1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rahr: "Rusia nuk mund ta evitojë pavarësinë e Kosovës"

Intervistë me ekspertin e Institutit Gjerman Shkenca dhe Politika në Berlin, Aleksander Rahr lidhur me qëndrimet ruse ndaj Kosovës.

default

Alexander Rahr, politolog

DW: Cilat janë shkaqet për një qëndrim kaq të prerë rus?


Rahr: "Rusia është e mendimit se njohja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Prandaj kërkon që pavarësia të njihet prej të dyja palëve, shqiptarëve të Kosovës dhe palës serbe. Në rast mungese të kompromisit është e mundur që Rusia të përdorë veton në KS të OKB".


DW: Mirëpo me siguri që nuk është vetëm e drejta ndërkombëtare shkaku për të cilin Rusia i del në mbrojtje Serbisë. Në veçanti ku dihet se Rusia ka probleme serioze të brendëshme, siç është Çeçenia për shembull.


Rahr: "Natyrisht që Rusia po përpiqet të krijojë një botë multipolare. Me të gjitha mjetet dhe në të gjitha anët po lufton kundër, siç thonë rusët, botës unipolare sipas dëshirës amerikane. Rasti i Kosovës për Moskën është një dëshmi se perëndimi po përpiqet t'i imponojë vendimet dhe rregullat e veta, që nuk është sipas dëshirës së Rusisë dhe Kinës."


DW: Negociatat e dy viteve të fundit kanë dëshmuar se Prishtina dhe Beogradi nuk mund të arrijnë marrëveshje për ardhmërinë e Kosovës. Prandaj në perëndim dhe në Prishtinë roli i Rusisë është quajtur destruktiv, sepse vazhdimi i status quosë mund të çojë deri tek shpërthimi i dhunës.


Rahr: "Shtrohet pyetja nëse vetëm njëra palë ka plotësisht të drejtë, ndërsa tjetra e ka plotësisht gabim. Nuk është vetëm Rusia ajo e cila kërkon që të mos njihet pavarësia e Kosovës. Mendoj se gjërat do të zhvillohen sipas propozimit të diplomatit gjerman, Volfgang Ishinger (ëolfgang Ischinger) i cili tha se një pjesë e botës do ta njoh pavarësinë e Kosovës, pjesa tjetër jo, e çfarë do të ndodhë pas pesë apo dhjetë vitesh nuk mund të thuhet sot."


DW: A do të bëjnë përpjekje territoret e banurara me shumicë ruse në shtetet tjera, që Kosovën ta shfrytëzojnë si precedencë për shpalljen e pavarësisë?


Rahr: "Ky rrezik ekziston. Jo vetëm territoret e banuara me shumicë ruse, por edhe të tjerët do të shikojnë me shumë vëmendje bazat mbi të cilat Kosova do të shpallë pavarësinë."


DW: Serbia dhe Rusia kanë kërcënuar se kurrë nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, a është në gjendje Moska ta evitojë këtë pavarësi, pas që është e qartë se SHBA dhe BE do ta njohin atë?


Rahr: "Rusia nuk ka mundësi ta evitojë pavarësinë e Kosovës. Nuk e besoj as që Rusia do të përdorë ndonjë bllokadë ekonomike ndaj perëndimit, por raportet mes tyre do të prishen për një kohë. Pyetja që duhet shtruar është se çfarë do të bëjë perëndimi në qoftë se Rusia e mbështetë pavarësinë e Republikës së Abhazisë, Osetisë Jugore apo Transnistrisë, sepse me siguri që kjo do të shkaktonte një konflikt edhe më të ashpër. Megjithatë unë besoj se BE edhe më tej ka mjete për t'i dalë përballë Beogradit dhe për ta bindur atë që në momentin e fundit ta pranojë vendimin si kompromis, me kusht që t'ia hapë perspektivën e anëtarësimit në BE."


  • Data 18.01.2008
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CuNp
  • Data 18.01.2008
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CuNp