1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria serbe "shfuqizon" vendimet e Parlamentit të Kosovës

Kryeministri i Serbisë shpall të pavlefshme vendimet e Parlamentit të Kosovës dhe nuk pajtohet me deklaratat e partiarkut serb. Vuçiq foli edhe për mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të KS të OKB.

Qeveria e Serbisë ka vendosur të "nxjerrë nga fuqia të gjitha aktet juridike të Parlamentit të Kosovës për Trepçën". Këtë bëri të ditur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një paraqitje sot para gazetarëve. Por autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se qëndrimet dhe vendimet e qeverisë serbe për Trepçën dhe Kosovën nuk kanë kurrfarë pasojash juridike.

Vuçiq kundër Gjuriqit

Serbia nuk do të kërkojë seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën do të debatohej ligji i fundit i miratuar në Parlamentin e Kosovës për Trepçën, të cilën Serbia e konsideron si të okupuar. "Nuk e kam pranuar sugjerimin e Zyrës për Kosovë e Metohi, për dërgimin e çështjes në KS, për dy shkaqe: unë nuk jam një kryeministër cirku dhe së dyti, unë nuk dua t'u shpjegoj të gjithëve se jam një serbomadh". Vuçiq tha se vetë ai e mban përgjegjësinë për këto vendime.

"Cila është esenca e nxjerrjes së çështjes para KS? Cili është rezultati? Marko Gjuriqi nuk ka pasur përgjigje në këto pyetje", tha Vuçiq. Serbia duhet të mendojë për ekonominë e vet, për "foshnjet dhe ardhmërinë" e saj. Më parë shefi i Zyrës serbe për Kosovë Marko Gjuriq ka kërkuar që çështja e ligjit të miratuar në Parlamentin e Kosovës për Trepçën, të dërgohet në KS të OKB dhe të trajohet si shkelje e Rezolutës 1244 të KS të OKB.

Vuçiq nuk pajtohet me patriarkun Irinej

Kryeministri serb Vuçiq tha se ai ka një respekt jashtëzakonisht shumë të madh për patriarkun serb Irinej dhe e di që ai ia do të mirën popullit serb. Por Vuçiq nuk u pajtua me deklaratën e tij për dhunë. "Nuk dua të flas për dhunën në Serbi. Por do të doja që ta shmangim çdo lloj dhune - të huaj apo tonën”, theksoi kryeministri serb. Më parë Irinej kishte deklaruar se "Kosova na është marrë me dhunë, dhe se ajo që është marrë me dhunë, me dhunë do të kthehet”.