1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rakipi: Kartat e reja të identitetit do të kenë efekt pozitiv në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë

Arben Muka12 Janar 2009

Intervistë me drejtorin e Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë, Albert Rakipi mbi efektet pozitive pas pajisjes së qytetarëve me dokumenta cilësorë të identifikimit

https://p.dw.com/p/GWeI
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa/Helga Lade Fotoagentur GmbH/DW

DW: Zoti Rakipi, sot në Tiranë ka nisur aplikimi për qytetarët që të pajisen me kartat e reja të identitetit. Si e shikoni ju këtë proces në kuadër të aspiratës së qytetarëve për heqjen e vizave për udhëtimin jashtë vendit, pra për lëvizjen e tyre të lirë?

Rakipi: Ndonëse kanë kaluar rreth dy dekada nga rënia e murit të Berlinit, e perdes së hekurt, që ndante kontinentin në dy pjesë, sërish ekziston një "mur " tjetër që ndan vendet e Ballkanit Përendimor nga pjesa tjetër, i cili nuk lejon lëvizjen e tyre normale për në territorin Shengen. Kjo lidhet me shumë faktorë ekonomikë politikë socialë etj., me kërkesat dhe standartet që duhet të përmbushen për integrimin e vendeve ballanike në familjen e BE-së. Gjatë 20 viteve të fundit nga këto vende janë bërë mjaft hapa për ndërtimin e shoqërive të hapura e demokratike. Një standard i shoqërisë së hapur është lëvizja e lirë e shtetasve, që parashikohet dhe në paketën e të drejtave universiale të njeriut.

Ka një lloj paradoksi në këtë mes. Kur nga Perëndimi ka një investim të jashtëzakonshëm që vendet e Ballkanit të shndërrohen në shoqëri të hapura, ndërkohë që po nga Perëndimi kemi "murin" e palëvizshëm të vizave që nuk ndihmon në avancimin e procesit. Ka përpjekje nga elitat, nga klasat politike dhe autoritetet e vendeve ballkanike që t'i kërkojnë vazhdimisht BE-së, si një e tërë apo në shtete të veçanta anëtare, që të ketë më shumë hapësira ne garantimin e levizjes së lirë të shtetasve të tyre. Fakti që nisën më në fund të përgatiten dokumentet cilësore të identifikimit të shtetasve do të shoqërohet me impakte pozitive në procesin e lëvizjes së lirë. Qeveritë e disa vendeve europiane e kanë justifikuar reduktimin e dhënies së vizave me argumentin e mungesës deri më sot të dokumenteve sipas standardeve, tashmë mbetet të verifikohet predispozita e tyre.

DW: Instituti për Studimet Ndërkombëtare ka organizuar shpesh anketime dhe vëzhgime mbi perceptimet e qytetarëve në Shqipëri për BE-në dhe për procesin e integrimit të vendit në të. Cilat janë të dhënat më të fundit në këtë aspekt?

Rakipi: BE në Shqipëri gëzon një popullaritet më të madh krahasuar me vendet e tjera të rajonit që aspirojnë anëtarësimin. Nga anketimet e fundit tonat për këtë problem, pyetjes se pse ata janë pro anëtarësimit në BE, më shumë se 44 përqind e popullatës e argumentojnë qëndrimin e tyre me shpresën se do të liberalizohen vizat dhe do të ketë lëvizjë të lirë. Shifra interpretohet me kujdes. Së pari, kjo tregon se qytetarët e kanë shumë problem këtë kufizim të lëvizjes, dhe së dyti duke e parë në aspektin politik, kjo u shërben autoriteteve dhe aktorëve vendas të tjerë, që të bëjnë më shumë në këtë aspekt, për t'u siguruar më shumë hapësira dhe për të bërë më shumë presion tek institucionet e BE-së.

DW: Më konkretisht cili duhet të jetë angazhimi i autoriteteve zyrtare?

Rakipi: Ka një përvojë të vendeve të tjera të rajonit, të cilat ndeshen si ne me problemin e kufizimit të lëvizjes së lirë. Pra, duhet që autoritetet krahas negociatave që bëjnë me Komisionin Europian, të zhvillojnë bisedime dhe të arrijnë marrëveshje bilaterale me shtete të ndryshme anëtare për çështjen e liberalizimit të vizave. Kjo jep efekt gjatë kësaj periudhe derisa të finalizohet plotësisht procesi me BE si e tërë. Viti 2009 do të jetë mjaft i rëndësishëm për të parë rezultatet konkrete që kanë nga njëra anë vendet e BE-së si dhe shtetet e Ballkanit Përendimor për të bërë të mundur qarkullimin e lirë të qytetarëve, që e theksoj, hyn në paketën e të drejtave universale të njeriut.