1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qeveria rumune vendos kundër një projekti për nxjerrjen e arit

Ishte një fitore e shoqërisë civile: qeveria rumune stopoi projektin për përpunimin e mbeturinave me cianid dhe nxjerrjen e arit në Roşia Montană. Por ka dhe disa projekte të tjera.

Eugen Davidi është një bujk nga fshati i vogël rumun Roşia Montană. Ai është i lumtur, sepse e ka fituar luftën kundër Goliatit, kundër një sipëmarrjeje të madhe. Qeveria rumune i ka dhënë fund në fillim të javës (09.09.2013) procesit 16 vjeçar për hapjen e minierës në fshatin Roşia Montană, ku supozohet se me metodën e kullimit me cianid mund të nxirren 300 tonelata ar dhe 1600 tonelata argjend.

Por Eugen David, i cili nuk ka dashur t'ia shesë shtëpinë e tij sipërmarrjes Rosia Montana Gold Corporation, nuk mund të gëzohet tepër. "Tani për tani ka vetëm një deklaratë politike kundër projektit", thotë ai me tone skeptike dhe shton: "Unë do t'u besoj atyre vetëm, kur të miratohet një ligj, me të cilin ndalohet kullimi me cianid në Rumani një herë e përgjithmonë."

Fitorja e shoqërisë civile

Si Davidi mendojnë edhe shumë kundërshtarë të tjerë të projektit. Shoqëria civile rumune megjithatë ka shënuar disa suksese të konsiderueshme. Një javë kanë zgjatur protestat në disa qytete të Rumanisë kundër këtij projekti. Kundër projekteve me cianid janë edhe disa shtresa intelektuale dhe qarqe të caktuara të kishës ortodokse, pas fatkeqësisë me cianid në vitin 2000 në Baia Mare.

Popullsia proteston kundër minierës

Popullsia proteston kundër minierës

Kryeministri Victor Ponta me shumicën e tij në parlament nuk ka dashur t'i kundërshtojë kërkesat e popullit. Ligji i miratuar më parë, që i mundësonte sipërmarrjes Rosia Montana Gold Corporation një monopol në pronë në rajonin Roşia Montană, ishte kundër kushtetutës në shumë pika, shpjegon avokati dhe politikani i njohur i minoritetit hungarez, Péter Eckstein-Kovács. Ai në shenjë proteste për shkak të kësaj politike dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të presidentit Traian Băsescu në shtator të vitit 2011.

Ecejaket e qeverisë

Qëndrimet e qeverisë së kryeminsstrit Victor Ponta dhe partisë së tij socialdemokrate (PSD) edhe më tej mbeten të paqarta. Ponta ka bërë të ditur përfundimin e projektit në Roşia Montană. Por vetëm dy ditë më vonë (11.09.2013) në një intervistë televizive ai tha se investimet e tilla janë shumë të rëndësishme për vendin.

Péter Eckstein-Kovács thotë se kjo është një lojë e dyfishtë, sepse qeveria ka lënë të hapura të gjitha mundësitë për vazhdimin e projektit. Ndërkohë qeveria Ponta ka dhënë pëlqimin për shumë projekte të dyshimta ekologjike.

Sipërmarrja kanadezo-rumune Deva Gold do të hapë në Certej një minierë të ngjashme si ajo në Roşia Montană. Në këtë fshat ka ndodhur më 30.10. 1971 një prej fatkeqësive më të rënda në miniera, aty kanë humbur jetën më shumë se 100 minatorë.

Victor Ponta nuk do të shprehet qartë

Victor Ponta nuk do të shprehet qartë

Qeveria Ponta i ka lejuar edhe kërkimet e gazit me metodën e dyshimtë Fracking. Përkundër protestave të shumta të mijëra njerëzve në lindje të Rumanisë kundër një metode të tillë koncerni amerikan Chevron do të vazhdojë kërkimet në bregdetin e Detit të Zi.

Baia Mare sërish në rend dite

Qeveria Ponta ka rënë dakord me rifillimin e punës për prodhimin e arit në Baia Mare, ku në janar të vitit 2000 kanë rrjedhur pas një fatkeqësie më shumë se 100.000 tonelata cianid, së pari në Theiss e më pas edhe në Danub dhe kanë shkaktuar një prej helmimeve më të mëdha në historinë e Evropës. Koncerni i atëhershëm rumuno-australian e mban sot emrin Romaltyn dhe i takon Kazakistanit. Romaltyn do që të përfitojë ari nga miliona tonelata mbeturina të minierave.

Aktivisti i mjedisit Gheorghe Tătar banon shumë afër fabrikës së koncernit Romaltyn. Tătar e ka dhënë kontributin e tij që kuvendi komunal të vendosë këtë vit kundër kullimit me cianid në Baia Mare, ndërsa Romaltyn kërkon drejtësi në gjykata. Tatar thotë se qeveria rumne duhet të pozicionohet qartë kundër projekteve të tilla me cianid.