1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rëndësia e vendimit të GJND-së për Kosovën dhe rajonin - Intervistë me Prof. Timothy Waters

Jo Ballkani por kryeqytetet e Perëndimit duhen bindur se politika e tanishme është ajo që krijon paqëndrueshmërinë në rajon, thotë në intervistë me Deutsche Welle-n profesor Timothy Waters.

default

Profesori i veçantë i drejtësisë në Universitetin e Indianës, Timothy Waters, është specializuar për të drejtën ndërkombëtare dhe për Ballkanin. Ai ka monitoruar për OSBE-në zbatimin e Marrëveshjes së Dayton-it në Bosnjë dhe ka punuar për Tribunalin për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi gjatë procesit të Sllobodan Milosheviçit.

DW: Prof. Waters, cili është ndikimi i vendimit të GJND-së mbi Kosovën? A zgjidh ai probleme, apo krijon?

Waters: Nuk mendoj se ai jep kontribut të veçantë si në njërin drejtim ashtu edhe në tjetrin. Nuk mendoj se do të ndihmojë marrëdhëniet rajonale për shembull midis vendeve në rajon. Sepse, sa për të përmendur vetëm një gjë, gati çdo vend i përfshirë e bëri shumë të qartë që përpara vendimit se nuk do të ndryshonte mendim për një kohë të afërt në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë që deri kur shumë vende në mbarë botën të njohin Kosovën, Serbia dhe aleatët e saj në këtë çështje, si Rusia, mund vërtet ta bllokojnë pranimin e saj në shumicën e organizatave ndërkombëtare si OKB-ja. Dhe në thelb kjo do të thotë se kundërshtimi i Serbisë, që do të vazhdojë, do të bëjë që Kosova të mos ketë qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë që i duhet për rritje ekonomike dhe investime. Kjo nuk do të ndihmojë, por nuk mendoj as se dëmton. Siç thashë, shumica e kishin shpallur paraprakisht politikën e tyre dhe asgjë nga ky vendim nuk ndryshon gjë në llogaritë gjeopolitike.

DW: A mund të çojë ky vendim në tensione të reja në Ballkan?

Waters: Ai nuk do të krijojë të reja. Njerëzit nuk zgjohen një mëngjes dhe kërkojnë pavarësi dhe marrin armët sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u ka thënë se kjo nuk është e paligjshme. Por, gjykimi jep inkurajim ligjor dhe moral për grupet që janë tashmë të pakënaqura. Në fakt ai u thotë atyre për të parën herë se shkëputja është diçka që kanë të drejtë të arsyeshme ta kërkojnë. Kjo nuk është çka tha në fakt gjykata, por nuk është krejtësisht e gabuar që ta interpretosh në këtë mënyrë. E kam fjalën që një grup, i cili do të kërkojë autonomi më të madhe apo pavarësi mund të thotë, në fund të fundit GJND-ja nuk e shpalli të paligjshme këtë deklaratë pavarësie. Por, kjo me siguri që do të inkurajojë serbët në Bosnjë nëse duan t'i rezistojnë integrimit apo madje të lëvizin drejt ndarjes dhe kuptohet veçanërisht serbët në veri të Kosovës. Ata do ta lexojnë vendimin dhe do të dallojnë rrjedhojat për veten e tyre. Ai duket sikur thotë se deklaratat e pavarësisë, përfshirë ndarjet, janë diçka që nuk e kundërshtojmë automatikisht. Ky vendim duket duket se mbështet qartë shkëputjen e Kosovës vetë. Dhe kjo hap pyetjen: Si është puna me shkëputjet prej Kosovës?

DW: Si e interpretoni ju projekt-rezolutën e paraqitur nga Serbia në Kombet e Bashkuara?

Waters: Serbia e ka dorëzuar këtë projekt-rezolutë. Ajo nuk pati rrugë tjetër veçse ta bënte këtë, pasi është në njëfarë mënyre e përcaktuar për këtë qëndrim. Mendoj se njerëzve në Beograd mund t'iu vijë keq tani që vajtën tek GJND-ja, por atyre iu duhet ta çojnë punën deri në fund. Ajo çka është interesante është se kjo projekt-rezolutë bën thirrje për dialog të ri por nuk bën fjalë për statusin e Kosovës, dmth. pyetje në lidhje me pavarësinë e saj. Dhe në njëfarë kuptimi ky është një lëshim i heshtur nga serbët. Ne mund ta shohim këtë si një hapje pragmatike. Siç përmenda, ka mjaft njerëz, jo vetëm në Serbi por edhe diplomatë evropiano-perëndimorë që kanë menduar prej kohësh se rruga më direkte për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme është ndarja e çështjes së statusit nga ajo e territorit. Të ndahet nëse Kosova duhet të jetë e pavarur, që është një çështje, dhe cilët do të jenë saktësisht kufijtë e saj. Dhe një mënyrë për ta parë këtë projekt-rezolutë është se serbët po tregojnë gatishmëri për ta bërë këtë, për t'i trajtuar këto si çështje të ndara. Kjo në fakt do të thotë të flitet për të këmbyer njërën me tjetrën. Personalisht mendoj se kështu duhet ta kuptojmë. Ne duhet ta inkurajojmë Beogradin dhe Prishtinën që të lëvizin në këtë drejtim. Sigurisht, kjo është diçka që kundërshtohet plotësisht nga SHBA-ja në veçanti dhe në njëfarë mase nga Bashkimi Evropian.