1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

QUINT-i kategorik kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale

Bekim Shehu
5 Janar 2018

Vendet e QUINT-it ftojnë udhëheqësit politikë të Kosovës që të heqin dorë nga çdo tentativë shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

https://p.dw.com/p/2qNKJ
Kosovo Wahlen Parlament
Fotografi: AP

QUINT-i e dënon një vendim të tillë të mundshëm të institucioneve të Kosovës dhe thotë se kushdo që mbështet një gjë të tillë vepron qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Këtë deklaratë të përbashkët ambasadorët e vendeve të QUINT-it e bënë pasi në mediet lokale u riaktualizua çështja e shfuqizimit të mundshëm të Gjykatës Speciale me një ligj nga ana e parlamentit të Kosovës, edhe pse zyrtarisht nuk është thirrur seanca e jashtëzakonshme.

"Jemi thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje në të ashtuquajturin "rasti i familjes Hajra”. Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Asnjë arsye për të penguar Gjykatën Speciale

Vendet e QUINT-it  u rikujtojnë udhëheqësve politikë kosovarë se vendet perendimore ishin miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira, që nga mbështetja e tyre për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve perëndimorë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e saj.

"Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqë dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha arritjet e Kosovës. Kjo i vë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare.” - thuhet më tej në deklaratën e vendeve të QUINT-it.

Den Haag Ekaterine Trendafilova, Vorsitzende des Spezialgerichts für Kosovo
Ekaterine TrendafilovaFotografi: DW/Bahri Cani

Ambasadorët e QUINT-it, i ftojnë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrenë zërin kundër kësaj nisme dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtar dhe euro-atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. "Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht, ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.

"Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmojë përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranojë mbështetjen ndërkombëtare. Me ndihmën tonë Kosova ka shënuar përparime në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit”, thuhet në deklaratën e QUINT-it duke hedhur poshtë zërat se kishte një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e dhomave të specializuara.

Nisma parlamentare kundër Gjykatës Speciale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë të mëhershëm pati lënë të nënkuptohet se kishte një zotim dhe mbështetje për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare, nëse Kosova themelon Gjykatën Speciale.

"Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikojmë për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhë liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelojmë shpejt Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova e mbajti fjalën, e themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësuar rrugëtimi euro-atlantik”, pati thënë Presidenti Thaçi gjatë një prezantimi të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale.

Kosovo Präsident Hashim Thaci
Hashim ThaçiFotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

43 deputetë të kuvendit të Kosovës ndërmorën në prag të Vitit të Ri, një nismë për thirrjen e një seance të jashtzakonshme që me një ligj të veçantë ta shfuqizojnë ligjin për Gjykatën Speciale. Pas reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kjo nismë për momentin u ndërpre, ndonëse nuk ka një tërheqje të plotë të deputetëve nga kjo nismë.  Asnjëri nga udhëheqësit kryesorë të  institucioneve të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, nuk janë shprehur kundër nismës së 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

LDK kundër shfuqizimit

I vetmi subjekt politik brenda kuvendit të Kosovës që vazhdon ta kundërshtojë idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo parti thotë se "hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin qëndrueshmërinë dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

"LDK-ja e sheh si jetike për vendin ruajtjen e raportit të miqësisë me SHBA-në, me vendet e BE-së dhe NATO-n. Kosova është vendi dhe shteti ynë që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në një reagim të LDK-së.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015 parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë, e cila do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale është ligjërisht e gatshme  të nisë punën. Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë gjatë periudhës 1998-2000. Nga hetimet paraprake hetuesi amerikan Clint Williamson ka deklaruar se ”kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë”.