1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Qyteti britanik do të mbrohet ndaj imazhit si "terror town"

Luton, një qytet në veri të Londrës, mbahet si bastion ekstremizmi. Kjo nuk është e drejtë, thonë banorët.

Në kërkim të gjurmëve. Një rrugë në Luton

Në kërkim të gjurmëve. Një rrugë në Luton

Ishte një shtëpi krejt e zakonshme në një lagje të Lutonit – por vitin e kaluar ajo krejt papritur u gjend e rrethuar nga gazetarë. Pak më parë aty banonte Taimour Abdulwahab al-Abdaly. Kryefamiljari i kishte paketuar valixhet brenda natës dhe ishte nisur për në Suedi. Në qendër të kryeqytetit të zbukuruar për Krishtlindje, Stokholmit, ai qe hedhur në ajër.

Para se të vdiste, kishte regjistruar një mesazh ku thoshte se e shihte si detyrë të vriste civilë suedezë, si hakmarrje për pjesëmarrjen suedeze në luftën e Afganistanit. Ai kishte formuluar edhe shpresën që Allahu ta pranonte si martir.


Pikëpamje ekstremiste – Rast i veçantë apo i zakonshëm?

Ausbreitung des islamistischen Terrors in Luton England

Bakshi e njihte atentatorin

Kur ai ende jetonte në Luton, al-Abdaly lutej në qendrën islamike të qytetit. Aty ai ishte i njohur për pikëpamjet e tij ekstremiste. Kryetari i qendrës, Abdul Aqdeer Baksh, ia kishte thënë edhe vetë: «Ai përhapte keqinterpretimet e tij mbi Islamin dhe disa pikëpamje ekstremiste», thotë Baksh për Deutschen Welle-n. «Pra i kërkova llogari dhe i thashë mendimin tim». Por këto biseda ishin pa rezultat. Pra Bakshi vendosi një ditë ta thërriste al-Abdalyn në mbledhjen e bashkësisë. «Në fund ai u acarua shumë dhe u largua i inatosur nga xhamia. Që atëherë nuk e pashë më.»

Atentatori vetëvrasës i Stokholmit ishte njëri prej shumë ekstremistëve islamikë që i kanë sjellë qytetit Luton një nam të keq. Në pranverën 2009, një grup i vogël myslimanësh patën sharë me fjalët «vrasës» disa ish-ushtarë të Irakut që po festonin kthimin nga shërbimi. Burrat mbanin në dorë pankarta ku u bënin thirrje myslimanëve që të ngriheshin kundër shtypjes britanike.


Shumë zhurmë për asgjë?

Zafar Kahn punon për afrimin e feve

Zafar Kahn punon për afrimin e feve

Ky aksion bëri që në Luton të aktivizohej English Defence League (Liga e mbrojtjes angleze), një organizatë ultra-djathtiste dhe anti-islamike. Që atëherë Lutonit iu vulos njëherë e përgjithmonë nofka e bastionit ekstremist. Shumë banorë e gjejnë të padrejtë këtë emërtim. Zafar Kahni është kryetar i «Council of Faiths» (Këshilli i Besimeve). Kjo iniciativë gjithëfetare angazhohet për pajtimin shoqëror në Luton. Kahn mendon se në të dyja palët numri i ekstremistëve është relativisht i ulët: «Në vitet e fundit gjithçka është paraqitur e ekzagjeruar», thotë Kahn. «E nganjëherë, si shtypi ashtu edhe politika i kanë kushtuar tepër vëmendje kësaj pakice të vogël, sepse ajo bën shumë zhurmë».

Por, që në Luton ka probleme, këtë as Kahn nuk e mohon. Por jo të gjitha kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të: «Kështu për shembull lidhja e vetme me atentatatorët e korrikut 2005 në Londer qëndronte në faktin që ata i kishin rënë nga Lutoni për të shkuar në drejt atentateve».


Nuk ka lidhje të dëshmueshme

Ausbreitung des islamistischen Terrors in Luton England

Shumë myslimanë banojnë në zonën Bury Park

Shumica e myslimanëve të Lutonit, rreth 30.000 syresh, jetojnë në zonën Bury Park. Shumica thonë se përshtypja e tyre për qytetin nuk përkon me paraqitjen në medie. «Lutoni ka një shoqëri të madhe, krejt të zakonshme myslimanësh, dhe unë gjej se këtu mund të jetohet shumë mirë», thotë Faisal, një banor islamik në moshë të re. «Është mungesë njohurie dhe një farë arrogance, kur njerëzit e krijojnë përfytyrimin e tyre për Islamin nga televoizori». Disa banorë të tjerë e konsiderojnë të zakonshme që në qytetet e mëdha të dalin edhe njerëz me mendime ekstremiste politike ose fetare.

Sipas një raporti të 2008-ës të shërbimit të fshehtë britanik, i cili qarkullon jozyrtarisht në publik, në qarqet e sigurisë Lutoni, Birmighami dhe Londra mbahen si qytete, në të cilat ekstremistët islamikë kanë rrjete të gjera. Afria e Lutonit me Londrën duhet të jetë shkaku se përse qyteti qenka kaq i pëlqyer nga ekstremistët. Por deri tani, veç rastit të atentatorit të Stokholmit, asnjë gjurmë tjetër e tentativave për atentate nuk të shpie në Luton.

Larmi kulturore në Luton

Për politikanët lokalë kjo vëmendje kaq e madhe është shqetësuese. Këshilli i qytetit përrpiqet tani që ta paraqesë larminë kulturore të Lutonit si diçka pozitive. Vitin e kaluar ai nisi një fushatë për afrimin e banorëve që vijnë nga mjedise të ndryshme kulturore. «Ne kemi nevojë për një masë të re krenarie dhe vetëdije për qytetin», thotë Sarah Allen, e ngarkuara për barazinë sociale në Këshillin e Qytetit të Lutonit. «Kjo nuk do të thotë se këtu nuk ka njerëz me mendime të pakëndshme dhe të pahijshme, të cilat përpiqen t'i realizojnë, por ata nuk përfaqësojnë gjithë banorët e Lutonit».

Britania e Madhe mbetet një cak sulmesh terroriste. Në një të ardhme të afërt shërbimet e fshehta të vendit do ta mbikqyrin intensivisht çdo qytet, ku ka një numër të madh myslimanësh. Banorët e Lutonit ndoshta do të mësohen me këtë. Namin e qytetit të tyre megjithatë ata duan ta përmirësojnë edhe më tej.

Autor: Lars Bevanger / tkw/ A.Shuka
Redakteur: V.Filaj-Ballvora