1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Qytetarët bëjnë presion ndaj Brukselit

Dy vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Nismat e Qytetarëve Evropianë Komisioni i BE-së përballet me nismën "E drejta për ujë".

Anne-Marie Perret është e lumtur. Sindikalistja franceze do të dorëzojë së bashku me anëtarët e tjerë të Komitetit qytetar 1.680.172 nënshkrime për nismën e parë qytetare të Evropës në Bruksel. "Unë ndihem shumë krenare dhe mirënjohëse," thotë Anne-Marie Perret duke i dorëzuar komisionerit të BE Maroš Sefcovic nënshkrimet e mbledhura në mënyrë elektronike.

Kërkesa e nismës së parë qytetare lidhet me ujin, si e drejtë e njeriut dhe quhet "E drejta për ujë". Kjo nismë synon që të arrijë që furnizimi me ujë dhe lidhja me kanalet e ujërave të zeza për të gjitha banesat në të gjitha vendet anëtare të BE-së të konsiderohet si e drejtë themelore dhe e zbatueshme përmes ligjit. Po ashtu kërkohet që furnizimi me ujë të mbetet përgjegjësi e komunave dhe e sipërmarrjeve publike dhe të mos privatizohet.

Anne-Marie Perret dhe Markos Sefcovic

Anne-Marie Perret dhe Markos Sefcovic

Nismat mund t'i nxisin qytetarët për t'u bërë qytarë aktivë të Evropës

Komisioneri i BE-së, sllovaku Maroš Sefcovic është i kënaqur me qytetarët , edhe pse ata e sfidojnë Komisionin e BE-së. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, përveç kërkesave thelbësore është veçanërisht i kënaqur që dy vjet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Nismat e Qytetarëve Evropianë, grupi rreth Anne-Marie Perret arriti të kapërcejë të gjitha pengesat formale, të përmbushë kërkesat dhe të mbledhë votat e mjaftueshme . "Sot është një ditë shumë e rëndësishme për demokracinë, sepse për herë të parë në historinë e BE-së arriti të dorëzohet me sukses një nismë qytetare," - tha Sefcovic. Për një nismë janë të nevojshme një milion nënshkrime qytetarësh nga të paktën shtatë shtete anëtare të BE. Përveç kësaj duhet edhe një numër minimal votash për secilin nga vendet e përfshira. Ky prag tani u tejkalua me nismën për ujin.

Kjo nismë qytetare u mbështet fort nga sindikatat në të cilat janë të organizuar nëpunësit e sipërmarrjeve publike të furnizimit me ujë. Në Gjermani një nga sindikatat që mbështeti këtë nismë është Verdi.

Komisioni i BE-së nuk është i detyruar të ndjekë mendimin e qytetarëve

Por se si do të reagojë Komisioni i BE-së për këtë nismë qytetare, këtë e vendos vetë komisioni. Përgjigjia zyrtare do të jepet me shkrim me 20 mars. Por nisma qytetare e arriti një sukses të parë politik që gjatë fushatës. Komisioni i BE-së e prapësoi në verën e vitit 2013 projektpropozimin për privatizimin e sektorit të ujit të furnizimit me ujë.

Përveç nismës për ujin, grupe qytetarësh kanë organizuar edhe nisma të tjera. Vitin e kaluar kanë mbledhur nënshkrime katër nisma. Ndër të tjera kundër abordit apo për futjen e një limiti shpejtësie prej 30 km/h për të gjithë qytetet e Evropës.

Komisioni i BE-së ndihmon përmes një faqeje interneti mbledhjen e nënshkrimeve. Në fund sipas ligjit evropian në fuqi Komisioni vendos nëse do ta pranojë kërkesën e qytetarëve duke formuluar ligjin përkatës, apo do ta hedhë poshtë atë.

Aktualisht ka shtatë nisma që janë duke mbledhur nënshkrime. Njëra syresh synon që të gjithë punonjësit të detyrohen që të fikin dritën e zyrës pas orarit të punës.