1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qytetarët e Evropës tregojnë ndjenjë solidariteti

Më shumë se gjysma e gjermanëve dhe e evropianëve të tjerë besojnë, se në kohë të vështira duhet bashkëpunuar. Ata janë gjithashtu të bindur, se njerëzit në vendet evropiane të krizës po vuajnë me pa të drejtë pasojat.

Pavarësisht nga sfidat e ndryshme, me të cilat përballen shtetet europiane, dy të tretat e europianëve dëshirojnë një Europë solidare. Gjithashtu ata mendojnë se është e nevojshme, që për të luftuar krizën ekonomike duhet të bashkëpunojnë të gjithë. Këtë pikëpamje mbrojnë 57% e gjermanëve. 70% e popullsisë gjermane mendon, se qytetarët e thjeshtë në vendet si Greqia me pa të drejtë vuajnë pasojat krizës ekonomike dhe financiare

Në këtë konkluzion arrin një studim i fondacionit Open Society, një grup i fondacioneve të investitorit amerikan George Soros, që sipas të dhënave të veta „angazhohet për shoqëri të ndershme dhe të hapura“. Anketimi është bërë gjatë ditëve që po shkallëzohej kriza në Qipro.

George Soros, investitor dhe miliarder nga SHBA

George Soros, investitor dhe miliarder nga SHBA

Gjermanët nuk bëjnë përjashtim

Në sondazh janë pyetur njëkohësisht qytetarë në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Britani të Madhe. Ajo që tërheq vëmendjen, sipas drejtorit të Iniciativave të Open Society në Bashkimin Europian, spanjollit Jordi Vaquer, ngjashmëria e mënyrës së të menduarit të njerëzve në vende të ndryshme. "Tendencat e përgjithshme nuk dallojnë nga njëra-tjetrta, ndonëse në rastin e Spanjës p.sh. thirrja për solidaritet është më e fortë se sa në Gjermani." Në përgjithësi mund të thuash, se në shtetet e Europës Jugore, që vuajnë më shumë nga kriza, kërkohet më masivisht solidariteti krahasuar me vende si Gjermania dhe Britania e Madhe. "Por këtu s’kemi të bëjmë me kundërshti, vetëm se përqindjet janë pak më të ulëta", thekson Vaquer.

Në asnjërën prej pyetjeve përgjigjet e gjermanëve nuk dallojnë nga ato të qytetarëve në shtetet e tjera europiane. Kjo vlen edhe për rezultatet kryesore: "Nga njëra anë nisma aktuale [për zgjidhjen e krizës] nuk konsiderohet si serioze, por si kontraproduktive. Një rezultat i rëndësishëm tregon, se ndër të pyeturit ekziston shumë më tepër gatishmëri për solidaritet, nga sa shprehet prej veprimeve të qeverive. Dhe rezultati i tretë është, se ka një ndjenjë të fortë për solidaritet, por mund të thuash edhe për varësi reciproke. Pra kemi të bëjmë me ndjenjën, se këto janë probleme të përbashkëta dhe jo indivuale“, i shpjegon përmbledhtas Vaquer rezultatet.

Nisur nga kjo ndjenjë 67% e të pyeturve mendojnë se luftimi i problemeve ekonomike dhe sociale duhet të jetë preokupim i të gjitha shteteve të BE-së. Në këtë pikë vetëm britanikët kanë një qëndrim ndryshe. 64% e syresh janë të mendimit, se secili shtet duhet të kujdeset vet për problemet e veta. Megjithatë vetëm në këtë pikë ekziston një dallim i madh qëndrimesh.

Jordi Vaquer, drejtori i Iniciativave të Open Society në Europë

Jordi Vaquer, drejtori i Iniciativave të Open Society në Europë

Politikanët shumë larg problemeve të njerëzve

Kriza ekonomiko-financiare ngjall edhe frikëra. Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve kanë frikë, se kriza do të çojë në uljen e pagave dhe rritjen e çmimeve e të varfërisë. Përveç kësaj ata kanë frikë nga rritja mbarëeuropiane e papunësisë, që të rinjtë kanë më pak shanse dhe se situata e njerëzve të moshuar dhe të sëmurë mund të përkeqësohet. Po ashtu mendohet, se mund të shtohen edhe grindjet dhe tensionet midis shteteve europiane. 85% e të anketuarve mendojnë, se uniteti dhe solidariteti europian si paosjë e krizës janë dëmtuar seriozisht dhe me pasojë afatgjatë.

Për këtë përgjegjës janë politikanët, mendon Jordi Vaquer: "Problemi nuk është se qytetarët kanë humbur ndjenjën për solidaritetin – pavarësisht se ky mendim është vënë tashmë nën presion. Ne të gjithë kemi përshtypjen, se menaxhimi politik i krizës nuk orientohet prej lidhjeve të forta, që ndjejnë evropianët për njëri-tjetrin.“ Këtë e konfirmojnë edhe shifrat e sondazhit: 92% e francezëve, gjermanëve, spanjollëve, italianëve dhe britanikëve besojnë, se politikanët në Evropë në valën e krizës financiare i kanë humbur lidhjet me realitetin e shqetësimeve të njerëzve.