1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qytetet e BE-së duan t'u presin rrugën xhihadistëve

Gjithnjë e më shumë evropianë të rinj po shkojnë si xhihadistë në luftën civile siriane. Në mesin e tyre ka dhe shumë gjermanë.

Fanatikë të rrezikshëm, të çmendur që u ka marrë koka erë ose njerëz të dhunshëm të traumatizuar - koncepte të tilla përdoren shpesh në Evropë, kur bëhet fjalë për xhihadistët evropianë në Siri. Por sa më gjatë vazhdon lufta civile atje, aq më shumë rritet shqetësimi i BE-së se ekstremistëve do t'u bashkohen edhe më shumë evropianë. Ekziston frika se ata do të radikalizohen më tej në kampet e xhihadistëve dhe kur të kthehen pas përfundimit të luftës civile do të jenë si bomba me sahat. Komisionerja e Punëve të Brendshme e BE-së Cecilia Malmstrom tha se kemi të bëjmë me "njerëz shumë të rrezikshëm". I ngarkuari i BE-së për anti-terrorizmin Gilles de Kechove citohet me shqetësim në media me fjalët "se tashmë edhe fare pak syresh që janë të vendosur përbëjnë një kërcënim të madh."

Kampe stërvitore terroriste

Skenare të tilla horrori nxiten edhe prej njoftimeve të mediave. Gazeta britanike Daily Telegraph, për shembull, shkruante se rrjeti terrorist al-Kaida stërvit qindra xhihadistë britanikë në Siri për të kryer sulme pasi të kthehen nga atje. Rekrutë të tjerë nga Evropa dhe SHBA-të janë stërvitur për të ndërtuar auto-bomba dhe për të krijuar celula terroriste në vendet e tyre të origjinës, thuhet duke cituar një person që gjoja është larguar nga një grup ekstremist. Në mënyrë që ta vënë këtë problem nën kontroll, ministrat e Brendshëm të BE ranë dakord në takimin e tyre dy javë më parë në Athinë, për t'i parandaluar luftëtarët e rinj që të dalin nga vendet e BE-së dhe për të monitoruar të tjerë që kthehen. Shërbimet sekrete të vendeve të BE-së duhet të bashkëpunojnë për këtë qëllim edhe më fort.

Po ashtu në Hagë pati një takim prej 180 ekspertësh dhe përfaqësuesish nga 23 metropole të BE-së që diskutuan si mund të ndalohen xhihadistët në Evropë. Ky takim u organizua nga Radicalisation Awareness Network, i themeluar nga BE-ja në vitin 2011.

Punës sqaruese me të rinjtë dhe familjet

André Konze, drejtor ekzekutiv i Shkollës së Lartë të Policisë në Myster që merrte pjesë në konferencë, tha për DW se britanikët kanë një përvojë të mirë në lidhje me masat parandaluese dhe punën sqaruese, gjë që lidhet edhe me historinë e tyre me emigrantët nga vendet që i kishin dikur koloni. Të rinjët që radikalizohen mendojnë se Lufta e Shenjtë është diçka e mirë.

Abu Askar Screenshot Video Internet

Xhihadistët nuk e kanë idenë se çfarë tmerresh ndodhin në Siri dhe sipas vlerësime rreth 20% e atyre që luftojnë në Siri kanë shkuar atje nga Evropa, shumica e tyre janë 20-30 vjeç dhe janë nga Franca, të ndjekur nga Britania e Madhe dhe Siria. Një drejtues projekti nga Birmingami që punon me të rinj myslimanë shkoi në Siri dhe pa me sytë e tij se ç'ndodhte atje dhe tani mund t'ua shpjegojë edhe më mirë të rinjve që janë në rrugën e gabuar.

Shtim i numrit të xhihadistëve

Ekspertët e rrjetit Radicalisation Awareness Network kanë vërë re se numri i të huajve që shkojnë për të luftuar në Siri është shumë më i madhe se në konfliktet e tjera. Në Siri duhet të ketë rreth 2000 luftëtarë të huaj. Si burim të problemit ekspertët nuk shohin vetëm radikalizimin përmes internetit, por edhe strukturat e shkatërruara familjare. Një grup pune i krijuar gjatë konferencës do të përpilojë propzime se si mund përballet Evropa me këtë sfidë.

Sipas Qazim Erdoganit, i cili është kryetar i një shoqate turke në Berlin, BE-ja mund të depërtojë tek familjet myslimane vetëm duke folur me to drejtpërdrejtë, me fjalë të kuptueshme dhe në nivelin e tyre. Një komunikim i suksesshëm dhe qendrat e këshillimit që marrin parasysh kulturat e ndyrshme janë ndoshta parakushti më i rëndësishëm për të parandaluar radikalizimin e myslimanëve të rinj në Evropë.