1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria kosovare përpiqet për zgjidhjen e bllokadës tregtare me Maqedoninë

Kryeministri Thaçi deklaron se dy ditët e ardhshme pritet të gjendet një zgjidhje për bllokadën tregtare Kosovë-Maqedoni. Qeveritë e të dyja vendeve po diskutojnë tejkalimin e krizës.

Qeveria e Kosovës, shprehet e bindur që të mërkurën apo të enjten e kësaj jave më së largu, do të gjendet një zgjidhje me qeverinë e Maqedonisë në mënyrë që mos të vazhdojë bllokada e krijuar tash e dy ditë në kufirin ndërmjet dy vendeve. Në mesnatën e nëntë shtatorit, qeveria e Kosovës mori vendim që të mos lejojë hyrjen e mallrave nga Maqedonia si masë reciprociteti, pasi kjo e fundit vendosi taksa rrugore për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, tha të mërkurën me 11.09 në një mbledhje të qeverisë se ka diskutuar me telefon me kryeministrin e Maqedonisë dhe ata janë zotuar të gjejnë një zgjidhje.

“Kjo situatë e krijuar nuk është e shëndetshme as për shtetin e Kosovës as për shtetin e Maqedonisë. Nuk është fryma evropiane e relacioneve të mira mes dy vendeve. Prandaj, ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe jemi dakorduar që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt që është e mundur dhe të kthehet në gjendjen çfarë ka qenë”, tha kryeministri Thaçi.

Thaçi: "Maqedonia qasje anti-evropiane ndaj Kosovës"

Kryeministri Thaçi tha se në Kosovë do të vijë zëvendës-kryeministri i qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi, ndërsa, angazhoi dy zëvendës-kryeministrat e qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçin dhe Mimoza Kusari Lila, që të gjejnë një zgjidhje me homologun e tyre nga Maqedonia.

“Ju ftoj që të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur kjo situatë, natyrisht gjithmonë duke respektuar interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, por duke respektuar edhe standardet evropiane. Është mirë që vjen zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, z. Xhaferi në Kosovë. Besoj se ka vullnet për tejkalimin e kësaj gjendje të padëshirueshme për shtetin e Kosovës, por aspak ndihmuese për qasjen anti-evropiane të shtetit të Maqedonisë për shtetin e Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Bllokada tregtare Kosovë-Maqedoni impakt negativ edhe në rajon

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, tha se “bllokimi i mallrave të Maqedonisë që të hyjnë në Kosovë nuk ka pasur asnjë ndikim negativ në tregun kosovar”.

Por, kështu nuk mendojnë odat ekonomike. Njëra nga to në Kosovë, Oda ekonomike amerikane, thotë se “përmes hapjes dhe integrimit të tregjeve të shteteve anëtare të CEFTA-së, ekonomitë e secilit shtet do të arrijnë të shënojnë një zhvillim më të madh, ndërsa i tërë rajoni do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj”.

“Duke pasur parasysh ndikimet negative që ka situata momentale në ekonomitë e të dyja vendeve Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe pasojat që mund të ketë kjo situatë në raportet afatgjata midis të dyja vendeve, e që janë në kundërshtim me vlerat e fqinjësisë së mirë në të cilën ndërtohet Bashkimi Evropian, Oda Amerikane u bën thirrje autoriteteve në Kosovë dhe në Maqedoni që duke shfrytëzuar kornizën ligjore të paraparë në kuadër të marrëveshjes CEFTA, të zgjidhin sa më shpejtë të jetë e mundur të gjitha kontestet tregtare”.

Nuk do të ketë ngritje çmimesh

Vendimi i qeverisë së Kosovës që mos të lejojë mallrat e Maqedonisë të hyjnë në Kosovë është mbështetur edhe nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ndonëse një pjesë e madhe e tyre janë të lidhura drejtpërdrejt me Maqedoninë. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha në një konferencë për media se “vendimi i Qeverisë së Kosovës për bllokimin e importit të produkteve maqedonase, pas vendosjes së taksave të Maqedonisë për qytetarët e Kosovës, do të ndikojë negativisht në ekonominë e Maqedonisë, e jo në atë të Kosovës.

“Më vjen keq për gjithë ato biznese, të cilat i kanë të lidhura në mënyrë direkte dhe indirekte bizneset e tyre me Maqedoninë, por interesi i ekonomisë shtetërore dhe asaj vendore, duhet të jetë mbi ato importuese dhe tregtare”, tha Agim Shahini. Ai ka siguruar se edhe pas vënies së masës për bllokimin e importit të produkteve të Maqedonisë, qytetarët nuk do të ndjejnë ngritjen e çmimeve.

Sipas të dhënave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Maqedonia eksporton në tregun e Kosovës mbi 300 milionë euro në vit, ndërsa, eksporti i Kosovës në Maqedoni është shumë i vogël.