1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qitaku: Në liberalizimin e vizave për Kosovën KE s'ka përdorur të njëjtat standarte

15 Korrik 2011

Ministrja për integrime evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Qitaku flet për dialogun Kosovë-Serbi dhe rrugën e të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian.

https://p.dw.com/p/11vu4
Vlora Qitaku, Ministrjepër integrime evropiane në qeverinë e Kosovës
Ministrja Vlora QitakuFotografi: DW

DW: Ministre Qitaku, ku është Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane?

Qitaku: Fatkeqësisht Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perendimor, që nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Ne kemi mbetur vendi i vetëm, që gjeografikisht gjendet në Evropë, por që ende nuk ka mundur të formalizojë marrëdhëniet me strukturat e Bashkimit Evropian. Mirëpo ne e kemi kuptuar që procesi i integrimit evropian në esencë është një dinamikë e brendshme. Integrimi evropian është një pako reformash, një listë detyrimesh, që ne si institucione të Kosovës duhet t'i përmbushim, në mënyrë që Evropën ta ndërtojmë këtu në Kosovë.

DW: Ministre, cilat janë pritjet nga raporti i progresit për Kosovën për këtë vit. Këtu kam parasysh deklaratën, që e dha kohë më parë në Prishtinë Pier Mirel, se raporti i progresit për Kosovën këtë vit nuk do të jetë shumë pozitiv?

Qitaku: Ne duhet të konstatojmë dhe të jemi të sinqertë që Kosova ka humbur gjashtë muaj për shkak të krizës politike dhe kushtetuese, nëpër të cilën kemi kaluar dhe realisht ne vetëm nga prilli i këtij viti kemi filluar të punojmë për adresimin e sfidave dhe detyrimeve, që e presin Kosovën në përmbushjen e kritereve evropiane. Mirëpo unë me kënaqësi konstatoj se të gjitha ministritë e linjës kanë punuar me një dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që ta zënë hapin dhe të kompensojnë kohën e humbur. Mirëpo më duhet ta pranoj se ne nuk do të mund të adresojmë të gjitha çështjet e kërkuara nga komisioni evropian. Mirëpo ne kemi venë prioritetet dhe këto janë: çështjet e vendosjes së rendit dhe ligjit, reformës së administratës publike dhe përmbushja e kritereve të tjera politike, që derivojnë nga raporti i progresit të vitit të kaluar.

DW: Ku qëndron Kosova në procesin e liberalizimit të vizave. Disa herë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe ju, kanë bërë përgjegjës edhe Komisionin Evropian, që po perdor standarde të dyfishta për Kosovën, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave?

Qitaku: Ju e dini që Kosovës i janë imponuar disa kritere shtesë dhe kjo për shkak të pervojave, që Komisioni Evropian ka nxjerrë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e rajonit. Në këtë kontekst nga Kosova është kërkuar që të punojë në reintegrimin e personave të riatdhesuar. Ne realisht në një afat rekord kohor kemi miratuar ligjin për riatdhesim, kemi ndarë fondin prej 3.5 milion erurosh për reintegrimn e personave të riatdhesuar, kemi funksionalizuar zyrat komunale për këtë çështje dhe kemi nënshkruar marrëveshje bileterale me vendet e BE-së, veç e veç. Kjo e fundit është një kërkesë shtesë për Kosovën, sepse vendet e rajonit kanë nënshkruar vetë një marrëveshje me Komisionin Evropian. Ne tani presim shumë shpejt një mision vlerësues nga Komisioni Evropian për të evidentuar progresin e arritur në nivelin komunal, sepse sfida është aty. Pra ne realisht presim që në muajt e ardhshëm ta marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

DW: Jemi në fazën e dialogut Kosovë-Serbi, pos synimit për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve. E afron Kosovën ky dialog me bashkimin evropian?

Qitaku: Unë e kam ndjekur më vëmendje dialogun, që prodhoi marrëveshjet e para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ajo, që kam vënë re, është se ekziston një keqkuptim fundamental jo vetëm për dialogun Kosovë Serbi, por edhe për Bashkimin Evropian në përgjithësi. Në fakt Bashkimi Evropian nuk është as më pak e as më shumë, sesa një gjendje konstante e dialogimit. Dialogu është parimi, mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Evropian. Dialogu zhvillohet për çështje të rënda, sepse për çështje të lehta nuk ka nevojë të dialogohet. Pra në këtë sfond duhet parë dialogu Kosovë-Serbi. Ne duhet ta pranojmë se po diskutojmë me një shtet, që e mohon ekzistencën e shtetit të Kosovës, por për vetë faktin, që jemi ulur në një tavolinë bisedash, është një njohje indirekte e ekzistencës së realitetit të Kosovës nga Serbia.

DW: Sa ekziston rreziku që Serbia të anëtarësohet para Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se ajo mund ta pengoje Kosovën në rrugën e saj drejt Evropës?

Qitaku: Ju e dini që kohët e fundit kemi pasur një artikulim shumë të qartë dhe të zëshëm nga Bashkimi Evropian, por edhe nga vendet anëtare të BE-së që Serbia nuk mund të bëhet anëtare e familjes evropiane, pa e njohur realitetin e Kosovës dhe ky qëndrim besoj se do të jetë edhe më i zëshëm ditëve në vijim. Kosova nuk ka asgjë kundër evropianizimit të Serbisë përkundrazi. Ne shpresojmë që evropianizimi i Serbisë të reflektojë edhe me një qasje evropiane të Serbisë ndaj Kosovës, sepse deri tash kemi parë një Serbi evropiane në raport me Brukselin, ndërsa një Serbi antievropiane në raport me Kosovën. Në fund unë dua të them se bashkëpunimi rajonal është parakusht për integrim në Bashkimin Evropian.

Intervistoi: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica