1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Qeveria gjermane: kreu i shërbimit të fshehtë në ambasadën e SHBA-së të largohet nga Gjermania

Në marrëdhëniet diplomatike midis dy shtetesh miq praktikisht largimi i një diplomati është dënimi më i rëndë. Kreut të shërbimit të fshehtë të SHBA-së në Gjermani iu kërkua të largohet nga vendi.

Eshtë një goditje e rëndë diploamtike: Qeveria gjermane i kërkon të largohet nga Gjermania kreut të shërbimit të feshtë në ambasadën e SHBA-së në Berlin. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert e argumentoi këtë hap drastik me dy rastet e reja të spiunazhit si dhe me aferën e veprimtarisë së Agjencisë Amerikane të Sigurisë, NSA, që po vazhdon qysh prej një viti. Të gjitha këto raste qeveria federale i "vlerëson me shumë seriozitet". Ndonëse zëdhënësi i qeverisë theksoi, se interesi gjerman është për vazhdimin e një bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-në. "Por për këtë janë të nevojshme besimi dhe çiltërsia reciproke", tha Seibert në Berlin.

Shtëpia e bardhë: "No comment"

Deri tani shtëpia e bardhë është treguar e tërhequr. "Ne i kemi parë njoftimet dhe nuk kemi asnjë koment për një çështje që duket se ka të bëjë me shërbimet e fshehta", tha zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë të presidentit Barack Obama, Caitlin Hayden. Shtëpia e bardhë theksoi megjithatë partneritetin "shumë të rëndësishëm" të sigurisë dhe shërbimeve sekrete midis dy vendeve, që "garanton mbrojtjen e gjermanëve dhe të amerikanëve". Një vazhdim i bashkëpunimit në këtë fushë është "i domosdoshëm", tha Hayden. SHBA do të vazhdojnë të jenë në kontakt me qeverinë gjermane "përmes rrugëve të përshtatshme". Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe ambasada e SHBA-së në Berlin dhe qendra e CIA-s në Langley.

"Chief of Station" (COS) – ky është emërtimi zyrtar i krerëve të shërbimit të fshehtë në ambasadat e SHBA-së – është bashkëpunëtor i CIA-s dhe gëzon imunitet diplomatik. Normalisht ai është i akredituar si attaché i kulturës, shtypit apo ekonomisë. Por autoriteteve të vendeve aleate SHBA normalisht ua e komunikon se cili është COS në ambasadën përkatëse. Kërkesa për t'u larguar nga Gjermania është formale dhe ende ajo nuk nënkupton dëbim. Vetëm në rast se kjo kërkesë shpërfillet, hapi tjetër formal është dëbimi brenda një afati të caktuar.

Merkel kritikon Uashingtonin

Më parë kancelarja Angela Merkel kritikoi SHBA në sfondin e aferës së spiunazhit, se po i angazhon krejtësisht gabim burimet e veta. Në sfondin e sfidave të mëdha si në Lindjen e Mesme spiunimi i aleatëve është "konsumim i focave", tha Merkel në Berlin. "Ne kemi kaq shumë probleme. Ne duhet të përqendrohemi tek thelbësorja", tha ajo duke iu referuar Sirisë dhe Irakut. Por, sipas saj, në rastet e disktuara të spiunazhit në Gjermani duket se nuk është kështu.

"Ne jetojmë në shekullin e 21-të"

Ka një "një pikënisje krejt të ndryshme" nga ajo se cila ka qenë detyra e shërbimeve sekrete pas fundit të Luftës së Ftohtë, tha kancelarja, celulari i së cilës është përgjuar nga shërbimi i fshehtë NSA i SHBA-së. Në mënyrë indirekte ajo i kritikoi shëbrimet sekrete të SHBA-së, se kanë mbetur në mendësinë e shekullit të 20-të. Nuk duhet më që të kemi mosbesim në përgjithësi "Sot ne jetojmë në shekullin e 21-të. Në këtë kohë në mënyrë vendimtare varet shumë prej besimit që krijohet mes aleatëve. Më shumë besim do të thotë më shumë siguri." Ndaj, thekson me tej kancelarja, duhet bërë gjithçka që ata, të cilët ndajnë të njëjtat vlera, të bashkëpunojnë në besim të plotë. Shërbimet sekrete nuk duhet të bëjnë gjithçka, që është e mundur teknikisht, por duhet të vendosin prioritete.