1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qipro së shpejti nën ombrellën e shpëtimit?

Qipro me 1 korrik merr presidencën e BE. Por republika ishull mund të ketë së shpejti nevojë për ombrellën e shpëtimit të euros. Agjencitë e vlerësimit e kanë degraduar tani aftësinë paguese të vendit.

Bankat në Qipro janë të lidhura ngushtë me bankat greke, kjo ishte arsyeja kryesore për agjencitë vlerësuese për të degraduar aftësinë paguese të shtetit ishull.

Në qendrën financiare Qipro politika dhe ekonomia bankare janë të ndërthurura ngushtë. Një veçori e politikës lokale është se presidenti komunist Dimitris Christofias qeveris me mbështjetjen e një partie nacionaliste, ndërsa konservatorët proevropianë i afrohen socialistëve. Vëzhguesit janë të mendimit se ata ndjekin një strategji të përbashkët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2013.

Agjencitë e vlerësimit ulin bonitetin e bankave qipriote për shkak të lidhjeve me bankat greke

Agjencitë e vlerësimit ulin bonitetin e bankave qipriote për shkak të lidhjeve me bankat greke

Në thelb duket se politikanët janë dakord: qeveria duhet të bëjë detyrat e saj, qendra financiare Qipro duhet të ruhet. Se çfarë do të thotë kjo konkretisht, interpretohet në mënyra të ndryshme. Partia komuniste, AKEL, që qeveris,  porosit të kihet kujdes nga kursimi i tepërt: Ai vetëm do t'i merrte frymën ekonomisë, siç shihet në shembullin e Greqisë, thotë zëdhënësi i partisë, Jorgos Loukaidis në televizionin qipriot. 

Komunistë pragmatikë

"Problemi kryesor është kriza bankare, jo politika e pakujdesshme financiare, apo problemet strukturore të ekonomisë", thotë Loukaidis. Kudo popullsisë i imponohen masa kursimi, për të ndihumuar bankat. Kjo rrugë nuk do t'i zgjidhte problemet, por do t'i thellonte ato. "Kur në Greqi filluan masat e para të kursimeve, borxhet e vendit arrinin 115 përqind të produktit të brendshëm bruto. Pas dy javësh politike kursimi ato u rritën në 165 përqind, kjo do të thotë diçka", mendon Jorgos Loukaidis.

Argumentet e tij kujtojnë retorikën e partisë së majtë greke SYRIZA. Por të majtët në Qipro duken më pragmatikë se kolegët e tyre në Athinë. Për shembull komunistët qipriotë së bashku me partitë e tjera në mes të qershorit votuan papritur për rikapitalizimin e "Laiki Bank" me ndihmën e shtetit.

"Qëllimi ynë nuk ishte të shtetëzonim humbjet, apo të shpëtonim bankat, megjithëse e gjitha në fund të fundit aty të çon", thotë Loukaidis në intervistë. "Laiki Bank" është një bankë me rëndësi në sistem, ajo është institucioni më i madh financiar në vend. "Një falimentim do të kishte pasoja fatale për sistemin bankar dhe për të tërë ekonominë", shpjegon zëdhënësi i AKEL.

Opozita flet për kërkesë për ndihmë nga Brukseli

Deri në fund të qershorit "Laiki Bank" do të marrë një injeksion financiar prej dy miliardë eurosh, për të përmbushur kërkesat e Mbikqyrjes Bankare Evropiane. Por për këtë qeveria qipriote nuk ka para. Alternativat janë një kërkesë për ndihmë drejtuar Brukeslit, kreditë nga Rusia, apo shfrytëzimi i parave nga paketa e dytë e shpëtimit për Greqinë. Një ndihmë e fondit evropian të shpëtimit do të ishte zgjidhja më e mirë, mendon deputeti konservator Christos Stylianidis: 

"Qeveria duhet të shqyrtojë mundësinë e një borxhit të EFSF-së, me qëllim të mos dëmtohet emri i Qipros si qendër financiare", thotë politikani i opozitës Stylianidis në një intervistë televizive. "Ne duhet të sinjalizojmë qartë, se i nënshtrohemi një disipline të rreptë financiare."

Shpërthimi në centralin elektrik në bazën e marinës qipriote në 11 korrik 2011

Shpërthimi në centralin elektrik në bazën e marinës qipriote në 11 korrik 2011

Që në vitin 2011 presidenti Dimitris Christofias duhet të ristrukturojë kabinetin, pasi dolën thashetheme për një kërkesë ndihme nga Brukseli. Shkaktar i krizës qeveritare ishte një aksident shkatërrues për arsye deri tani të paqarta në qytetin port të Limassolit: Nga shpërthimet e depos së municionit gjetën vdekjen 13 vetë, një pjesë e madhe e infrastrukturës së brendshme u shkatërrua. Riparimi kushton dy miliardë euro. Kjo është baraz me dhjetë përqind të prodhimit ekonomik vjetor të republikës ishull. Prej kësaj rëndohet ekonomia qipriote, gjithsesi e dëmtuar nga kriza.

"Të ratifikohet shpejt pakti fiskal"

Megjithatë, apo pikërisht për këtë arsye, vendi duhet të japë një shenjë për disiplinë më të madhe fiskale, mendon parlamentari konservator Stylianidis. Dyshimet për bonitetin e saj Qipro nuk duhet t'i lejojë aspak, si qendër për shërbimet financiare.

"Unë jam për ratifikimin sa më parë të jetë e mundur të paktit fiskal evropian", thotë politikani i opozitës në një intervistë me televizionin shtetëror. Kështu përmirësohet vlerësimi i bonitetit të obligacioneve qeveritare qipriote. "Në qoftë se ne e fshehim problemin nën qilim, atëherë do të na ndodhë i njëjti fat si Greqisë", porosit Stylianidis. 

Koha nuk pret. Nga shqetësimi për përfshirjen e bankave qipriote në Greqi agjencitë e vlerësimit Standard and Poor's dhe Moody's e kanë ulur shumë vlerësimin për aftësinë paguese të vendit. Megjithatë qeveria e majtë e Qipros premton një politikë solide financiare. Në vitin 2014  ajo synon të ketë një buxhet të ekuilibruar.