1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rücker: Bashkëjetesa mes serbëve dhe shqiptarëve e mundur, por situata nuk mund të ndryshojë brenda natës

Intervistë ekskluzive me ish-shefin e UNMIK-ut në kohën e shpalljes së Pavarësisë Joachim Rücker.

default

Joachim Rücker

DW: Z. Ambasador, si e shihni Kosovën sot, një vit pas shpalljes së pavarësisë?

Rücker: Unë po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe në përgjithësi jam i kënaqur. Kosova ka vendosur stabilitetin politik, ndërkohë që po përpiqet ta rimëkëmbë edhe ekonominë. EULEX-i është vendosur në tërë territorin e saj. Prandaj, mendoj se Kosova është në rrugë të mirë.

DW: Por ka dhe të tillë që pohojnë se humnera mes serbëve dhe shqiptarëve nuk ka qenë kurrë më e thellë. Mendoni se ekziston mundësia e afrimit dhe bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve?

Rücker: Mendoj se mundësia ekziston, por gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda një nate. Për afrimin dhe pajtimin mes popujve, duhet të kalojnë me vite të tëra. Megjithatë, gjendja nuk është aq e keqe, sepse serbët dhe shqiptarët bashkëpunojnë në shumë komuna. Serbët e Kosovës e kanë pranuar shtrirjen e EULEX-it në mbarë territorin, ndërsa në ekonomi kemi një bashkëpunim edhe më të gjerë. Bashkëpunimi ekziston atje ku ekzistojnë edhe interesat e përbashkëta, tregjet e përbashkëta dhe perspektiva për eksport.

DW: Si e shihni rolin e Beogradit ndaj Kosovës, në veçanti ndaj serbëve atje?

Rücker: Situata ka ndryshuar pas ndryshimit të pushtetit në Serbi. Beogradi tani është më konstruktiv dhe ka qëndrime më reale ndaj Kosovës. Sa i përket intepretimeve të ndryshme të Rezolutës 1244, është kjo një çështje ku gjërat duhet të zhvillohen ngadalë, hap pas hapi.

DW: Shpesh në Beograd dëgjohen edhe mendime për ndarjen e Kosovës. Mendoni se kjo është e mundur?

Rücker: Mendoj se ndarja është zgjidhja më e keqe e mundshme. Kosova e ka shpallur pavarësinë, të cilën e kanë njohur shumë vende. Ajo është në rrugën e mirë të zhvillimit dhe e ka territorin e vet të përcaktuar juridikisht. Ndarja është jashtëzakonisht e keqe dhe nuk e shoh asnjë faktor serioz që shkon në këtë drejtim.

DW: Kosovën deri tani e kanë njohur vetëm 54 shtete. Jeni i befasuar me numrin kaq të vogël të njohjeve, sepse kosovarët kanë pritur më shumë?

Rücker: Është menduar se do të ketë më shumë njohje, deri në përvjetorin e parë të pavarësisë. Por ky proces kërkon më shumë kohë. Situata është shumë e qartë, sepse Kosovën e ka njohur shumica dërmuese e vendeve anëtare të BE-së, e ka njohur SHBA-ja dhe shumë vende të tjera. Ka nevojë për më shumë kohë, por mendoj se Kosova është në rrugë të mirë.

DW: Si e shihni perpsektivën e Kosovës?

Rücker: Perspektiva e Kosovës është që një ditë të anëtarësohet në BE. Fillimisht ajo duhet të afrohet me BE-në dhe të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocijimit. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore, e kanë të hapur rrugën e anëtarësimit, që është thënë edhe në Selanik. Natyrisht kur të plotësojnë kushtet e parashikuara. Kjo vlen edhe për të gjitha shtetet fqinje të Kosovës.

DW: Cili është mesazhi ish-shefit të UNMIKU-t për serbët dhe shqiptarët?

Rücker: Të bashkëpunojnë dhe të shikojnë përpara, ndërsa të kaluarën ta lënë pas vete.

  • Data 17.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GwCm
  • Data 17.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GwCm