretë e xhamive të shumta thirrja e ezanit shënon fundin e agjërimit mbi 17 orë, përgjatë të cilit agjëruesit largohen nga ushqimi dhe çdo kenaqësi tjetër trupore, duke iu afruar bamirësisë dhe adhurimit të Zotit. Magjia e natës së Ramazanit fillon me iftar, rreth sofrës së të cilit po afrohen të gjithë, qoftë në familje apo farefis. Në pjesën e vjetër te qytetit, përballë xhamisë monumentale të Sinan Pashës iftari i shtruar nga donatorët dhe komuna tregon se në këtë Muaj të Mëshirës asnjëri s´do të ngelet i uritur. Nuk është e domosdoshme të jenë muslimanë, thotë Ajdoan Sudollari, pronar i restoranit të kontraktuar nga kontigjenti turk i KFOR-it për përgatitjen e ushqimit gjatë muajit të Ramazanit. ”Kemi meny të ndryshme dhe çdo nevojtar mund të vijë të hajë, pa marrë parasysh religjionin. Çdo natë vetëm ketu i kemi nga 200 persona dhe çdo javë një grup muzikor prizrenas këndon ilahi. Jam tejet i lumtur, që përjetoj këtë dite dhe u jam mirenjohës KFOR-it turk dhe të gjithe atyre, që ndihmojnë popullin tonë”.

Të gjithë rreth sofrës së iftarit

Në tri vende të ndryshme 500 shujta shtrohen çdo natë. Svetlana Nikoliç serbe, besimi ortodoks nuk e ka penguar ndonjëherë të bëj iftar me muslimanët e komuniteteve të tjera. Perkundrazi! - thote ajo. “Do të doja t´më xhirojnë të gjitha televizionet dhe t´më shohin se unë jam e pranuar në qytetin e Prizrenit dhe bëj iftar me të gjithë. Edhe dikur ishte njësoj! Ditën respektoja agjërimin e muslimanëve dhe kurrë nuk haja në prani të tyre, ndërsa në mbrëmje isha e ftuar në iftar gjithandej. Kështu vazhdoj edhe pas luftës, se nuk i kam bërë keq askujt. Edhe djemve te mi u kam thënë: ”Mos përlyeni duart, se uji ecën dhe rëra mbetet!” Sa të drejtë kam pasur, e ndjej tani, kur jam e mirepritur nga të gjitha komunitetet”, thotë Svetlana. Ndërsa Rifat Berisha, 60 vjeç, shqiptar-musliman, tregon se iftare të tilla në Prizren janë tradicionale: “Që 14 vjet ha iftar këtu. Edhe sonte kam ardhë për iftar, se Ramazani asht një dasëm për mua. Shpresoj që Zoti t´na pranoj agjërimin...”.

Prizreni, qendër me 76 vendbanime, është qyteti më shumëetnik në Kosovë, ku dominon komuniteti musliman me 94 per qind shqiptarë, boshnjakë, turq, romë dhe ashkalinj, si dhe pesë per qind katolikë shqiptarë dhe një per qind, serbë ortodoksë. Ndersa Muaji i Ramazanit si festë fetare është edhe ngjarje shoqërore, sepse prizrenasit shohin përtej të tashmes, në të ardhmen e afërt brenda familjes evropiane.