1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Radikalët e djathtë grekë pas kangjellave të burgut

Një njësi antiterror e policisë greke arrestoi disa deputetë të partisë ekstremiste të djathtë "Agimi i Artë" - një ngjarje unikale deri tani. Reagimet për këtë janë të shumta.

Këtë nuk e kishin pritur as kundërshtarët më të ashpër të "Agimit të Artë": me pranga në duar, para kamerave televizive i gjithë grupi udhëheqës i partisë "Agimi i Artë" u dërgua të shtunën (28.09.2013) në komisariatin e policisë së Athinës për t'u marrë në pyetje. Prokuroria i akuzon deputetët e djathtë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe ka bastisur zyra të partisë, banesa private të politikanëve të arrestuar - madje edhe zyrat e tyre në sallën plenare të Parlamentit grek - një mënyrë veprimi deri tani e paprecedentë në demokracinë greke.

U arrestuan ndër të tjera vetë kryetari i Partisë, Nikolaos Michalolakios, deputeti përgjegjës për punën me sindikatat, Jannis Lagos si dhe zëdhënësi i partisë, Ilias Kassidiaris. Policia kërkon veç kësaj edhe kryetarin e grupit parlamentar, Christos Pappas, i cili besohet se është zëvendëspresident i shoqatës kriminale, si dhe 12 persona të tjerë. Që prej qershorit 2012, "Agimi i Artë" përfaqësohet me 18 deputetë në parlamentin e Athinës.

Përndiqen jo mendësitë, por veprat

Shkas për veprimet e ashpra kundër radikalëve të djathtë ishte me sa duket vrasja me thikë e muzikantit të muzikës Hip-Hop, Pavlos Fyssas në një lagje periferike punëtorësh javën e kaluar (18.09.2013). I dyshuari si doras u kap menjëherë dhe tha se ishte anëtar i partisë radikale të djathtë, gjë që kjo e kundërshton. Prej atëherë, politikanë të qeverisë deklarojnë në çdo rast që u jepet se dhuna me motive fashiste nuk duhet pranuar. "Në një demokraci nuk duhen përndjekur mendësitë, por veprat. Aktivitete kriminale të trupave të goditjes SA ( "Sturm Abteilung", organizatë paraushtarake naziste në Luftën e Dytë Botërore) gjithësesi duhen ndëshkuar", paralajmëroi kryeministri konservator Antonis Samaras në një intervistë me gazetën e përjavshme të Athinës, Axia, vetëm pak prëpara aksionit të policisë.

Mbështetës të Partisë Agimi i Artë para komisariatit të policisë në Athinë

Mbështetës të Partisë "Agimi i Artë" para komisariatit të policisë në Athinë

Shumica e komentatorëve e përshëndesin aksionin e ashpër kundër Agimit të Artë. "Unë nuk jam gëzuar kurrë më parë kaq shumë sa tani, kur kam parë njerëz në pranga", mendon analisti i politikës Jannis Pretenderis në kanalin televiziv Mega Channel. Këta njerëz u mposhtën pikërisht nga rregullat e demokracisë, të cilën donin ta nxirrnin në fakt jashtë funksionit, komenton analisti politik i Athinës.

Alexis Papachelas, drejtor i gazetës liberale-konservatore Kathimerini tregohet i habitur për mirë: "Nuk e patëm menduar kurrë, që do të përjetojmë një gjë të tillë," deklaroi Papachelas në kanalin televiziv Skai. Ministrit të Rendit Publik, Nikos Dendias gazetari i shpreh me këtë rast mirënjohjen e tij. "Ai mori mbi vete një rrezik të konsiderueshëm, sepse edhe vetë në qeveri nuk qenë të gjithë dakord me taktikën e tij."

Rreziqe juridike

Sipas mendimit të komentatorëve, rreziku konsiston edhe në faktin se aksioni i policisë do ta bëjë të pakapshme nga organet juridike Agimin e Artë. Meqenëse bëhet fjalë për një akt të paprecedent, nuk ka as rregulla të përcaktuara qartë për ekstremistët e djathtë.

Ajo që është e qartë është se për momentin nuk diskutohet një ndalim i Agimit të Artë, aq më tepër që në Greqi nuk ka gjykatë kushtetuese, që të mund ta shqiptonte këtë ndalim. Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Dendias synon të marrë për bazë ligjet penale ekzistuese dhe ta kualifikojë Agimin e Artë në këtë kuptim si organizatë kriminale.