1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë kërkojnë thellim të dialogut me Serbinë

Në Prishtinë qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë zhvilluan mbledhje të përbashkët, ku nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi.

Me shtatë marrëveshje të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe një deklaratë të përbashkët, ka përfunduar në Prishtinë mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Këto mbledhje të të dyja vendeve zhvillohen prej tri vjetësh. Të dy kryeministrat, ai i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, thanë se qeveritë e të dyja vendeve dalin me bilance pozitive të bashkëpunimit pas dy mbledhjeve te mëhershme. Sipas tyre gjatë kësaj periudhe është avancuar ndjeshëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, sidomos në marrëveshjet në fushën e financave, bujqësisë, arsimit ndërkufitar dhe në raport me diasporën tonë.

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në mbledhjen e tre qershorit janë: Marrëveshja për Njohjen e Ndërsjellë të Çertifikatës së testimit, Marrëveshja për Bashkëpunim mes autoriteteve tatimore dhe doganore Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e Hetimeve Administrative, Hetimeve tatimore dhe Doganore, Marrëveshja për krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese, Marrëveshja për ngritjen e Kapaciteteve në Realizimin e Reformave në fushën e Mirëqeverisjes dhe Administrimit publik, Marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar, Marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Zhvillimit Ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët folën edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialog ky që sipas tyre do të shërbejë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve në Ballkan dhe nxitjes së zhvillimit.

“Këto mbledhje do të jetë shtysa të procesit përpara sa kualitativ aq edhe të domosdoshëm, të procesit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore në rajonin e Ballkanit. Ky është proces euro integrues, për të cilin ne jemi të përkushtuar gjithnjë. Ne jemi për dialog me të gjithë, edhe më Serbinë. Heqja dorë nga dialogu me të tjerët është një kthim në monolog antihistorik, izolim dhe përjashtim i proceseve progresive”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Dialogu me Serbinë i hap mundësi më të mëdha Kosovës, vlerësoi nga ana tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili e inkurajoi qeverinë e Kosovës që ta vazhdojë dialogun.

“Shqipëria e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, si një mënyrë për të thelluar bashkëpunimin në rajon, duke imponuar të gjithë një koordinim më të ngushtë mes nesh. Në anën tjetër ne e kemi inkurajuar dhe inkurajojmë gjithmonë lidershipin tuaj të shkojë përpara në këtë dialog, sepse është një dialog që ndoshta më shumë se asgjë tjetër e lartëson Kosovën dhe dijen shtetformuese të Kosovës dhe vizionin e Kosovës si një vend i paqes dhe harmonisë në sytë e të gjithë partnerëve dhe miqve të Kosovës”, theksoi Edi Rama.

Rama: Integrimi i Ballkanit perëndimor - domosdoshmëri për një Evropë të sigurt

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm në çdo moment se duhet të jemi bashkë për të nxitur partnerët evropianë të kuptojnë deri në fund dhe të pranojnë si të pashmangshme nevojën e integrimit sa më të shpejt të Ballkanit, jo si një nevojë e jona, por si një projekt strategjik evropian, jo si një vazhdë e një procesi të burokratizuar integrimi, por si një domosdoshmëri për një Evropë të sigurt me një Ballkan të integruar në të”, tha Edi Rama.

Ai tha se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë do të ndodhë në Bashkimin Evropian, mirëpo, mediet në Serbi citojnë një deklaratë të Edi Ramës të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria do të krijojnë një hapësirë mbarëkombëtare për zhvillim ekonomik”.

Gjuriq: Kryeministri i Shqipërisë ka pretendime territoriale

Kjo bëri që të reagoi drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se “kryeministri i Shqipërisë ka pretendime territoriale”.

“Jo që i redukton, por i intensifikon tensionet në rajon. Do të ishte më mirë sikur Edi Rama dhe kolegët e tij të çojnë mesazhe pajtimi, të kenë dëshirë për bashkëpunim dhe stabilitet në rajon, siç bën Serbia”, citojnë mediet serbe Marko Gjuriqin.

E në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se afrimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nuk ka qenë asnjëherë më i mirë sesa në këtë epokë.

“...sepse ne tani e kemi të njëjtë orientim në politikë, atë të integrimeve euroatlantike, i kemi të njëjta gjuhën ekonomike atë të integrimit të lirë dhe konkurrues, por edhe gjuhën shtetërore atë të forcimit të shtetit të së drejtës”, tha Isa Mustafa. Mustafa foli edhe për demarkacionin me Malin e Zi, duke thënë se Kosova nuk po i fal Malit të Zi asnjë centimetër tokë, ashtu siç po pretendon opozita kosovare. Mustafa tha se Kosova ka qasje korrekte ndaj shtetit fqinjë Malin e Zi.

“Ne nuk po i falim dhe nuk po i marrin as një metër katror Malit të Zi, vetëm se po e shënojmë vijën e mëparshme administrative dhe atë po e shndërrojmë në vijë kufitare në mes dy shteteve sovrane”, tha Isa Mustafa.

Mbledhja e radhës e përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të zhvillohet vitin e ardhshëm, në Tiranë. Mbledhja e parë ishte zhvilluar në janar të vitit 2014. Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri tash, nga tri mbledhje të përbashkëta janë në funksion të lehtësimit të barrierave ekonomike në mënyrë që të dyja vendet Kosova dhe Shqipëria të intensifikojnë bashkëpunime tregtar dhe të shënojnë zhvillim ekonomik.