1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rajoni i Danubit - përparësitë dhe potencialet

Danubi kalon nga jugu i Gjermanisë deri në Detin e Zi nëpër 10 vende. Ai lidh vende ku jetojnë gati një e katërta e banorëve të Evropës. Danubi ishte në qendër të vëmendjes edhe në një konferencë në Regensburg.

Minoriteti gjerman që jetonte rreth Danubit i njohur si "shvabe", është i njohur në të gjithë Evropën Juglindore. Ata janë ngulitur përgjatë Danubit që në shekullin e 17 dhe kanë influencuar shumë zhvillimin ekonomik të këtij rajoni. Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë i ka ndarë ata në vende të ndryshme që shtrihen përgjat këtij lumi.

Pasojat mund të vërehen edhe sot: aktualisht shfrytëzohen vetëm 10 % e kapaciteteve të transportit ujor. Ndërkohë që bashkëpunimi rajonal gati nuk ekziston. Vendet fqinje si Bullgaria dhe Rumania tregtojnë më shumë me Gjermaninë se sa me njëra-tjetrën, sepse mungon ura mbi lumin Danub. Vendet përreth Danubit kanë probleme me ekologjinë, mungesën e energjisë elektrike, infrastrukturën e dobët dhe mungesën e perspektivës për gjeneratat e reja.

Vetëm 10 për qind e rrugëve të transportit në Danub janë në shfrytëzim.

Vetëm 10 për qind e rrugëve të transportit në Danub janë në shfrytëzim.

Mungesa e tregut

Strategjia e Danubit e Bashkimit Evropian është ajo që tani duhet të ndihmojë këto vende për një bashkëpunim më të ngushtë rajonal. Projekti ka në qendër të vëmendjes ruajtjen e mjedisit, kulturën, shkencën, sigurinë dhe në radhë të parë forcimin e ekonomisë. Në këtë projekt duhet të marrin pjesë tetë vende të BE-së: Bullgaria, Gjermania, Austria, Çekia, Hungaria, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, si dhe vendet jashtë BE-së si Kroacia, Serbia, Bosnjë e Herdegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë dhe Ukraina.

Një vit pas miratimit të strategjisë prej Këshillit të Evropës, tani kanë filluar edhe projekte të ndryshme. Ndër to është edhe ai i landit gjerman Baden-Württemberg, ku Danubi rrjedh si një lumë i vogël. Përveç aftësimit të ekspertëve të administratës, projekti që realizohet së bashku me universitetet në Serbi, Rumani dhe Sllovaki, ka si qëllim edhe krijimin e qendrave për teknologji. Detyra e tyre kryesore është transferimi i njohurive shkencore dhe përfitimet ekonomike nga këto njohuri. Kjo është edhe në interesin e Gjermanisë, mendon ministri për Evropën i këtij landi Peter Friederich.

Peter Friedrich: Të organizohet transferimi i dijes në rajonin e Danubit.

Peter Friedrich: "Të organizohet transferimi i dijes në rajonin e Danubit."

"Ne duhet të aftësojmë forcë puntore sepse në landin tonë për shkaqe demografike nuk do të ketë një numër të mjaftueshëm ekspertësh. Tregu po rritet dhe ne duam që edhe këto vende të kenë ekspertët e tyre", thotë ai.

Problemet strukturore

Për strategjinë e Danubit nuk do të ketë para shtesë nga BE-ja. Para ka mjaft. Por shumë vende të EJL, në radhë të parë Rumania, nuk po i shfrytëzojnë këto mjete. Pengesa kryesore: organizimi i dobët i administratës në shumë rajone dhe burokracia tepër e madhe. Një problem tjetër serioz është edhe korrupsioni brenda strukturave, që pengon edhe investimet e sipërmarrjeve gjermane në këto vende.

Angela Merkel: Nuk do të ketë fonde shtesë nga qeveria gjermane.

Angela Merkel: "Nuk do të ketë fonde shtesë nga qeveria gjermane."

Kanclelarja gjermane Angela Merkel bëri të qartë se qeveria gjermane nuk do të ndajë para të tjera për këtë strategji. Evropa duhet të mësojë se vendimet duhet të zbatohen. Strategjia për Danubin mund të jetë një shembull i mirë.

"Ndaj do të shikojmë me vëmendje se si po realizohet kjo strategji. Çfarë ëshë realizuar dhe çfarë jo. Në Evropë duhet të mësojmë se projektet e realizuara më së miri edhe duhet të shpërblehen. Ndërsa ata që nuk i kanë realizuar premtimet, duhet të kuptojnë se kjo nuk shkon", theksoi Merkel.

Potencialet e zhvillimit

Kriza po ndjehet edhe në zonën e Danubit. Vendet që shtrihen përgjat këtij lumi duhet të shfrytëzojnë më mirë potencialet e tyre, mendon komisioneri i BE-së për rajonet Johannes Hahn.

Komisioneri i BE-së për rajonet, Johannes Hahn.

Komisioneri i BE-së për rajonet, Johannes Hahn.

"Në Evropë duhet të ketë më shumë zhvillim dhe vende të reja pune, për të tejkaluar krizën. Ndaj rajoni i Danubit duhet të jetë në fokus, sepse këtu ka potenciale të mëdha për zhvillim dhe bashkëpunim", pohon ai.

Deri në arritjen e këtij zhvillimi do të kalojë edhe shumë kohë. Ndërkohë që vendet përgjatë Danubit, në radhë të parë Serbia dhe Rumania, janë aktualisht vendet me shifrat më të larta të njerëzve që ikin në vende të tjera.