1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Radovan Karagjiq dhe Biljana Plavshiq dënohen në Paris

16 Mars 2011

Një gjykatë e lartë në Paris shpalli fajtorë ish udhëheqësit e Republikës Srpska, Radovan Karagjiq dhe Biljana Plavshiq, për vuajtjet e anëtarëve të familjes Kovaç. Ata duhet të paguajnë dëmshpërblim mbi 200 euro.

https://p.dw.com/p/10act
Adil dhe Zuhra Kovaç me avokatin JurasinovicFotografi: DW

Padia në emër të familjes Kovaç është ngritur qysh në vitin 2005 nga avokati francez Ivan Jurashinoviq bazuar në faktin se Tribunali i Hagës, në të cilin të akuzuarit janë në gjyq për krime lufte ka lënë në dorë të sistemeve gjyqësore kombëtare procedurat për zhdëmtimin e viktimave. U deshën mbi 30 seanca gjyqësore dhe pesë vjet e gjysëm procedura për t'u provuar se drejtësia franceze ka të drejtë të mirret me një proces të tillë. Përfundimisht gjykata franceze vendosi: Karagjiqi dhe Plavshiqi duhet t'i paguajnë familjes Kovaç një kompensim prej 201.500 euro.

„Kjo është një fitore e madhe e drejtësisë, për shkak se këta kriminelë të luftës u dënuan në Paris, ashtu si nuk janë dënuar deri tani në Hagë“, tha për Deutsche Wellen Zuhra Kovaç pas shpalljes së vendimit. "Atë, që nuk arriti ta bëj Gjykata e Hagës, e bëri gjykata e Parisit. Tani ndjehem më mirë moralisht. Nuk janë në pyetje vetëm paratë, mund të më kuptoni, kjo është një fitore morale. Ne e kishim filluar procesin kundër tyre, por nuk e dinim se a do të fitojmë, se a do t'ia dalim deri në fund”, thotë Zuhra Kovaç.

Vuajtjet e luftës

Anëtarët e familjes Kovaç nga rrethina e Foçës nuk i kanë harruar ende vuajtjet dhe traumat e kohës së luftës. Babai i familjes, Adili, i vuan ende torturat e anëtarëve të Ushtrisë së Republikës Serbe, të cilët në prill të vitit 1992 kishin rrethuar shtëpinë e tyre. Ai është rrahur aq rëndë nga ushtarët, saqë gruaja dhe dy fëmijët e tij atëherë të mitur kishin menduar se kishte vdekur. Shtëpia e tyre ishte e djegur me gjithçka kishin brenda dhe ata ishin nisur në rrugën e mërgimt për të gjetur azil në qytetin francez Angers, ku edhe takuan avokatin e ri, që filloi të mirret me këtë proces.

Flash Galerie Urteil gegen Karadzic und Plavsic in Paris
Pas shqiptimit të vendimit kundër Karaxhiqit dhe PlavshiqitFotografi: DW

Avokati Jurashinoviq me origjinë nga Bosnja, por i lindur në Francë, përfundoi me sukses procedurën e parë civile për dëmshpërblime të luftës para ndonjë gjykate evropiane. „Sot ishte një ditë e veçantë. E kishim pritur këtë vendim një kohë kaq të gjatë. Unë jam shumë i kënaqur me rezultatin. Nuk është dënuar vetëm Biljana Plavshiqi, por edhe Radovan Karagjiqi. Bile ai për dallim nga Biljana Plavshiqi nuk është dënuar në Hagë dhe gjykata e Parisit gjeti mjaft prova për fajësinë e tij, në bazë të së cilave mund ta dënojë atë. Ky është një vendim historik. Ai relativizon edhe rolin e Tribunalit të Hagës. Pavarësisht vendimit, që do të mirret në Hagë, zoti Karagjiq për drejtësinë franceze është kriminel luftë“, tha avokati Jurashinoviq.

Avokati Jurashinoviq ka paditur edhe Momqillo Krajshnikun dhe Ratko Mlladiqin. Megjithatë gjykata parisiane tha se nuk është kompetente për dënimin e Krajshikut, ndërsa Mlladiqin do të dënojnë kur të kapet nga autoritetet e drejtësisë dhe të dërgohet në Hagë.

Autor: Xhevad Sabljakoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica