1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arrestime në protestat Anti Putin

6 Mars 2012

Gjatë një proteste kundër zgjedhjes së kryeministrit Vladimir Putin për president të ri të Rusisë, në Moskë dhe në Shën Petërsburg të hënën në mbrëmje janë arrestuar rreth 250 kritikues të Kremlinit

https://p.dw.com/p/14FiE
Fotografi: DW

Në sheshin Pushkini të Moskës protestuan rreth 20.000 njerëz kundër rezultateve të zgjedhjeve. Sipas policisë ishin gjithsej 14.000 vetë. Pas rrethimit me helmeta dhe shkopinj, policia filloi arrestimin e qindra personave. Ndër to ishin edhe deputetë dhe kundërshtarë të njohur të Putinit si Aleksej Navalny, i cili denoncon korrupsionin në Rusi dhe bashkëpunëtorin e tij Segei Udaltsov. Këta të dy ishin edhe organizatorët e tubimit.

Pamje nga sheshi Pushkin
Pamje nga sheshi PushkinFotografi: DW

Protestuesit kërkojnë zgjedhje të reja

Edhe pse moti ishte pesë gradë nën zero, atmosfera dukej e nxehtë. Të gjithë thërrisnin "Rusia pa Putinin". Vladimir Ryshkov ishte folësi i parë:

"Ne kërkojmë dhënien fund të represionit politik. Ne kërkojmë që të tërhiqen falsifikatorët nga Komisioni Zgjedhor. Dhe më e rëndësishmja është : Ne kërkojmë zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare. Këto zgjedhje nuk janë legjitime".

Në foto, Gary Kasparov
Në foto, Gary KasparovFotografi: DW

Gary Kasparov, mjeshtri botëror i shahut po ashtu premtoi se Rusia do të bëhet një vend i lirë dhe demokratik. Gjatë protestës opozitarët udhëheqës e akuzuan Putinin se ka falsifikuar rezultatin e votimit. Sipas tyre zgjedhjet duhet të anuloheshin. Në mesin e protestuesve kishtë shumë të rinj. Pjesa më e madhe e demonstruesve thërrisnin me zë të lartë: Putini është hajdut, Putini duhet të futet në burg. Protesta zgjati deri në orën 21 të mbrëmjes.

OSBE: Parregullsi në votime

Putini ka fituar 63 për qind të votave. OSBE bëri vërejtje për parregullsi në një të tretën e qendrave të votimit të vëzhguara nga ajo.Vëzhguesit evropianë bëjnë të ditur se zgjedhjet presidenciale në Rusi favorizuan qartazi kryeministrin Vladimir Putin, i cili arriti një fitore të thellë. Në një deklaratë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thuhet se në zgjedhjet presidenciale të Rusisë nuk pati një konkurim të mirëfilltë.

Edhe Organizata ruse e vëzguesve zgjedhorë Golos regjistroi mijëra shkelje dhe ka marrë sipas të dhënave të veta 1400 ankesa. Putinit ju dha një avantazh i qartë, përmes mundësisë që ai pati për të komunikuar në media dhe se votuesve ju dha një zgjedhje e kufizuar kandidatësh, për shkak të kërkesave me shumë kufizime për regjistrimin e kandidatëve.

Pamje nga një tubim në mbështetje të Putinit, 4 shkurt 2012
Pamje nga një tubim në mbështetje të Putinit, 4 shkurt 2012Fotografi: REUTERS

Autor: Krause/dpa/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti