1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rama apo Basha? Gara për Tiranën

6 Maj 2011

Dy kadidatët kryesorë për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha (PD) dhe Edi Rama (PS) shprehen për DW-në me këndështrime të kundërta për gjendjen aktuale të kryeqytetit dhe perspektivën e tij.

https://p.dw.com/p/11ApX
Pamje simbolikeFotografi: DW

Megjithëse janë zgjedhje lokale dhe ka garim kandidatësh dhe subjektesh politike në të gjitha ndarjet administrative të Shqipërisë, “antenat” dhe “prozhektorët” më së shumti janë instaluar në kryeqytet. Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe shefi i opozitës shqiptare Edi Rama kërkon mandatin e katërt në këtë post. Kurse përballë tij është Lulzim Basha, i cili ka disa javë që ka dorëzuar postin e ministrit të Brendshëm dhe mandatin e deputetit për të përfaqësuar “Aleancën për Qytetarin” në drejtimin e bashkisë më të madhe në Shqipëri.

Të dy kandidatët në 4 – 5 javët e fundit kanë bërë kilometra rrugëtim duke takuar votues të Tiranës, në qëndër dhe periferi, ju kanë treguar projekte dhe plane për kryeqytetin e së nesërmes, kanë zhvilluar tubime publike, fjalime dhe veprimtari argëtuese. Ata në mënyrë të ndërsjelltë kanë nxjerrë në pah dhe të metat e dobësitë e kundërshtarit, në një fushatë që gjithësesi po mbyllet pa fyerje dhe anatemime. Rama dhe Basha nuk kanë zhvilluar një debat mes tyre, si vijim i një tradite politike që rrallë, shumë rrallë, ka preferuar përballjen televizive, ose në publik mes konkurentëve.

Mr. Lulzim Basha
Lulzim Basha, pretendenti për bashkinë kandidat i PD-sFotografi: DW

Basha: Rama i përkushtuar tek betejat politike

Për kandidatin Lulzim Basha kundërshtari i tij është përfaqësues - si e quan ai për DW-në - i rrugës dhe politikës së vjetër të konflikteve, të cilat e kanë marrë peng Tiranën, kanë marrë peng zhvillimin e saj. “Kryebashkiaku është tërësisht i preokupuar për betejat e tij politike dhe jo për hallet e problemet e qytetarëve të Tiranës. Këto beteja politike nuk i kanë bërë asgjë të mirë Tiranës, nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë të vetme, nuk kanë hapur asnjë rrugë të re, nuk kanë krijuar asnjë vend të ri pune, nuk kanë kontribuar për të ulur asnjë cmim të vetëm të mallrave të përditshëm. Tirana ka sot probleme të mëdha, probleme të akumuluara dhe për fat të keq këto do të trashëgojmë dhe jo zgjidhjen e tyre. Por për secilën prej këtyre problemeve ka një zgjidhje. Këto zgjidhje mund të bëhen realitet vetëm nëse ne të gjithë së bashku punojmë për një Tiranë ndryshe.”

Albanien Oppositionspolitiker Edi Rama
Edi Rama i PS-s, do mandatin e katërtFotografi: dapd

Rama: Basha përgjegjës për vrasjen e të pafajshmëve

Kandidati për koalicionin opozitar “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama , e cilëson si mjaft trishtues faktin që kundërshtarët e tij kanë vendosur si konkurent një individ që - si thotë ai për DW "në asnjë vend dhe shoqëri normale nuk do të duhej dhe nuk do të mund të merrej me politikë për shkak të përgjegjësisë direkte që ka në vrasjen e njerëzve të pafajshëm, apo dhe për bëma të tjera që ai ka bërë në ushtrimin e funksioneve publike."

“Më 8 maj qytetarët e Tiranës duhet dhe do të votojnë për Tiranën e ndryshuar rrënjësisht, që ecën e sigurtë në rrugën e ndryshimit të vazhdueshëm drejt realizmit të një ëndrre që dukej tërësisht e pamundur vite më parë, aq sa askush nuk guxonte ta shihte. Nga ana tjetër qytetarët e Tiranës janë plotësisht të vetëdijshëm se ky qytet, i punëve dhe projekteve të mëdha ka nevojë për votën e tyre ashtu sikundër Shqipëria ka nevojë për votën e tyre.”

Edi Rama mendon se qytetarët në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë do t'i thonë ‘kurrë më' një qeverie që është kthyer në një regjim, që grabiti votat për të grabitur Shqipërinë, e pastaj vrau njerëz të pafajshëm për të vazhduar të grabisë.

“Zgjedhja është e qartë: vota më 8 maj është për Tiranën evropiane, për Shqipërinë Europiane. Në rradhë të parë si një shoqëri që nuk mund të pranojë të vihet nën presion dhe të kërcënohet për votën e pastaj si një vend që mund të jetë vëndi i ëndrrave dhe shpresave të cdo qytetari të zakonshëm, duke e vënë qeverinë në varësi të popullit dhe jo duke e pasur popullin në varësi të qeverisë”.

Ndërkohë kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, shpreh përkushtimin që betejat e tij të vetme do të jenë vetëm betejat e qytetarëve të Tiranës. “Unë do të punoj fort për punësimin, do të punoj për të hapur vende të reja pune, do të punoj për paga dinjitoze, do të punoj për të normalizuar cmimet duke ulur taksat dhe duke goditur spekulatorët në qytet. Do të punoj për të ndërtuar unazën e madhe, linjën e tramvajit, parqe të reja. Pra, do të punoj për një Tiranë moderne evropiane, për një bashki që është pranë qytetarëve të Tiranës. Sikundër gjatë fushatës edhe pas datës 8 maj unë do t'i pres qytetarët e Tiranës në orare të caktuara zyrtare çdo javë dhe do të gjendem pranë tyre. Vendimarrja do të jetë një vendimarrje e përbashkët. Këto janë arësyet që unë kërkoj një votë nga qytetarët e Tiranës, për një Tiranë moderne evropiane”.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Bahri Cani