1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Interview Lushta

11 Nëntor 2009

Për zgjedhjet komunale të 15 nëntorit në Kosovë qytetarët janë të informuar shumë mirë për votimin. Emërimet e komisioneve përkatëse kanë përfunduar, thotë për DW-në, kryetarja e KQZ, Nesrin Lushta.

https://p.dw.com/p/KUB3
Prishtina
PrishtinaFotografi: Zulfija Jakupi

DW: Zonja Lushta, si paraqitet situata në procesin parapërgatitor për zgjedhjet? A ka pasur probleme në regjistrimin e votuesve nëpër lista dhe a kanë përfunduar sipas afateve përkatëse emërimet e komisioneve zgjedhore?

Nesrin Lushta: Procesi i përgatitjeve të zgjedhjeve ka shkuar me një dinamikë të paraparë me ligj, në bazë të kalendarit të aktiviteteve dhe afateve. Të gjitha procedurat janë realizuar në përgjithësi brënda afateve. Ne si komision kemi pasur shumë punë për të ndjekur gjithë këto aktivitete. Përveç që janë emëruar komisionet komunale të zgjedhjeve, më pas këshillat e vendvotimeve, është bërë edhe çertifikimi i subjekteve politike. Kemi pasur edhe përpilimin e listës së votuesve, periudhën e kontrollimit dhe të korrigjimeve, ku qytetarët kanë pasur mundësi që ta kontrollojnë dhe më pas të bëjnë korigjimet e duhura, duke hequr për shembull emrat që nuk duhen dhe për të vendosur emrat që duhen futur në këto lista. Pra lista e votuesve është mbyllur dhe çertifikuar, janë shtypur, dhe ne tani në Kosovë i kemi të gjitha listat e votuesve të plotësuara. Edhe përgatitjet e tjera po shkojnë mirë.

DW: Po me vëzhguesit vendorë dhe ato ndërkombëtarë a janë përfunduar të gjitha procedurat? Pra çfarë ka mbetur ende pa u realizuar?

Nesrin Lushta: Kemi akredituar deri tani 20 mijë vëzhgues. Ky proces është në përfundim e sipër, sepse ka ende vëzhgues të cilët kanë paraqitur kërkesat dhe me këtë ata janë brënda afatit, sipas të cilit ata mund të aplikojnë deri tani. Mendoj se ky numër deri në zgjedhje do të jetë edhe më i madh. Këtu bëhet fjalë si për individë, ashtu edhe për shoqatat si vendore dhe ato ndërkombëtare, përfaqësuesit e subjekteve politike të cilët edhe këta kanë të drejtën e akreditimit të vëzhguesve të vet.

DW: Zonja Lushta, këto janë zgjedhjet e para në shtetin e ri të Kosovës, pra edhe një test për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve. Sa i vetëdijshëm është qytetari i Kosovës për këto zgjedhje? A është bërë mjaft për ta informuar atë, për votën e tyre që do të japin , pra për zgjedhjen e pushtetit të ri lokal?

Nesrin Lushta: Po. Ne qytetarët e Kosovës për herë të parë organizojmë këto zgjedhje, pra që ne po i bëjmë vetë përgatitjet. Më parë përgatitjet i ka bërë OSBE-ja, mirëpo OSBE-ja edhe tani vazhdon të na japë udhëzime dhe mbështetje teknike, por edhe organizatat e tjera. Ne i jemi shumë mirënjohës të gjithëve për këtë mbështetje. Sa i përket qytetarëve, ata janë shumë mirë të informuar. Ne kemi pasur shumë kontakte përmes mediave, kemi pasur edhe informim publik. Mendoj se gjithçka ka qenë në rregull dhe me siguri që qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë.

DW: Dhe këtu përfshihen edhe qytetarët e pakicave, si ajo serbe, turke, boshnjake etjer?

Nesrin Lushta: Ne nuk kemi bërë asnjë dallim, pra përgatitjet kanë qenë identike për të gjithë qytetarët e Kosovës, pra edhe për pakicat.

DW: Zonja Lushta: Nëse pocesi zgjedhor ditën e dielë , më 15 nëntor, shkon mbarë dhe pa probleme, kur priten rezultatet e para?

Nesrin Lushta: Nëse i tërë procesi funksionon siç e kemi parashikuar, ne pra funksionimi i një sistemi të dhënies së rezultateve preliminare me SMS përmes telefonave celularë, atëhere rezultatet e para preliminare do t'i kemi në natën e zgjedhjeve , ose të nesërmen.

Në se jo, atëhere rezultatet do të zgjasin dy – tri ditë.

Autor: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi