1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rëndësia e vendimit të GJND-së për Kosovën dhe rajonin - Intervistë me Prof. Timothy Waters

31 Korrik 2010

Jo Ballkani por kryeqytetet e Perëndimit duhen bindur se politika e tanishme është ajo që krijon paqëndrueshmërinë në rajon, thotë në intervistë me Deutsche Welle-n profesor Timothy Waters.

https://p.dw.com/p/OZ4j
Fotografi: DW

Profesori i veçantë i drejtësisë në Universitetin e Indianës, Timothy Waters, është specializuar për të drejtën ndërkombëtare dhe për Ballkanin. Ai ka monitoruar për OSBE-në zbatimin e Marrëveshjes së Dayton-it në Bosnjë dhe ka punuar për Tribunalin për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi gjatë procesit të Sllobodan Milosheviçit.

DW: Prof. Waters, cili është ndikimi i vendimit të GJND-së mbi Kosovën? A zgjidh ai probleme, apo krijon?

Waters: Nuk mendoj se ai jep kontribut të veçantë si në njërin drejtim ashtu edhe në tjetrin. Nuk mendoj se do të ndihmojë marrëdhëniet rajonale për shembull midis vendeve në rajon. Sepse, sa për të përmendur vetëm një gjë, gati çdo vend i përfshirë e bëri shumë të qartë që përpara vendimit se nuk do të ndryshonte mendim për një kohë të afërt në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Kjo do të thotë që deri kur shumë vende në mbarë botën të njohin Kosovën, Serbia dhe aleatët e saj në këtë çështje, si Rusia, mund vërtet ta bllokojnë pranimin e saj në shumicën e organizatave ndërkombëtare si OKB-ja. Dhe në thelb kjo do të thotë se kundërshtimi i Serbisë, që do të vazhdojë, do të bëjë që Kosova të mos ketë qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë që i duhet për rritje ekonomike dhe investime. Kjo nuk do të ndihmojë, por nuk mendoj as se dëmton. Siç thashë, shumica e kishin shpallur paraprakisht politikën e tyre dhe asgjë nga ky vendim nuk ndryshon gjë në llogaritë gjeopolitike.

DW: A mund të çojë ky vendim në tensione të reja në Ballkan?

Waters: Ai nuk do të krijojë të reja. Njerëzit nuk zgjohen një mëngjes dhe kërkojnë pavarësi dhe marrin armët sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u ka thënë se kjo nuk është e paligjshme. Por, gjykimi jep inkurajim ligjor dhe moral për grupet që janë tashmë të pakënaqura. Në fakt ai u thotë atyre për të parën herë se shkëputja është diçka që kanë të drejtë të arsyeshme ta kërkojnë. Kjo nuk është çka tha në fakt gjykata, por nuk është krejtësisht e gabuar që ta interpretosh në këtë mënyrë. E kam fjalën që një grup, i cili do të kërkojë autonomi më të madhe apo pavarësi mund të thotë, në fund të fundit GJND-ja nuk e shpalli të paligjshme këtë deklaratë pavarësie. Por, kjo me siguri që do të inkurajojë serbët në Bosnjë nëse duan t'i rezistojnë integrimit apo madje të lëvizin drejt ndarjes dhe kuptohet veçanërisht serbët në veri të Kosovës. Ata do ta lexojnë vendimin dhe do të dallojnë rrjedhojat për veten e tyre. Ai duket sikur thotë se deklaratat e pavarësisë, përfshirë ndarjet, janë diçka që nuk e kundërshtojmë automatikisht. Ky vendim duket duket se mbështet qartë shkëputjen e Kosovës vetë. Dhe kjo hap pyetjen: Si është puna me shkëputjet prej Kosovës?

DW: Si e interpretoni ju projekt-rezolutën e paraqitur nga Serbia në Kombet e Bashkuara?

Waters: Serbia e ka dorëzuar këtë projekt-rezolutë. Ajo nuk pati rrugë tjetër veçse ta bënte këtë, pasi është në njëfarë mënyre e përcaktuar për këtë qëndrim. Mendoj se njerëzve në Beograd mund t'iu vijë keq tani që vajtën tek GJND-ja, por atyre iu duhet ta çojnë punën deri në fund. Ajo çka është interesante është se kjo projekt-rezolutë bën thirrje për dialog të ri por nuk bën fjalë për statusin e Kosovës, dmth. pyetje në lidhje me pavarësinë e saj. Dhe në njëfarë kuptimi ky është një lëshim i heshtur nga serbët. Ne mund ta shohim këtë si një hapje pragmatike. Siç përmenda, ka mjaft njerëz, jo vetëm në Serbi por edhe diplomatë evropiano-perëndimorë që kanë menduar prej kohësh se rruga më direkte për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme është ndarja e çështjes së statusit nga ajo e territorit. Të ndahet nëse Kosova duhet të jetë e pavarur, që është një çështje, dhe cilët do të jenë saktësisht kufijtë e saj. Dhe një mënyrë për ta parë këtë projekt-rezolutë është se serbët po tregojnë gatishmëri për ta bërë këtë, për t'i trajtuar këto si çështje të ndara. Kjo në fakt do të thotë të flitet për të këmbyer njërën me tjetrën. Personalisht mendoj se kështu duhet ta kuptojmë. Ne duhet ta inkurajojmë Beogradin dhe Prishtinën që të lëvizin në këtë drejtim. Sigurisht, kjo është diçka që kundërshtohet plotësisht nga SHBA-ja në veçanti dhe në njëfarë mase nga Bashkimi Evropian.

DW: Atëherë çfarë rekomandoni?

Waters: Veçanërisht Shtetet e Bashkuara duhet ta rishikojnë politikën. Edhe BE-ja në kuptimin se e bën këtë kusht për përparim të mëtejshëm. Në fakt kemi vendosur kufij duke u përpjekur që krijojmë një shtet për cilindo brenda tij, në vend që të bënim pyetjen nëse është ky kufiri i duhur, me të cilin duhet filluar. Mbështetja jonë për pavarësinë e Kosovës është detyrimisht ndarja e Serbisë.

DW: Por kjo është thjesht vazhdimi i politikës së Clinton-it për Ballkanin...

Waters: Është Clinton, Bush, Blair. Të gjithë kishin disi prirje të fortë për të pasur politikë të jashtme morale. Është apo s'është kjo ide e mirë, për ta bërë atë duhet morali i duhur. Dhe mendoj se politika jonë ka qenë disi e verbër moralisht. Ne po pretendojmë se një njësi territoriale që ekzistonte më parë është një njësi morale. Njerëzit që jetojnë brenda saj kanë rëndësi dhe disa prej tyre nuk duan të jenë në atë njësi. Do të thosha se zgjidhja më e mirë do të ishte të pyesje se cilët kufij do të përkonin më shumë me interesat e njerëzve që jetojnë brenda tyre? Në fakt: Si mund të bëjmë sa më pak njerëz pakica në vendin e tyre? Mendoj se ky është kalimi që ofron ky vendim.

DW: A ka ndonjë mundësi që Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë politikën e tyre në këtë çështje?

Waters: Jo, realisht jo. Ministrja e Jashtme është gruaja e ish-presidentit që e nisi këtë politikë. Mendoj se ajo është e përcaktuar personalisht për këtë, dhe nuk është vetëm ajo. Mendoj se tërë struktura institucionale ndien fuqishëm se kjo është politika e duhur. Mendoj se ky është gabim, por është një gabim për të cilin jemi përcaktuar fort, ose së paku me të cilin jemi të lidhur intensivisht. Nuk jam i sigurt se sa e gjatë është vija logjike. Njerëzit besojnë se kjo është një konsekuencë e nevojshme e politikës së drejtë morale të mbrojtjes së shqiptarëve etnikë nga kontrolli shtypës i Beogradit në vitet nëntëdhjetë. Ata nuk i bëjnë vetes pyetje të mbyllura në lidhje me atë se kë po mbrojmë me politikën e caktuar që po ndjekim. Pra është një politikë e synuar, nuk shoh shumë mundësi që ajo të ndryshojë. Kjo do të thotë vazhdim paqëndrueshmërie, sepse ka shumë shqiptarë të Kosovës dhe serbë, si në veri edhe në Beograd, që janë gati të flasin për axhustime territoriale, ndryshim të kufijve. Ata ndofta duan të këmbejnë diçka, por kanë vullnet për të biseduar. Janë Brukseli dhe Uashingtoni që janë plotësisht kundër diskutimeve të tilla. Mendoj se këtu duhet bërë puna e vërtetë. Jo në Ballkan por në kryeqytetet kryesore të Perëndimit për të bindur aparatet e mëdha të politikës së jashtme se politika e tanishme është ajo që krijon dhe ruan paqëndrueshmërinë në rajon.

DW: A është realiste të presësh zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe kur: në dhjetë, njëzet, tridhjetë vjet?

Waters: Varet se çfarë kuptohet me zgjidhje. Një prej vendeve që refuzojnë ta njohin Kosovën është Qiproja. Atje nuk ka pasur zgjidhje. Nga ana tjetër ai është një vend përgjithësisht në paqe dhe mirëqenie që ka hyrë në BE. Bosnja është gjithashtu një shembull interesant. Është një vend që nuk funksionon aspak por paqja është ruajtur për një dekadë. Një mundësi është që zgjidhja do të thotë gjendje e përhershme mosfunksionimi por pa dhunë. Është e mundshme që për një kohë të gjatë të përjetojmë ndarjen faktike të këtij territori. Sigurisht, të gjitha propozimet që ekzistojnë për përpjekjet për integrimin e veriut, duke filluar nga Ahtisaari si dhe planet për të folur për autonomi lokale ose rajonale, ose diçka si Alto Agide në Itali. Njerëzit i hedhin këto ide, të gjitha këto në njëfarë mënyre do të pranojnë se veriu është i ndarë, i ndryshëm, nuk do të integrohet në pjesën tjetër të shtetit të mundshëm. Pra këto mund të jenë ato quajmë zgjidhje. Është e mundur që këta njerëz, është një numër shumë i vogël njerëzish, ose të kalojnë pak nga pak në pjesë më të sigurta të territorit serb ose në fund të dorëzohen në njëfarë kuptimi dhe të pranojnë pozicionin e tyre në një shtet të dominuar nga kosovarët, i cili do t'i mbronte ata në shumë mënyra. Kjo gjë ndodhi me jugun. Njerëzit që jetonin në jug, që janë pak më shumë se gjysma e serbëve në Kosovë, në thelb prej një kohe të gjatë janë pajtuar me statusin e pakicës. Nuk është kurrsesi jetë e përsosur, por ata janë në një gjendje të sigurt për një dekadë tashmë. Ata janë pajtuar disi me këtë realitet. Problemi është që njerëzit në veri shohin hartën, shohin se ku ndodhen, shohin se sa shumë prej tyre janë të përqendruar në një vend, grupi më i madh mu në kufi me Serbinë, dhe objektivisht ata e dinë se nuk duhet të pajtohen me këtë. Nuk e kanë gabim këtë mendim ose hamendësim. Pra do të ishte shumë më e vështirë për ta që të pajtoheshin me këtë gjendje sesa për serbët në jug. Më falni për përgjigjen e gjatë, por është shumë e vështirë të thuash se ç'do të thotë zgjidhje. Po qe se kërkojmë një shtet funksional në të cilin serbët janë tërësisht pjesëmarrës, mendoj se ai është i mundshëm, por ka shumë pak të ngjarë. Bosnja është një tregues i mirë për atë se sa e vështirë do të jetë kjo gjë dhe në shumë aspekte Kosova është një problem shumë më i vështirë sesa Bosnja, e cila është e lidhur gjithë kohën në aparate për ruajtjen e jetës dhe vazhdon të jetë. Pra nuk jam optimist për këtë, por kjo është kryesisht sepse nuk besoj se SHBA-ja dhe fuqitë e mëdha evropiane janë të gatshme të rishikojnë politikat, që në fakt ushqejnë mungesën e zgjidhjes sot.

Intervistoi: Sonia Kanikova

Redaktoi: Elert Ajazaj / Eliana Xhani