1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qytetarët e BE-së duhet të punojnë më gjatë - mosha e pensionit në krahasim ndërevropian

Në BE mosha e pensionit është bërë një temë e vazhdueshme. Kjo edhe për faktin se disa shtete nuk ia lejojnë dot më vetes financiarisht daljen në pension të qytetarëve sapo kalojnë të gjashtëdhjetat.

Në Gjermani mosha e pensionit do rritet në 67 vjeç.

Problemi i një popullsie në plakje përballë një numri gjithnjë e më të vogël të punësuarish është i njohur prej kohësh. Si pjesë të zgjidhjes Komisioni Evropian këshillon shprehimisht rritjen e moshës së pensionit hap pas hapi për të arritur kufirin 70 vjeç deri në vitin 2060. E shumta një e treta e jetës së një të rrituri do të mund të kalohet në të ardhmen në pension.

BE larg objektvit për moshën e pensionit përcaktuar në strategjinë ekonomiko-sociale 2020

Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso.

Presidenti i Komisionit të BE-së Jose Manuel Barroso.

Zgjatja e viteve të punës është edhe një nga objektivat zyrtarë të strategjisë ekonomiko-sociale 2020 të BE-së. Gjatë prezantimit këtë pranverë të strategjisë, presidenti i komisionit José Manuel Barroso, përmendi edhe shifra: „75 për qind e popullsisë në BE mes 18 dhe 64 vjeç duhet të jenë në punë.“

Ky është objektivi që duhet arritur deri në vitin 2020. Aktualisht BE-ja është shumë larg tij. Një qytetar mesatar në BE del në pension pak mbi moshën 60 vjeç, shumë më herët se në pjesë të tjera të botës.

Kriza greke nxjerr në pah dallimet në Evropë

Mosha e daljes në pension u bë vërtet temë e përbashkët veçanërisht me shpërthimin e krizës financiare në Greqi. Papritur u krahasuan shifrat e vendeve të ndryshme. Ministri suedez i Financave Anders Borg nuk i kurseu fjalët e ashpra kur mësoi se çfarë priligjesh pensioni përfitonin të punësuarit në sektorin publik në Greqi.

Ministri suedez i Financave Anders Borg.

Ministri suedez i Financave Anders Borg.

"Është e qartë se taksapaguesit tanë nuk janë të gatshëm të paguajnë për grekët të cilët dalin në pension me 40 ose 50 vjeç. Kjo as që nuk diskutohet."

Por situata nuk është shumë më e mirë në Francë. Aktualisht një burrë francez del në pension mesatarisht me 59 vjeç. Presidenti francez Nicolas Sarkozy synon ta rrisë moshën zyrtare të daljes në pension nga 60 aktualisht në 62 dhe e ka shpallur këtë synim "nënën e të gjitha reformave".

Franca është pra shumë larg situatës në Gjermani ku kufiri i pensionit do të rritet nga 65 vjeç aktualisht në 67. Edhe Spanja ka këtë numër si objektiv. Në Britaninë e Madhe qeveria planifikon një rritje të ndjeshme të moshës së pensionit para së gjithash për gratë, të cilat pas disa vitesh duhet të punojnë deri në moshën 65 vjeç pra aq sa punojnë sot burrat.

Punëtorët franceze protestojnë kundër reformës së pensioneve. Paris, 24.06.2010.

Punëtorët franceze protestojnë kundër reformës së pensioneve. Paris, 24.06.2010.

Evropa Lindore ka nevojë urgjente për reformim të moshës së pensionit

Situata vazhdon të paraqitet e keqe në pjesën më të madhe të anëtarëve të rinj të pjesës lindore të BE-së. Qysh tri vjet më parë Arup Banerji nga Banka Botërore kërkoi reforma urgjente.

"Zgjidhja është e njohur. Mosha e daljes në pension në këto vende është shumë e ulët në krahasim me pjesë të tjera të Evropës dhe jetëgjatësia duke filluar nga mosha 50 vjeç nuk ndryshon shumë nga masatarja evropiane. Për këtë arsye 20 vitet e ardhshme duhet rritur mosha e daljes në pension, kështu që 40-vjeçarët e sotëm të mos dalin në pension me 60 vjeç, por të jenë më gjatë produktivë në punë."

Edhe në Evropën Lindore gjërat po lëvizin. Por problemi është se vende të pasura si Franca mund t'i lejojnë vetes një jetë më të shkurtër pune se vendet e varfëra në Lindje.

Kërkohet harmonizim në eurozonë në përcaktimin e moshës së pensionit

Një ide radikale për temën e pensioneve në BE shprehu pak kohë më parë Joseph Daul, kryetari i grupit parlamentar të partisë popullorë në Parlamentin Evropian. Konteksti ishte nevoja e përshkruar shpesh, për koordinimin më të mirë të politikës ekonomiko-financiare në Eurozonë:

"A është sot ende e drejtë që vendet anëtare të përcaktojnë secili për vete moshën e pensioni, me pasojat përkatëse për arkat publike? Nuk duhet të kemi frikë të flasim për këtë. Unë nuk them që 27 vendet anëtare duhet të vendosin së bashku në Bruksel moshën e pensionit, por them që kemi nevojë për një koordinim e madje harmonizim, nëse duam të jetojmë në eurozonë."

Por edhe pse shumë vende të BE-së aktualisht po ecin drejt rritjes së moshës së pensionit, asnjë qeveri nuk flet për një harmonizim të vërtetë. Asnjë vend nuk do të pranojë të heqë dorë nga e drejta për të vendosur i pavarur nga të tjerët moshën ligjore të pensionit.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 29.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O5DU
  • Data 29.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O5DU