1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Quo vadis Kosova? - Pavarësia nën hijen e luftës për pushtet

Korrupsioni, lufta për pushtet, dhuna dhe varfëria dëshmojnë paaftësinë e elitës politike të Kosovës. Por kësaj here zgjidhja e problemeve duhet gjeneruar nga vet politika dhe shoqëria, mendon Vilma Filaj-Ballvora

Quo vadis Kosova? Kjo pyetje shtrohej në fundshekullin e kaluar kur popullsia shqiptare nën Serbinë konfrontohej me shtypjen, privimin nga të drejtat si pakicë brenda një shteti të madh dhe luftën për mbijetesë. Shpresat e pasluftës në vitin 1999 u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë nga Serbia më 17 Shkurt 2008. Euforia dhe zelli për një fillim të ri në shtetin e Kosovës ishin të pamasa: mijëra mërgimtarë në Perëndim u kthyen në Kosovë për ta jetuar e ndihmuar shtetin e tyre që të rimëkëmbet. Por ylli i shpresës u shua shpejt. Pavarësia e fituar me mbështetjen e shumicës së shteteve perëndimore, por e kushtëzuar dhe nën mbikqyrjen ndërkombëtare, kompromiset e dhimbshme, por të domosdoshme për ta mbajtur në këmbë shtetin e ri multietnik, mungesa e përvojës dhe paaftësia e elitës politike për ta menxhuar pavarësinë, vështirësitë ekonomike dhe korrupsioni mbytës i zhgënjyen shumë kosovarë. Dëshpërimi arriti kulmin verën e 2014 me zgjedhjet parlamentare, rezultati i të cilave fliste qartë, se asnjëra nga partitë nuk mori besimin e plotë të zgjedhësve për të qenë mazhorancë solide qeverisëse. Arsyeja: asnjëra parti nuk ka ofruar deri më sot alternativë bindëse për zgjidhjen profesionalisht të problemeve në dobi të qytetarëve. Muajt e vakuumit të pushtetit deri në krijimin e qeverisë që me shume ishte nje „pazar" sesa marrëveshje e mirëfillë politike, patën efektin fatal me largimin e dhjetra mijëra qytetareve e qytetarëve nga vendi me shpresën për një jetë më të mirë sërish diku në Perëndim.

Braktisje dhe paralizë

Sot tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë pra shteti i ri konfrontohet me braktisjen prej popullsisë dhe paralizimin e jetës parlamentare. Prej muajsh kuvendi nuk funksionon normalisht. Madje siç po duket edhe zgjedhja e presidentit së shpejti – edhe kjo pjesë e pazarit politik - mund të katandisë me votimin në ndonjerin nga ankeset e sallës plenare. Ajo që është edhe më zhgënjyese është dhuna e përdorur për bllokimin e seancave parlamentare. Veprime këto të dënuara jo vetëm nga opinioni në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht. Është e pajustifikueshme që në shekullin e 21-të në një vend që pretendon të jetë pjesë me të drejta të barabarta në BE reagimi i të zgjedhurve nga populli është deri i dhunshëm duke hedhur gazlotsjellës e duke lënduar deputetët për të shprehur kundërshtinë ndaj marrëveshjeve të arritura midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së. Është po ashtu e pafalshme që mazhoranca nuk është në gjendje të gjejë gjuhën e duhur për ta ulur opozitën në tryezën e bisedimeve. Krijimi i fronteve të tilla nënkupton fatkeqësisht vetëm luftë kryeneçe për pushtet e aspak zell për të qenë në shërbim të popullit.

Vilma Filaj Ballvora Leiterin DW-Albanisch

Vilma Filaj Ballvora

Dhe sërish pyetja: quo vadis Kosova? Ndryshe nga koha e luftës si dhe tetë vjet më parë kur zgjidhjet u arritën me mbështetjen e fuqishme nga jashtë dhe Kosova u fut në rrugën që kish dëshiruar, sot kësaj pyetjeje mund dhe duhet t'i përgjigjet në mënyrë imediate dhe absolutisht vetëm elita politike e vendit si dhe shoqëria civile kosovare. E vetmja alternativë mbetet apeli: kuvendoni së bashku e gjeni zgjidhje nëse e doni vendin dhe shtetin tuaj. Askush tjetër nuk mund ta zgjidhë “nyjen e re gordiane kosovare” të krijuar nga vet të zgjedhurit në Kosovë. Që shteti më i ri në Evropë të konsolidohet lipset funksionim i strukturave të shtetit ligjor demokratik. Këto struktura mund të funksionojnë vetëm nëse forcat politike në mazhorancë apo opozitë janë të afta të dialogojnë dhe të përballen me argumenta profesionale në kuvend.

Pra ku po shkon Kosova? Në kushtet se si Kosova arriti të pavarësohet - e besoj fort që për këtë të gjitha palët janë e në mos qofshin duhet të jenë të vetëdijshme, se kjo pavarësi mund të menaxhohet e konsolidohet vetëm duke integruar me të gjitha të drejtat pakicën serbe në Kosovë. Në këtë kontekst detyrimi më delikat para Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe respektimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga Brukseli. Rruga është e pakthyeshme dhe kompromiset janë të pashmangshme, sado të dhimbshme qofshin ato. Demokraci do të thotë përballje argumentash, gjetje zgjidhjesh dhe kompromise. Dhe është pikërisht kuvendi tribuna e debatit dhe gjetjes së zgjidhjeve në dobi të qytetareve e qytetarëve të vendit.

Një detyrë imediate për t'iu afruar standardeve të BE-së mbetet aktualisht për Kosovën konsolidimi i jetës parlamentare. Në radhë të parë janë qytetaret dhe qytetarët e Kosovës ata që presin nga politikanët koncepte dhe zgjidhje të problemeve e jo konfrontime për përfitime dritëshkurtra dhe intersa pushteti. Sa mirë do të qe që ky sinjal ujdije të jepej si dhuratë në ditën e pavarësisë!

Evropa e vetmja alternativë

Tetë vjetori i pavarësisë, siç ka paralajmëruar opozita, sivjet do të kremtohet me protestën masive për rrëzimin e qeverisë. Nëse protesta do të artikulojë paqësisht në këtë ditë të shënuar kërkesat dhe pakënaqësitë, kjo është e drejtë legjitime në demokraci. Nëse protesta devijon në dhunë, – siç druajnë shumë në Kosovë - atëherë sërish shtrohet pyetja: quo vadis Kosova? Në tetë vjetorin e pavarësisë elita politike si dhe qytetarët e qytetaret e Kosovës duhet ta japin bashkarisht përgjigjen, se ku duan ta çojnë Kosovën. Unë e kam një përgjigje: alternativë nuk ka, jo dhunës, po dialogut, sepse Kosova është dhe duhet të jetë në Evropë. Në komunitetin e vlerave mund të bëhesh pjesë e barazvlefshme vetëm duke përqafuar dhe mbushur me jetë vlerat e demokracisë evropiane.