1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Radio Televizioni i Kosovës pritet të përballet me vështirësi financiare

Transmetuesi i vetëm publik në Kosovë pritet të përballet me vështirësi financiare. KEK pritet t’i shkëpusë kontratën RTK-së, me të cilën qytetarët, me faturat e energjisë elektrike kanë paguar për transmetuesin publik.

Pamje nga Prishtina

Radio Televizioni i Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, si transmetuesi i vetëm publik në Kosovë. Fondet për themelimin e televizioni u siguruan nga donacionet e shumta që vinin në Kosovë në kuadër të ndërtimit të demokracisë. Në këtë linjë u mendua që do të luaje një rol të madh edhe RTK-së, si një medium i pavarur. Për të mbijetuar me fonde, transmetuesi publik i Kosovës nënshkroi një kontratë me Korporatën Elektroenergjjetike të Kosovës, ku qytetarët nëpërmes faturave të energjisë paguanin edhe 3.5 euro shtesë për RTK-së. Kjo kontratë vazhdoi për vite të tëra, mirëpo, tash zyrtarë të KEK-ut, njoftojnë se kontrata e parapagimit për transmetuesin publik pritet të shkëputet në nëntor të këtij viti. Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut thotë se kjo korporatë në rastin e pagesave të obligueshme për RTK-në, ka luajtur vetëm rolin e një agjenti dhe asgjë më shumë.

“Arsyetimi pse nuk do të vazhdohet kontrata, është fakti se distribucioni i KEK-ut po ecën në fazën e privatizimit dhe shumë shpejt këtë distribucion Ministria e Financave do ta regjistrojë në agjensinë e bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Pra, distribucioni do të privatizohet dhe kontrata me RTK-në në këto kushte është e pamundur të vazhdohet”, thotë Viktor Buzhala.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Agim Zatriqi, thotë se pavarësia editoriale e transmetuesit publik është thelbësore për informimin e qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, pa një qëndrueshmëri financiare nuk mund të bëhët fjalë për pavarësi editoriale.

“Çfarëdo zgjidhje tjetër, përfshirë edhe kthimin eventual të RTK-së përkohësisht në buxhetin e Kosovës, do të shënonte kthim prapa për shoqërinë kosovare dhe kjo do të ishte në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare për ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë. Pra, kthimi i RTK-së në Buxhetin e Kosovës automatikisht do të shënonte shtetëzim të RTK-së”, thotë Agim Zatriqi.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës thotë se ndërprerja e kontratës së parapagimit të RTK-së, e cila deri tash është bërë nëpërmes faturave të KEK-ut, do ta dëmtojë transmetuesin e vetëm publik në Kosovë. Bul Salihu, anëtar bordi i këtij asociacioni, AGPK-së, thotë se ekzekutivi i vendit duhet të gjejë forma të qëndrueshme për financimin e transmetuesit publik.

“AGPK-ja kërkon nga mekanizmat ndërkombëtarë që të bëjnë presion mbi qeverinë dhe partitë politike që në radhë të parë të ruhet pavarësia editoriale e këtij mediumi. Poashtu, AGPK-ja kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të gjejnë një menyrë të qëndrueshme të financimit që do ta garantonte pavarësinë editoriale të RTK-së”, thotë Bul Salihu.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar ligjin për RTK-në, ku një pjesë e buxhetit për këtë televizion sigurohet nga Buxheti i Kosovës, ndërsa pjesa më e madhe nga paraparimi i obligueshëm që duhet të bëhet nga qytetarët. Zyrtarë të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës akoma nuk e dinë se në cfarë forme do të mbledhë RTK -ja fonde nga qytetarët, nëse përfundimisht shkëputet kontrata me KEK-un.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi


  • Data 04.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3NY
  • Data 04.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I3NY