1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rama: "Pa një reformë reale të drejtësisë anëtarësimi në BE mbetet një iluzion."

Intervistë ekskluzive me kryeministrin Edi Rama pas takimeve të zhvilluara në Berlin.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pati një sërë takimesh në Berlin. Ai fillimisht u prit nga presidenti i Bundestagut Norbert Lammert, nga kryetari i grupit parlamentar Volker Kauder, nga kancelarja Angela Merkel, nga zevëndëskancelari dhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Sigmar Gabriel, zhvilloi bisedime me përfaqësues të disa bankave dhe kompanive të njohura gjermane. Rama pas Berlinit këtë mërkurë po qëndron në Bruksel. Në prag të udhëtimit ai zhvilloi një bisedë me Deutsche Welle-n në Berlin.

DW: Zoti Rama vizita juaj në Berlin ndodh, para se ju të shkoni në Bruksel. A do të thotë kjo, se për të hyrë në BE duhet të kalosh nga Berlini?

Edi Rama: Sigurisht që nuk shkohet në BE pa kaluar nga Berlini. Por nga ana tjetër këto dy vizita janë bashkuar për të fituar sa më shumë kohë.

Zoti Rama, kancelarja Merkel u shpreh me shumë nota pozitive për Shqipërinë në konferencën për shtyp.“Ne duam që Shqipëria të ketë një zhvillim të mbarë, sepse perspektiva europiane është e nevojshme për një zhvillim të mbarë të të gjithë rajonit, edhe për Shqipërinë”, theksoi ajo. Si e vlerësoni këtë mesazh të Merkelit, zoti Rama?

Sigurisht që interpretimet ju takon t'i bëni ju, por ajo që mund t'ju them me plot bindje është, që ka qenë një takim i paharrueshëm për nga intensiteti i shkëmbimit të opinioneve mbi ecurinë e gjërave në Shqipëri, mbi ecurinë e gjërave në rajon, mbi ecurinë në tërësi të procesit të integrimit europian për vendet e dala nga rrëzimi i perandorisë komuniste. Por nga ana tjetër ka qenë shumë motivuese dhe inkurajuese për gjithë ne, si të thuash të vetëdijes, që kemi arritur të krijojmë për seriozitetin e qeverisë, kurajon dhe vullnetin për të bërë reforma, që kanë munguar prej shumë vitesh, si dhe për vetë rezultatet, që flasin dhe kanë tërhequr pozitivisht vemendjen e partnerëve tanë.

Zoti Rama, edhe politkanët gjermanë nuk i mohojnë zhvillimet pozitive të Shqipërisë, reformat e marra, apo projektet, që po ndjek vendi. Por ata kërkojnë më shumë prova konkrete të realizimit të tyre në jetë. Ju kishit prova të tilla në tryezën e bisedimeve gjatë takimeve, që janë vënë në jetë dhe janë bindëse për rrugën e duhur të Shqipërisë drejt integrimit europian?

Der albanische Ministerpräsident Edi Rama in Berlin 01.04.2014

Një takim i paharrueshëm: Merkel Rama.

Unë mendoj se prononcimi i kancelares ishte mjaft i qartë dhe kuptimplotë. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për një stacion, ku mbërrihet dhe pastaj mund të ulesh. Bëhet fjalë për një proces dhe procesi është i mbushur me sfida. Ne ndamë bindjen e thellë se pa një reformë reale të drejtësisë, synimi për t'u anëtarësuar plotësisht në Bashkimin Europian mbetet në fund të ditës një iluzion, kështu që rruga e integrimit është e lidhur domosdoshmërisht me rrugën e reformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe ne jemi shumë të vendosur ta bëjmë këtë gjë, aq më tepër me mbështetjen e plotë të partnerëve tanë, SHBA, BE dhe sigurisht edhe të Gjermanisë, mbështetjen e së cilës lidhur me këtë reformë kancelarja e konfirmoi edhe në mënyrë shumë eksplicite.

Pra ju do të shkoni në Tiranë me një sërë, le ta quajmë “këshilla, apo sugjerime nga Berlini, sa i përket reformave, veçanërisht në sektorin e drejtësisë?

Këtu nuk bëhet fjalë për sugjerime të natyrës teknike, por bëhet fjalë për një vizion të përbashkët dhe plotësisht të dakorduar, lidhur me çfarë do të bëjë Shqipëria për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit dhe për të bërë të mundur që anëtarësismi në Bashkimin Europian, kur do që ai të vijë, të vijë si pasojë e një trasnformimi real të jetës së vendit. Nga ana tjetër me kënaqësi kam ndarë me kancelaren edhe bindjen tonë se integrimi në Bashkimin Europian nuk është një udhëtim për diku, por është një udhëtim brënda nesh, për të nxjerrë më të mirën nga ne dhe për të modernizuar vendin tonë. Vendi ynë është në Europë, do të bëjmë gjithçka, që të meritojmë atë vend, që shqiptarët aspirojnë dhe që me ndihmën e kancelares dhe partnerëve tanë europianë ne do të mund t'ua japim, duke bërë të gjitha detyrat tona, duke shprehur vetëdijen, që procesi i integrimit është proces i patjetërsueshëm.

Zoti Rama, ju u takuat edhe me përfaqësues të bisnesit gjerman, të sipërmarrjeve të njohura gjermane. Madje në takimin me zëvendëskancelarin dhe ministrin e Ekonomisë, Sigmar Gabriel, ai sikur premtoi që Gjermania do të rrisë prezencën ekonomike në Shqipëri. A u fol për sektorë të veçantë të Shqipërisë, që ju do t'ua besonit pikërisht këyre investitorëve nga Gjermania?

Ne folëm shumë qartë dhe hapur jo vetëm në takimin me kancelaren, ku sigurisht edhe në këtë takim është prekur çështja e nevojës për një rritje reale ekonomike të rajonit dhe pa dyshim të Shqipërisë si pjesë e rajonit përmes rritjes së investimeve të huaja direkte. Kemi pasur disa takime me përfaqësues të firmave dhe kompanive të njohura gjermane, nga sektori i energjisë, i turizmit me përfaqësues nga banka gjermane, që kanë interes të investojnë në Shqipëri. Takime mjaft interesante, inkurajuese, do t'i shtjellojmë në mënyrë më të strukturuar, për këtë kemi biseduar në të gjitha nivelet në kontaktet me sipërmarrjet gjermane dhe në vijim do të kemi stacione të tjera në një rrugëtim, që besojme se do të na sjellë më pranë investimeve gjermane në Shqipëri.

A kanë interes vetë gjermanët për të investuar në Shqipëri, zoti Rama?

Sigurisht që çështja e rritjes së investimeve të huaja është një çështje, që kërkon jo vetëm interesin e një pale, por edhe garancitë e palës tjetër. Ne jemi të gatshëm për pjesën tonë të sfidës dhe jam i bindur që dorë pas dore do të shikojmë gjithmonë e më tepër sipërmarje gjermane të gatshme, që të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë për të rilindur Shqipërinë ekonomikisht dhe për t'i dhënë vendit tonë atë mirëqënie, që aspiron prej kaq shumë kohësh dhe që i mungon prej kaq shumë kohësh.

Ju përmendet modelin gjerman të kulturës së punës. Mos do të thotë kjo që me ardhjen e investitorëve gjermanë në Shqipëri, vjen edhe ky model kulture?

Sigurisht që po. Për ne është dyfish e vlefshme të kemi më shumë investime nga Gjermania, më shumë kompani gjermane, që vendosen në Shqipëri, sepse nga njëra anë është sigurisht vlera e investimit, por nga ana tjetër është edhe vlera e kulturës së punës, që i dallon padyshim gjermanët në mënyrë të posaçme dhe që me siguri është patjetër një vlerë e shtuar për këdo, që punon me gjermanët.

Por nëse do t'i referohesh modelit gjerman, ju duhet ta dini që gjermanët dallohen edhe për respektimin e ligjit. Para ligjit gjunjëzohet, presidenti, kancelari, njësoj sikurse qytetari i thjeshtë. Dhe për këtë ka shembuj konkretë. Kur do të ketë një rast të tillë konkret edhe në Shqipëri, zoti Rama?

Përgjigja ime është shumë e shkurtër dhe e qartë: Në qoftë se Shqipëria do të kishte arritur atë nivel të barazisë para ligjit dhe të ndëshkueshmërisë për çdokënd pavarësisht hierarkisë, siç e ka Gjermania, ne praktikisht do të ishim bashkë me Gjermaninë në krye të punëve të Bashkimit Europian, por Gjermania është Gjermani dhe Shqipëria është Shqipëria.

Zoti Rama, roli i Shqipërisë në rajon sigurisht që është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet me vendet fqinjë. Por ndërkohë ende nuk ka një shkëmbim të vizitave mes Beoogradit dhe Tiranës në nivel kryeministrash. A do të ishit ju i gatshëm për ta bërë këtë, pra për të hedhur hapin e parë në këtë drejtim?

Edhe kjo temë u prek edhe në bisedën, që pata me kancelaren Merkel. Sigurisht që është një kohë e re për Ballkanin. Unë e kam thënë këtë qysh në krye të herës, që qysh me nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është mbyllur një epokë dhe është hapur një epokë. Ky është viti i parë në historinë e Ballkanit, që nis pa asnjë konflikt mes shteteve dhe vendeve dhe nga ana tjetër përkon me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore. 2014-a është një vit i jashtëzakonshëm për Ballkanin, i pari vit, ku s'ka një fqinj me pushkën drejtuar ndaj fqinjit tjetër.

Kështu që në këtë hapësirë të re, ku bashkëpunimi dhe ndërveprimi rajonal është në rend të ditës për të mirën e gjithë popujve, sigurisht që edhe marrëdhëniet tona me Serbinë do të zhvillohen në një trajtë tjetër, në trajtën e një marrëdhënieje mes njerëzish, popujsh, shtetesh, që jetojnë me të njëjtin rajon, me të njëjtat sfida dhe që së bashku mund të bëjmë shumë më tepër se sa të ndarë. Me siguri në këtë aspekt do të kemi edhe vizita të nivelit më të lartë.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi