1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania lejon votimin për referendumin turk në Gjermani

15 Mars 2017

Shtetasit turq mund të marrin pjesë edhe në Gjermani në referendumin për ndryshimin e kushtetutës në Turqi. Qeveria gjermane miratoi lokalet përkatëse zgjedhore.

https://p.dw.com/p/2ZF5e
Oberhausen Auftritt Yildirim Fahnen
Fotografi: Reuters/W. Rattay

Gjithsej janë parashikuar lokale zgjedhore në 13 qytete në të gjithë territorin e Gjermanisë, në të cilat shtetasit turq mund të votojnë për reformën e kushtetutës turke, që ka ngjallur debate. Ambasadës turke në Berlin iu përcoll një notë përkatëse verbale. Në Gjermani janë 1,4 milionë persona me të drejtë vote, të cilët mund të marrin pjesë në referendum.

Shumë gjermanë e mbështesin Erdoganin

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se do të jetë e mundur që të votohet në të njëmbëdhjetë konsullatat e përgjithshme në Gjermani, pra në Berlin, në Dyseldorf, në Essen, në Frankfurt/Main, në Hamburg, në Hanover, në Këln, në Karlsruhe, në Mainc, në Mynih dhe në Mynster. Konsullatat e Hanovrës dhe të Mynihut planifikojnë të marrin me qira edhe ambjente shtesë. Veç kësaj, lokale zgjedhore do të ketë edhe në Dortmund dhe në Nyrnberg.

Raport i tensionuar

Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Turqisë janë të tensionuara dhe janë rënduar ditët e fundit edhe më tepër prej grindjes për fjalimet elektorale të politikanëve turq në Gjermani. Pas anulimit të mitingjeve në disa qytete gjermane, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan foli për "metoda naziste". Të martën, kryeministrja e Landit të Zarës, Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU) tha se do t'i ndalojë fjalimet e politikanëve turq në landin e saj.

Me referendumin e kushtetutës në 16 prill, Erdogani do të imponojë në Turqi një sistem presidencial. Kundërshtarët e Erdoganit druhen se Turqinë mund ta kërcënojë një sundim autoritar. Që prej përpjekjet për puç në verë 2016, kryetari i shtetit turk vepron në mënyrë masive kundër opozitës. Dhjetëra mijëra vetë janë arrestuar, midis tyre gjykatës, shkrimtarë, profesorë dhe gazetarë. Edhe korrespondenti gjermano-turk i gazetës "Die Welt", Deniz Yücel ndodhet në arrest.