1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët e Kosovës për fundin e pavarësisë së mbikqyrur

Bekim Shehu/Prishtinë7 Shtator 2012

Kosovën e ndajnë vetëm edhe 6 ditë nga vendimi përfundimtar i Grupit Drejtues ndërkombëtar për Kosovën. Po çfarë ishte pavarësia e mbikqyrur për disa qytetarë të Kosovës?

https://p.dw.com/p/164qj
Pamje nga Prishtina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kosova katër vjet e gjysmë më parë shpalli pavarësinë e saj. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, u bazua mbi pakon e kryengociatorit të OKB-së, Marti Ahtisarit, e cila parashihte një mbikqyrje ndërkombëtare, nëse institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës zbatojnë të gjitha pikat që parashiheshin në këtë pako. Shumica nga këto pika kishin të bëjnë me të drejtat e pakicave kombëtare. Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila udhëhiqej nga diplomati Peter Faith, kishte të drejtën e vetos mbi institucionet e "pavarura", të shtetit të Kosovës, nëse ato nuk zbatojnë pikat e pakos së Ahtisarit. Mirëpo, kjo e drejtë asnjëherë nuk u përdor për faktin që institucionet e Kosovës, sipas, Peter Faith, përmbushën për përpikmëri të gjitha pikat e pakos së Marti Ahtisarit dhe për këtë arsye me 10 shtator shteti i pavarur i Kosovës, më nuk do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare. Por, çfarë ishte pavarësia e mbikqyrur për disa qytetarë të Kosovës?

Arben Veselaj, 40 vjeçar shqiptar i Kosovës, i takon një brezi që rininë e ka kaluar në kohën totalitarizimit, regjimit të ish presidentit serb, Milloshevic. Ai në atë kohë ka pasur një ëndërr të vetme. Të jetojë në shtetin e pavarur të Kosovës. Ajo ëndërr i është realizuar tash e katër vjetë e gjysmë kur Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa, lirinë e ndjen që nga viti 1999 kur forcat serbe u larguan nga Kosova. Por, në projeksionet e tij ideale, pavarësia e Kosovës është menduar ndryshe. "Kurrë s'kam menduar se shteti ynë do të jetë kaq i largët për interesat e qytetarëve. Duket se pavarësia po instalon një mendësi të keqe në ne. Dikur i urrenim institucionet e shtetit serb, sepse ato ishin okupatore, ndërkaq sot nuk e di, por këtë ndjesi më duket ende e kemi", thotë Arben Veselaj.

Arbeni me profesion është gjuhëtar dhe punon si lektor. Pavarësinë e Kosovës e cila në këtë javë të shtatorit merr formën e plotë pa mbikqyrje ndërkombëtare, Arbeni e përjeton vetëm si një përmbushje siç thotë emocionale. "Pas shpalljes së pavarësisë, ne gjithnjë e më shumë po varfërohemi. Shteti
i pavarur i Kosovës po na rrit çmimin e taksave, ndërkaq po na rrjep me shërbime të shtrenjta publike, kamata shkatërrimtare të bankave, shërbime gati kriminale shëndetësore, edukim dhe arsimim shumë të dobët për fëmijët tanë", thotë Arben Veselaj.

Pakoja e Marti Ahtisarit, mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë, garanton shumë të drejta për pakicat kombëtare. Xhelal Hama, me profesion mësues është pjestar i pakicës boshnjake. Ai jeton në qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore, por shumë bashkëqytetarë të tij jetojnë në pjesën veriore të kontrolluar nga serbët e Kosovës. Atë e përmbush shteti i pavarur i Kosovës dhe ai me emocion kujton shpalljen e pavarësisë.

"Bëhet fjalë për një ngjarje të madhe në jetën tonë. Jemi të lumtur që kemi qenë dëshmitar të këtij momenti historik. Nga pikëpamja ime personale këtë moment e kam përjetuar emocionalisht sepse edhe unë dhe familja ime edhe bashkësia së cilës i takojë kemi dhënë viktima, kemi sakrifikuar gjatë viteve të shkuara", thotë Xhelal Hama.

Mësuesi Xhelal Hama, thotë se në Kosovën e pavarur natyrisht ka probleme dhe në rend të parë ai përmend sigurinë në veri të qytetit të Mitrovicës.

"Kur është fjala për probleme për të cilat ballafaqohemi, mund të them se mbesin ato të cilat janë tash e 13 vjet. Në radhë të parë është fjala për sigurinë. Me këtë mendoj për bashkëqytetarët e mi që jetojnë në veri të Mitrovicës. Janë incidentet e ndryshme që ndodhin në këtë pjesë dhe nga të cilat incidente disa herë kanë pësuar edhe boshnjakët", thotë Xhelal Hama.

Megjithë këto probleme që akoma po ndodhin në veri të Mitrovicës në aspektin e përgjithshëm, mësuesi Hama, mendon se periudha katërvjeçare që nga shpallja e pavarësisë është një periudhë suksesi në aspektin që institucionet e Kosovës më nuk do të kenë mbikëqyrje ndërkombëtare.

Njohësit e zhvillimeve në Kosovën e pasluftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, thonë se Kosova ka pasur nevojë për mbikqyrje ndërkombëtare, sepse, është një shtet që sponsorizohet nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe fundi i mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, vetëm katër vjet e gjysmë pas shpalljes, mund të cilësohet si një ditë historike për Kosovën, mendon profesori Arsim Bajrami, i cili vetë e ka përgatitur legjislacionin e kërkuar për fundin e mbikqyrjes.

"Kushtetuta e Kosovës po fuqizohet dhe po bëhet akti më i lartë juridik në Kosovë dhe nuk ka supremnaci më pakoja e Marti Ahtisarit. Pra pakoja e Ahtisarit po përfshihet në ligjet dhe po i vjen fundit dispozitave që pakoja nuk është më mbi kushtetutën", thotë Arsim Bajrami.

Procesi i përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë mbyllet me 10 shtator, kur përfundimisht konstatohet se është përmbushur pakoja e Marti Ahtisarit, mbi bazën e së cilës Kosova shpalli pavarësinë me 17 shkurt të viti, 2008. Ko përmbyllje nënkuptohet në kuptimin juridik-formal, por jo në përfundimin e mbikqyrjes në kuptimin e prezencës ndërkombëtare në vend. Qeveria e Kosovës është duke punuar për ta pranuar një format ndryshe të prezencës së misionit EULEX në Kosovë dhe natyrisht edhe prezencën e trupave të NATO-s.