1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qiproja dhe rrugëdalja nga kriza

Qiproja është një vend i vogël por me probleme të mëdha. Kjo u tha në një tubim të mbajtur në Deutsche Welle me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Gjermania, Qipro dhe Greqia.

default

Foto simbolike, BE-Qipro

Parajsa e tatimeve ka marrë fund. Edhe fama e bregdetit të bukur është harruar ndërkohë. Pas një rënie të pashembullt ekonomike, Qiproja është futur në një krizë të thellë. Që prej disa muajsh ky vend po përpiqet të gjejë një rrugëdalje, ndërkohë që për fatin e saj duhet të bashkvendosin edhe vendet e Eurozonës. Ky është një rast i komplikuar, i cili hap edhe çështje të tjera lidhur me besueshmërinë ndaj Eurozonës në menaxhimin e krizave.

"Por ende nuk është hartuar ndonjë strategji afatgjatë. Politikanët duan ta ruajnë të drejtën që të vendosin varësisht prej rastit. Nëse Sllovenia për shembull në të ardhmen do të bëhet një rast i ri që duhet të mbështetet në këtë krizë, ende nuk dihet. Po ashtu nuk dihet se si do të reagohej në këtë rast, thotë profesori Heinz-Jürgen Axt, nënkryetar i Shoqatës së Evropës Juglindore. Pikëpamjet e tij ai i prezantoi në një debat të organizuar në Deutsche Welle, së bashku me ekspertin për Qipron, Jannis Papadimitriou, korrespondent i Deutschen Welles nga Athina dhe Brukseli si dhe Michalis Persianis, kryeredaktor i gazetës për çështje financiare Kathimerini në Nikozi.

Një shembull si shkak për brengosje

Republika e Qipros është anëtare e Bashkimit Evropian, që nga viti 2004. Më 2008 ky vend është futur në Eurozonë. Qiproja me një fuqi ekonomike prej 17,5 miliardë euro përbën një prej ekonomike më të vogla në Eurozonë. Fakti që ky vend tani është futur në krizë, mund të shpjegohet sipas Heinz-Jürgen Axt kështu: "Qiproja i ka plotësuar kriteret për futjen në Eurozonë, pas uljes së borxheve. Për fat të keq kjo ulje nuk ishte e qëndrueshme dhe afatgjatë, sepse pas futjes në Eurozonë në vitin 2008 burxhet e Qipros sërish janë rritur. Kjo ishte një rrugë me mashtrime, vetëm sa për të plotësuar kushtet per futje në Eurozonë".

Paralajmërime se Qipro është në krizë ekonomike ka pasur edhe më parë. Ekspertët kanë thënë edhe më parë se problemi më i madh do të jetë sektori i bankave, për shkak të lidhjes së bankave të Qipros me ato të Greqisë. Shumica e kërkesave të bankave qipriote janë të lidhura me sektorin bankar dhe ekonomik në Greqi. Pra a do të thotë kjo se Qiproja është në fakt viktimë e krizës ekonomike në Greqi?

Kriza dhe fytyra e saj

Zyperns Parlament stimmt über Spar- und Hilfsprogramm ab

Parlamenti i Qipros miratoi programin e kursimeve

"Kjo është një paraqitje e thjeshtësuar, sepse mund të thuhet edhe kështu: kriza ka filluar në SHBA, ndaj kriza në vendet e tjara është pasojë e kësaj krize. Kjo është madje absolutisht e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se amerikanët nuk e kanë idenë për ekonominë", pohon gazetari grek Jannis Papadimitriou.

"Se ku ka filluar kriza është çështje dytësore. Me rëndësi është që të mos përhapet. Me rëndësi është që të gjendet një zgjidhje e përgjithshme evropiane e krizës. Këtu nuk ka ndonjë recetë magjike, por kërkohet një përzierje e disa masave".

Krizat financiare janë të ngjashme. Michalis Persianis, kryeredaktor i gazetës ditore për ekonomi dhe financa, Kathimerini është i bindur se "në Qipro kemi një shembull të kapitalizmit kronik, me shumë kredi dhe me kredi me procedurë të përshpejtuar. Shkaku kryesor që ka thelluar krizën, gjë që është parë edhe në rastet e tjera, është vonesa e marrjes së vendimeve politike".

Qipron e presin kohëra edhe më të vështira. Megjithatë gazetari qipriot është i bindur se Qiproja ka një shans të madh që në 3-4 vitet e ardhëshme të dalë nga kriza. "Kjo është një mundësi e madhe për Qipron, që të realizojë reformat e planifikuara kohë më parë në shërbimet publike. Qiproja ka një ekonomi të vogël, e cila shumë më thjesht dhe shumë më shpejt mund të rimëkëmbet se sa disa vende të tjera, si për shembull Greqia."