1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Radikal nga dëshpërimi

Shumë aktivistë kanë kohë që nuk besojnë më në një zgjidhje politike të konfliktit me presidentin Janukoviç. Ata u drejtohen grupeve të djathta - megjithëse nuk i mbështesin fare mendimet e tyre.

Burra me maska ngrohen në sobë të ndryshkur. Është ora 1 e natës. Që ata i përkasin lëvizjes radikale të djathtë "Pravyj Sektor" e mëson vetëm përmes personave të besuar. Burrat i bëjnë bisht publikut. Ata i kërconojnë deri 15 vjet arrest, që kur lëvizja u kategorizua si ekstremiste nga qeveria.

Luftë me të gjitha mjetet

Njëri nga burrat guxon që ta heqë maskën. Ai është i ri, rreth të 30-ave. Vështrimi i tij duket i lodhur, por fjalët e tij janë të vendosura. "Unë jam këtu, sepse durimi im ka marrë fund. Unë nuk kam punë. Firma e vëllait tim, ku kam punuar, thjesht u zaptua nga njerëzit e klanit të Janukoviçit. Vëllai im ka një djalë të vogël dhe qendroi në shtëpi. Po unë jam këtu dhe nuk kam frikë që të vdes", tregon i riu nga qyteti Berdjansk i Ukrainës së Jugut.

Me ideologjinë ekstremiste të djathtë të "Pravyj Sektor" ai nuk dëshiron të ketë të bëjë. Ideologët e kësaj lëvizjeje ultranacionaliste mbrojnë një botëkuptim etnocentrik. Ata e refuzojnë pluralizmin në politikë, demokracinë dhe vlerat liberale. Afrimin me BE ultranacionalistët e refuzojnë njësoj si lidhjen me Rusinë.

Rreth 500 luftëtarë ka ndërkohë "Pravyj Sektor". Ky bashkim i organizatave ultranacionaliste u krijua dy muaj më parë, si reagim ndaj shpërbërjes së dhunshme të demonstratave paqësore kundër presidentit Janukoviç. Menjëherë organizata nisi t'i shkollojë anëtarët e saj ushtarakisht, t'i armatosë me maska antigaz dhe me shkopinj goditjeje. Përgatitja e shisheve me lëndë djegëse bën pjesë në trajnim.

Zhvendosje nga e djathta në Maidan

Këto veprime të vendosura gjejnë mbështetje tek aktivistët e Maidanit. "Ndërkohë edhe unë jam radikal", thotë artisti Andrij Jermolenko në bisedë me DW. "Ne - artistët, studentët, sipërmarrësit - demonstrojmë për muaj të tërë paqësisht kundër qeverisë. Kur e humbëm durimin, na damkosën si ekstremistë ose radikalë. Po atëherë ne të tillë jemi. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër këtyre pushtetmbajtësve, që na mashtrojnë", thotë Jermolenko. Ai thotë se nuk do të largohet nga sheshi edhe sikur opozita të bëjë ndonjë marrëveshje me presidentin. "Ne përfundojmë të gjithë në burg, po ikëm", thotë ai.

Sa më shumë të zgjasin negociatat e opozitës me presidentin, pa rezultate konkrete, aq më me gjasa bëhet një valë e re dhune, druhen aktivistët. Drejtuesit e "Pravyj Sektor" e anuluan në fundjavë armëpushimin dhe kanë bërë thirrje për një bllokadë të re të lagjes qeveritare. Që forcat e sigurisë të Ukrainës e kanë tani zyrtarisht të lejuar përdorimin e armëve të zjarrit, kjo nuk i ndal ata.