1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qindra mijëra vende pune për Greqinë - vetëm si?

Rania Antonopoulos ishte profesore e shkencave ekonomike në Nju Jork. Që prej janarit ajo është zëvendësministre e punës në Athinë. Detyrë e saj: të krijojë vende pune. Me se mund të financohet kjo?

DW: Dr. Antonopoulos, deri në fund të vitit 2014 ju ishit profesore e shkencave ekonomike në Institutin-Levy në shtetin federal amerikan Nju Jork. Kurse tani jeni nëpunësja me statusin më të lartë në Ministrinë greke të Punës. Si keni ndërmend ta trajtoni problemin gjigant të papunësisë në vend?

Rania Antonopoulos: Unë punoj që prej vitit 2006 për një koncept të "garancisë së punës". Ideja është, që çdo personi të papunë, që e dëshiron, t'i gjendet një vend pune me kohë të plotë të paguar me pagë minimale. Kur nuk gjendet punë në ekonominë e lirë, atëherë do ta financonte qeveria një vend pune.

Në vitet 2011-2012 unë zhvillova me Ministrinë greke të Punës një projekt provë në kuadër të vogël. Para zgjedhjeve, Syriza bëri të ditur se do të krijojë 300.000 vende pune, për të përballuar krizën humanitare në Greqi.

A nuk është numri i të papunëve në Greqi shumë më i madh se 300.000?

Po, në Greqi ka rreth 1,3 milionë të papunë. Vetëm një e treta e popullit punon: dy të tretat janë të varura nga kjo një e tretë që punon. Kjo ka pasojë shqetësuese për standardin e jetesës, për financimin e planeve të pensioneve dhe në gjëra të tjera.

Por rezultatet e projektit tonë pilot treguan se jo të gjithë njerëzit do të ishin të gatshëm të pranonin vende pune me paga minimale. Disa preferojnë alternativa, si mbështetjen e familjeve të tyre ose të jetuarit nga kursimet. Megjithatë, ndoshta më shumë se 500.000 vetë do t'i pranonin vende pune të tilla.

Si doni ta financoni këtë program, kur gjendja e buxhetit të Greqisë është shumë e keqe?

Mendojmë se mund të tërheqim rreth 800 milionë euro në vit nga fondet sociale të BE. Veç kësaj, ne bashkëpunojmë me komunat, për të identifikuar mjete shtesë. Po kjo nuk është e mjaftueshme.

Të ardhurat nga taksat të Greqisë pritet të rriten në mënyrë të konsiderueshme vitin tjetër, duke regjistruar aktivitetet ilegale, para së gjithash në tregjet e zeza të naftës dhe të cigareve. Ne do t'i ndihmojmë njerëzit të kalojnë nga ekonomia informale, në atë të rregullt, duke e thjeshtuar dhe duke e bërë më të lirë regjistrimin e sipërmarrjeve. Në të kaluarën, taksat për këtë kanë qenë marramendëse.

Çfarë vendesh pune doni të krijoni?

Një objektiv i rëndësishëm është të bashkojmë aftësitë e njerëzve në një vend të caktuar me detyra të dobishme sociale. Duam gjithashtu të nxisim aktivitete ekonomike, të cilat janë në përputhje me pikërëndesat e qeverisë së re. Këtu bën pjesë zgjerimi i energjive të ripërtëritshme, një ekonomi e qendrueshme e peshkimit, ushqime të prodhuara në rajon, bujqësi ekologjike etj. Shumë iniciativa janë krijuar, por atyre u duhet mbështetje.

Intervistën e zhvilloi Jasper Sky.