1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Qeveria turke u shtrin dorën e bashkëpunimit kurdëve

Erdoan u takua me presidentin e Zonës Autonome Kurde në Irakun Verior, në një nga qendrat e kurdëve në Turqi: shenjë për një vetëbesim të ri të Ankarasë, mendojnë ekspertët.

Në foto, Erdoan dhe Barzani

Në foto, Erdoan dhe Barzani

Është fillimi i një epoke të re për marrëdhëniet mes Ankarasë dhe kurdëve, thotë politikani turko-kurd Hasim Hasimi, ish parlamentar konservator. Të dielën (16.11.2013) kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan u takua në Dijarbakër me presidentin e Zonës Autonome Kurde në Irakun Verior, Masud Barsa. Kryeministri turk e cilësoi takimin si një "moment historik" në procesin e paqes mes Ankarasë dhe Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK).

Rebelë të armatosur kurdë

Rebelë të armatosur kurdë

"Pamë të valëviten pranë njëri-tjetrit flamujt e Turqisë dhe Kurdistanit, të gjitha tabutë u thyen", thotë Hasimi. Për herë të parë Erdoan foli hapur për "Kurdistan". Për një kohë të gjatë të drejtat politike dhe kulturore të kurdëve në Turqi janë shtypur. Qeveria turke shqetësohej për integritetin territorial të vendit dhe i shihte me shumë mosbesim të gjitha përpjekjet politike të kurdëve. Kështu politikanët nuk e zinin në gojë fjalën "Kurdistan", as kur ishte fjala për Rajonin Autonom të Kurdistanit në Irakun Verior.

"Vetëbesimi i shtetit turk"

Në Turqi jetojnë rreth 15 milionë kurdë, ata përbëjnë pakicën më të madhe etnike në vend. Vetëm para pak kohësh Ankaraja vendosi të forcojë të drejtat e tyre.

Afrimi mes Ankrasë dhe kurdëve ka shënuar një shkallë të re me takimin e Erdoanit me Barsanin, mendon gazetari turk Sedat Bozkurt, ekspert për çështjen kurde, në bisedë me Deutsche Welle. "Qyteti Dijarbakër, ku u zhvillua takimi ka rëndësi të veçantë", thotë Bozkurt. "Së pari kjo tregon se shteti turk kohët e fundit ka fituar më shumë besim në vetvete. Dhe së dyti, që qeveria ka besim tek pakica kurde në Turqi, dhe nuk i druhet separatizmit."

Interesat politike të Erdoanit

Në të njëjtën kohë me këtë gjest Erdoan tregon edhe interesat e tij politike, shpjegon eksperti i çështjes kurde Bozkurt. Shumica e kurdve në Turqi janë identifikuar për një kohë të gjatë me partinë KDP të Barsanit (Partia Konservatore Demokratike e Kurdistanit). Por konflikti i armatosur me shtetin turk ka bërë që shumë kurdë të mbështesin PKK. "Erdoani synon t'i bashkojë kurdët konservatorë në Turqi dhe ka përzgjedhur Barsanin si figurë simbol të këtij bashkimi", thotë Bozkurt. "Ai do të përpiqet të diversifikojë politikën kurde."

Pamje nga Sulaymania

Pamje nga Sulaymania

Me rritjen e influencës politike të Barsanit, zgjedhësit kurdë mund të largohen nga PKK. Partia turke pro kurde BDP, e cila në bazë ka një përkrahje të ngjashme me PKK, nuk e mirëpriti takimin e Erdoanit me Barsanin në Dijarbakër. Disa deputetë të kësaj partie e kritikuan kryetarin e zonës autonome kurde në Irakun Verior për bashkëpunimin e tij me Erdoanin.

Rivalitetet mes partive kurde

Mes PKK-së dhe KDP-së së Barsanit ka pasur gjithnjë një rivalitet të theksuar, i cili është forcuar me konfliktin në Siri. Partia kurdo-siriane PYD, e cila vlerësohet si krahu i PKK-së, synon autonominë e kurdëve në Siri. Kjo ka për pasojë që KDP-ja konservatore e Barsanit, e sheh këtë parti me orientim të majtë si konkurrencë në luftën për pushtet për rolin e një udhëheqjeje kurde transnacionale.

Por diferencat dhe rivalitetet mes partive kurde janë fare normale, thotë Hasim Hasimi. Sipas tij e rëndësishme është që si Erdoani ashtu edhe Barsani bënë thirrje për unitet në Dijarbakër, dhe jo për konfrontim. Me fjalimin e tij kryeministri turk "ka forcuar besimin e turko-kurdëve në procesin e paqes", mendon Hasimi. Megjithë sfidat që mbart ky proces, ai "është e vetmja rrugë përpara".

Edhe gazetari Bizkurt mendon se procesi i paqes me Ankarasë dhe PKK-së nuk mund të kthehet më prapa: "Nëse PKK në të ardhmen do të rrokë sërish armët, ajo do të humbiste mbështetjen nga baza. Dhe nëse qeveria turke e ndalon procesin e paqes, duhet të druhet nga sulme të PKK-së." Megjithëse probleme dhe tensione mund të ketë edhe në të ardhmen, procesi i paqes do të vazhdojë.