1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Qeveria gjermane mblidhet në një takim konsultativ në Meseberg

Një ditë e gjysëm do të marrë kohë qeveria gjermane në fillim të vitit për të diskutuar programin e saj të ri. Në pallatin Meseberg duhet të kapërcehen edhe grindjet e para në koalicionin e ri.

default

Meseberg

Pallati barok, që përdoret si ndërtesë për pritjet qeveritare, ndodhet rreth një orë larg nga Berlini në brigjet e liqenit Huvenov. Këtu anëtarët e koalicionit të ri qeveritar të përbërë nga CDU, CSU dhe SPD duan të këshillohen me njëri - tjetrin në një rreth të ngushtë dhe larg syve të opinonit.

Në axhendën e takimit të qeverisë ka shumë tema, të cilat shkaktuan mosmarrëveshjen e parë pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit: politika energjetike, planet për pensionet, politika e familjes dhe ajo për emigracionin. Për të gjitha këto pika anëtarët e koalicionit të ri kanë patur debate aq të forta javët e fundit, saqë vëzhguesit dhe media folën për një fillim të gabuar të koalicionit me bazë të gjerë.

"Koalicion i madh për detyra të mëdha "

Berlin Große Koalition Kabinett 17.12.2013

Koalicioni qeverisës CDU/CSU-SPD

Fillimin e bëri CSU, e cila kërkoi që para Krishtlindjeve që të ndryshohet sërish vendimi i sapoarritur për futjen e pagës minimale në mbarë vendin. Kryetari i partisë Horst Seehofer kërkoi që të përjashtohen nga ky rregull praktikantët, punëtorët sezonalë dhe pensionistët. Ky qëndrim shkaktoi zemërim në Partinë Socialdemokrate. Paga minimale në të gjithë vendin konsiderohej si synimi kryesor, që mundën të realizonin socialdemokratët në negociatat e koalicionit, që dukeshin se nuk do të merrnin fund kurrë.

Tri javë e gjysmë CDU, CSU dhe SPD diskutuan në mënyrë të detajuar dhe në grupe të shumta pune, derisa në fund të nëntorit u arrit marrëveshja e koalicionit. Më 16 dhjetor dokumenti 185-faqesh u nënshkrua në Berlin. "Koalicioni i madh është një koalicion për detyra të mëdha", pati thënë kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU), gjithë krenari. Por gëzimi nuk zgjati shumë. Shumë shpejt u konstatua se ka patur grindje të mëdha.

Ruajtja e të dhënave

Ministri i ri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas, SPD, deklaroi se ai do të shtyjë futjen e memorizimit të të dhënave, të vendosur në marrëveshjen e koalicionit. Ai tha se dëshiron të presë fillimisht vendimin e Gjykatës Evropiane, e cila duhet të vendosë mbi ligjshmërinë e direktivës evropiane. Që nga viti 2006 ajo ka vendosur që shtetet anëtare të BE duhet të sigurojnë, që kompanitë e telekomunikacionit të mbledhin dhe të ruajnë të dhëna pa arsye dyshimi, apo rreziku konkret. Nëse gjyqtarët e BE-së do ta tërheqin krejtësisht këtë direktivë, "ne duhet të flasim krejt nga e para për memorizimin e të dhënave. Deri atëherë ky instrument është për mua i bllokuar", tha Maas.

Me këtë qëndrim ministri i Drejtësisë zemëroi në rradhë të parë CSU. Eksperti i tyre për çeshtjet e politikës së brendshme Hans-Peter Uhl theksoi se futja e ruajtjes të të dhënave, që kërkohet nga BE, është aprovuar në marrëveshjen e koalicionit dhe duhet të zbatohet. Edhe ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere (CDU) i bëri thirrje Maasit, që të veprojë në përputhje me marrëveshjet dhe të fusë ruajtjen e të dhënave. Në fund të dy ministrat ranë dakord për një procedurë, e cila do të diskutohet në fund të takimit konsultativ.

Tri ministre?

Manuela Schwesig Familienministerin

Manuela Schwesig - ministrja e Familjes

Edhe ministrja e re e Familjes, Manuela Schwesig, hasi shpejt në rezistencë me kërkesën e saj për të vënë thekset e veta. Politikanja socialdemokrate propozoi, që të lejohet që prindërit e rinj të punojnë me kohë të pjesshme. Në vend të 40 orëve në të ardhmen ata duhet të punonin vetëm 32 orë në javë, për të patur më shumë kohë për fëmijët e tyre. Humbjet nga paga duhet të kompensoheshin nga taksat. Por propozimi i Schwesig u hodh poshtë që në fillim. Merkel i bëri të ditur ministres, se për këtë nuk do të ketë të holla shtesë nga taksat.

Në Mynih ndërkohë ministrja bavareze e Bujqësisë Ilse Aigner (CSU) shkaktoi pakënaqësi me propozimin për financimin e energjisë me kredi. Ajo u pengua menjëherë nga kryeministri Seehofer.

Dhe në Berlin ministrja e Punës Andrea Nahles (SPD) nuk korri lavdërime, kur dorëzoi javën e kaluar paketën e saj për pensionet. Ndryshimet legjislative, që duhet të hyjnë në fuqi në fillim të korrikut, parashikojnë ndër të tjera rritjen e pensioneve për nënat, që kanë lindur fëmijë para vitit 1992. Përveç kësaj punëdhënësit duhet të kenë mundësi të dalin në pension në moshën 63 vjeçare, nëse kanë paguar 45 vjet me rradhë kontribute në fondin e pensioneve. Politikanët e partive opozitare kritikuan planet e ministres së Punës, se ajo në projektin e saj ka injoruar udhëzimet e qarta të kancelares Merkel.

I pranuar nga popullsia

Edhe debati i iniciuar nga CSU mbi emigracionin nga vendet anëtare të BE-së Rumania dhe Bullgaria dhe kalimi i ish-ministrit të kancelarisë Roland Pofalla (CDU) në bordin drejtues të hekurudhave gjermane (Deutsche Bahn) shkaktuan zemërim brenda koalicionit dhe në opinion. Megjithatë besimi i qytetarëve për koalicionin e ri kristiandemokrat-socialdemokrat nuk është rraskapitur ende. Kjo rezulton nga një sondazh i institutit për hulumtimin e opinionit Infratest-Dimap, i bërë me porosi të transmetuesit radiofonik dhe televiziv ARD. Sipas tij 39 për qind e të anketuarve mendojnë se "koalicioni i madh" është edhe më i përçarë se sa koalicioni i vjetër kristiandemokrat-liberal. Megjithatë 34 për qind nuk shohin asnjë ndryshim dhe 18 për qind konsiderojnë atë edhe më të harmonishëm.

Wolfgang Schäuble Treffen der EU Finanzminister in Brüssel 18.12.2013

Wolfgang Schäuble

Edhe zëniet e vendeve në kabinet gjejnë mbështetje në popull. Sidomos ministri i Financave Wolfgang Schäuble (CDU) gëzon besimin e gjermanëve. 76 për qind e vlerësojnë pozitivisht punën e tij. Shumica e të anketuarve beson se qeveria e re ka nën kontroll problemet ekonomike. 79 për qind e qytetarëve vlerësojnë gjendjen ekonomike në Gjermani si pozitive.


Si përfundim edhe pse shumë media e vlerësuan në mënyrë kritike fillimin e koalicionit të gjerë, shumica e qytetarëve ende janë të kënaqur. Prej kësaj mund të përfitojë veçanërisht SPD. Ajo ka fituar dy pikë përqindje sipas sondazhit duke arritur tani në 27 për qind. Ndërsa Unioni ka humbur dy përqind. Aprovimi i zgjedhësve për të tani është 41 për qind.