1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rama: Komuniteti ndërkombëtar po luan rolin e tij, ne po luajmë tonin dhe qeveria duhet të luajë të vetin

Në ditën e 16-të të grevës së urisë së rreth 200 mbështetësve dhe deputetëve të opozitës në Shqipëri, rreth një e katërta, është dërguar në spital në gjendjë kritike. Për DW-në flet kryetari i PS-së Edi Rama .

Çadra e grevistëve të urisë para kryeminstrisë në Tiranë

kryetari i PS-së, Edi Rama

DW: Zoti Rama, ju keni thënë së fundi se zgjidhja e krizës është më afër se kurrë. Çfarë keni parasysh me këtë?

Rama: Ka një formulë zgjidhjeje që e garanton transparencën e shumëkërkuar dhe e mbyll këtë kapitull të stërgjatur, i cili nuk do të mbyllet në rast se pushteti, posaçërisht kryeministri, nuk do ta pranojnë zgjidhjen duke ecur kokëforcisht në qorrësokakun e mungesës së zgjidhjes.

DW: Ju jeni për variantin e hetimit të kutive me materialet zgjedhore, ndërkohë që për kutitë që mbajnë votat propozoni që të shprehet Komisioni i Venecias, i Këshillit të Europës. Pse kjo është rruga më e mirë?

Rama: Ekzakt. Kjo është një formulë zgjidhjeje mjaft e përshtatshme, e cila e garanton procesin e transparencës dhe i hap rrugë një kapitulli të ri ku në pikpamjen time të gjithë së bashku duhet të punojmë që Shqipëria të çlirohet nga zgjedhjet e deformuara dhe të kontestuara dhe çdo shqiptare e shqiptar të votojë lirisht dhe ta shikojë votën e vet të numërohet ndershmërisht. Ne do t' i japim parlamentit fuqinë që të bëjë transparencën për këto zgjedhje, por dhe për çdo proces zgjedhor deri në ditën kur do të konsolidohet një herë e mirë vetëdija qytetare demokratike se votat nuk preken, kutitë nuk mbushen me vota të fallsifikuara dhe se vullneti i zgjedhësve nuk cënohet.

DW: Zoti Rama, ku nga qëndrimet e fundit të kryeministrit Sali Berisha kuptohet se ai nuk është për propozimin tuaj, atëhere si do të gjehet kompromisi?

Rama: Unë vazhdoj të këmbëngul dhe ne të gjithë vazhdojmë të këmbëngulim se as nuk zbrapsemi e as nuk ndalemi në protestën tonë në kërkim të vendosjes së kësaj të drejte elementare për transparencë në themelin e procesit demokratik në Shqipëri. Uroj dhe shpresoj që procesi i refkletimit nga ana e Sali Berishës dhe këtij pushteti që më 28 qershor grabiti votat dhe vazhdon të qëndrojë kokëforcisht mbi kutitë e mbyllura, të zhvillohet si një proces i arësyetuar për të mirën e vendit dhe të njerëzve.

DW: Disa herë nga komuniteti ndërkombëtar ka apele se palët duhet të ulen të dialogojnë dhe kjo të bëhet në parlament. A mendoni ju se ky qëndrim nuk është në favor të grevës suaj të urisë?

Rama: Komuniteti ndërkombëtar po luan rolin e tij, ne po luajmë tonin dhe qeveria duhet të luajë të vetin.

DW: Mazhoranca thotë se hapja e kutive të votimit është një precedent i rrezikshëm se bie ndesh me vendimin e gjykatave, bie ndesh me Kushtetutën. Ju si e argumentoni kërkesën tuaj?

Rama: Alibia se këtu kontestohet vendimi i gjykatave është një nga ato që quhen “manovra në xunkth”, sepse gjithçka që ne kërkojmë nuk ka pikë lidhjeje me vendimin e gjykatave. Rezultati i zgjedhjeve është i vulosur në një proces ligjor që sado i kontestueshëm të jetë mbetet i pakontestueshëm nga pikëpamja ligjore. Ndërkohë që transparenca që ne synojmë nuk ka si qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve të shkuara, por garantimin e zgjedhjeve të ardhshme, që duhet të jenë fryt i vullnetit të popullit të shprehur me votë. Dhe jo i fuqisë së pushtetit për të deformuar vullnetin e popullit.

DW: Zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ju kanë apeluar së fundi që të mos bllokoni me protestat tuaja rrugët dhe sheshet. Madje ata kërkojnë dhe që ju ta lironi sheshin para kryeministrisë, ku po bëhet greva e urisë e opozitës, pasi kjo përbën problem për trafikun në qëndër të Tiranës. Cili është qëndrimi juaj në vijim?

Rama: Këto i konsideroj qesharake, ndërkohë që shoh me keqardhje jo vetëm në këto apele por në tërësinë e reagimeve të pushtetit, një ngjashmëri fort të madhe me reagimet e Partisë së Punës kur ishte në shpartallim e sipër, në procesin e kalimit nga diktatura në demokraci, nga mungesa e plotë e lirisë në krijimin e hapësirave të lirisë.

DW: Kryeministri ju bëri thirrje të shtunën që të lejoni ekipet e mjekëve të shikojnë grevistët dhe të bëjnë detyrën e tyre brenda ambjenteve ku ata po qëndrojnë. Do t'i lejoni ata, apo do ta përballoni gjendjen vetëm me ekipin tuaj shëndetësor?


Rama: Kjo është pjesë e një strategjie komunikimi për të të ardhur keq nga ana e zotit Berisha, i cili shkëput vëmendjen nga thelbi i çështjes dhe merret me probleme anësore që në fakt nuk janë probleme. E kemi thënë qysh në krye të herës: se në rast se qeveria kërkon të inspektojë me një ekip mjekësh grevën e urisë, e ka të mundur ta bëjë këtë në çdo moment. Në një kohë që ekipin e mjekëve që i qëndrojnë grevistëve mbi kokë ne e kemi të garantuar, e kemi të specializuar dhe e kemi të përkushtuar. Dhe këtu nuk ka asnjë problem dhe asnjë boshllëk.

DW: Po bëhen 16 ditë që rreth 200 mbështetës dhe deputetë të opozitës kanë hyrë në grevë. Rreth një e katërta tyre është dërguar në spital në gjendjë kritike. Sa do të vazhdojë aksioni juaj me privimin e të ushqyerit?

Rama: Kufiri fizik që ka kjo grevë nuk është kufiri që ka protesta jonë dhe as vetë greva. Ne nuk ndalemi dhe kërkimi i së drejtës elementare, që nuk është vetëm e jona, por është e drejta e çdo shqiptari e shqiptareje nuk rresht deri në momentin se kur kjo e drejtë do të vendoset. Është marrëzi dhe iluzion shumë i gabuar mendimi se ne do të lodhemi, se me shterrimin e fuqive të grevistëve të urisë do të shterojë edhe fuqia jonë për të protestuar dhe se ato çadra në boulevard do të ngrihen kur forcat e grevistëve të urisë të jenë ezauruar. Nuk ka asnjë mundësi që të ndodhë kështu. E kundërta është e vërtetë: që ne do ta çojmë përpara këtë kauzë dhe do të garantojmë transparencën në funksion të së ardhmes të vendit dhe të shoqërisë sonë.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktioi: Vilma Filaj-Ballvora

DW.COM

  • Data 16.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NPHp
  • Data 16.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NPHp